Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot pasdite në Bratislavë një takim të veçantë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Z.Scheffer. Në fillim të takimit, Z.Nano e uroi Z.Scheffer pë
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot pasdite në Bratislavë një takim të veçantë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Z.Scheffer.
Në fillim të takimit, Z.Nano e uroi Z.Scheffer për emërimin në këtë detyrë dhe për realizimin e të gjitha detyrave që lidhen me përmbushjen e misioneve të rëndësishme që NATO ka përpara si dhe përballimin e sfidave të reja të këtij fillimshekulli.
Kryeministri Nano e ka njohur Z.Scheffer me ecurinë e reformave në Shqipëri, edhe në kuadër të integrimit euro-atlantik të vendit.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është konsideruar gjithmonë si një ndër objektivat kryesore në politikën tonë të jashtme, pasi ai lidhet drejtpërdrejt me interesat jetike të vendit si dhe me paqen dhe stabilitetin në rajon, u shpreh Kryeministri Nano duke konfirmuar edhe një herë vendosmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për realizmin e kësaj aspirate.
Po ashtu, Z.Nano e ka njohur Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s edhe me zhvillimet më të fundit në rajon dhe në mënyrë të veçantë me zhvillimet në Kosovë.
Nga ana e tij, Z.Shefer vlerësoi rolin e Kryeministrit Nano dhe të Qeverisë së Shqipërisë, si dhe mesazhet për stabilitetin në rajon, edhe në situatën e fundit në Kosovë, duke vlerësuar gjithashtu edhe hapat për kryerjen e reformave që Shqipëria po bën në rrugën e saj drejt integrimit në strukturat e NATO-s, duke shprehur mbështetjen e tij në këtë drejtim.
Në përfundim të takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Kryeministri Nano në përgjigje të intreresimit të mediave tha se:
"Me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s përveç informacionit më të freskët për progresin e Shqipërisë në kuadrin e planit të veprimeve për anëtarësim dhe takimit të ardhshëm në Uashington për anëtarësimin e anëtarëve të rinj të NATO-s, ku natyrisht edhe vendet e Kartës së Adriatikut do të paraqiten me profilin e tyre tashmë të shquar të progresit, shkëmbyem edhe informacionet që kemi për gjendjen në Kosovë, për angazhimet më të reja të NATO-s me 1000 trupa të freskëta në dobi të mbrojtjes së paqes dhe të integritetit publik të qytetarëve të Kosovës. E informova Sekretarin Scheffer për kontaktet e mia të vazhdueshme me Bajram Rexhepin dhe autoritetet e tjera të Kosovës si dhe për situatën e qetë të ditës së sotme edhe pas funeraleve të fëmijëve shqiptarë, e cila po arrihet me përpjekjet e të gjitha autoriteteve politike dhe të qeverisë së Kosovës dhe që shpresoj shumë shpejt do të mund të prodhojë mesazhe të reja të cilat do të ishin barabart të dobishme për të gjithë qytetarët e Kosovës, shqiptarë apo serbë, siç do të ishte iniciativë e qeverisë kosovare me mbështetjen e të gjitha forcave politike për të ofruar mbrojtje dhe për t'ju garantuar strehën e vetë legjitime të gjithë qytetarëve të Kosovës".