Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, Siç jeni në dijeni, dje në Mitrovicë dhe më pas në disa qytete e fshatra të Kosovës ka pasur konfrontime të dhunshme midis shqiptarëve dhe s

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Siç jeni në dijeni, dje në Mitrovicë dhe më pas në disa qytete e fshatra të Kosovës ka pasur konfrontime të dhunshme midis shqiptarëve dhe serbëve, çka erdhi si rrjedhojë e protestës së një grupi shqiptarësh, protestë e provokuar nga akti barbar i mbytjes së tre fëmijëve shqiptarë në ujrat e lumit Ibër, pas një provokimi të dhunshëm të nxitur nga pjestarë të etnisë tjetër. Informacionet e fundit tregojnë se kjo klimë tensioni ka vazhduar edhe gjatë natës dhe sot në mëngjes, numri i të vrarëve dhe të plagosurve është i ndjeshëm dhe ende i pasaktësuar plotësisht, ndërsa një varg objektesh kulti dhe pronash të etnisë tjetër janë djegur. Bilancet e asaj që kanë ndodhur ende nuk janë përfundimtare dhe më lejoni që edhe në emrin tuaj të shpreh ngushëllimet e sinqerta të qeverisë së Shqipërisë për familjet e viktimave.
Për fat të keq, përshkallëzimi i protestës po sjell sërish përplasje të dhunshme edhe me forcat policore të UNMIK-ut. Unë u vura menjëherë në kontakt me autoritetet më të larta të Kosovës, Kryeadministratorin Holkeri dhe Kryeministrin Rezhepi, duke u ofruar atyre, krahas autoriteteve të tjera, mbështetjen e qeverisë dhe timen personale në funksion të qetësimit të situatës. Në të njëjtën kohë i bëmë thirrrje edhe opinionit publik dhe gjithë qytetarëve të Kosovës për vetëpërmbajtje dhe gjakftohtësi në mënyrë që të parandalohet përhapja dhe përshkallëzimi i dhunës, çka dëmton rëndë dhe rrezikon seriozisht procesin e filluar tashmë të rindërtimit të institucioneve demokratike, procesit të statusit përfundimtar të Kosovës dhe të integrimit të saj në strukturat euroatlantike, procese këto të ndërtuara me shumë sakrifica, përkushtim dhe vullnet të shumëanshëm nga faktori ndërkombëtar, aktorët politikë kosovarë dhe në radhë të parë nga vetë populli i Kosovës.
Të gjithë qendrimet publike të faktorëve kryesorë në Kosovë janë të qarta dhe rrahin në një drejtim: të ndalet dhuna ndëretnike, të veprohet në mënyrë ligjore për të nxjerrë përpara drejtësisë provokuesit dhe nxitësit e vorbullave që kërkojnë të nxjerrin nga arkivat ekstreme të reja të barbarise njerëzore, për të cilat kujtesa e të gjithëve është ende e freskët dhe vetë populli i Kosovës i njeh mirë, pasi i ka paguar me jetë të tëra njerëzish.
Ne vlerësojmë se qendrimi ynë përkon dhe është në sinergji të plotë me qëndrimet e partnerëve strategjikë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të europianizimit të Ballkanit, me gjithë faktori relevant ndërkombëtar që nga BE, Departamenti Amerikan i shtetit, OKB-ja, Asambleja Parlmentare e Këshillit të Evropës etj., të cilët njëzëri dhe në mënyrë të vendosur dënuan rishfaqjen e dhunës ndëretnike dhe kërkuan rivendosjen e rendit si dhe nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve. NATO ka anonçuar tashmë përforcim trupash të reja të Aleancës në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të Kosovës.
Qeveria shqiptare shpreh shqetësimin e saj se veprimet e djeshme në Kosovë bien ndesh me ecurinë pozitive dhe progresin e arritur në drejtim të forcimit të bashkëjetesës në paqe dhe demokraci midis etnive, veprime të cilat pengojnë e vonojnë procesin e pakthyeshëm të përmbushjes së standarteve për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe për integrimin e saj në gjirin e bashkësisë së vendeve demokratike europiane. Këto veprime të shunshme bien ndesh edhe me zhvillimet e përgjithshme në të cilat është përfshirë i gjithë rajoni ynë, që siç e dimë, lidhen me proceset i integrimit rajonal dhe euroatlantik, si pjesë e këtij procesi të gjërë integrimi në modernitet. Ato janë një shans më shumë për të rizgjuar nacionalizmat ekstreme të paguara shtrenjtë në rajon dhe veçanërisht të paguara shtrenjtë nga shqiptarët.
Për këto arsye, në një çast të tillë ne ridënojmë me forcë çdo shfaqje apo nxitje qendrimesh që rinxjerrin dhe riaktivizojnë skenarët anakronikë të ndarjes mes midis komuniteteve apo njerëzve përmes parcelizimeve të Kosovës apo më gjërë në kantone, krahas dënimit të artikulimit të pretencave të paragjykuara që kërkojnë të ekstremizojnë me çdo kusht shqiptarët si elemetë tërroristë a separatistë. Këto karta të dala boje të një politike të vjetëruar nuk kanë më vend për të ardhmen e përbashkët të rajonit tonë, që i përket integrimit dhe standarteve të demokracive perëndimore. Ne kërkojmë që të kuptohet nga të gjithë se ajo që ndodhi gjatë orëve të fundit në Kosovë, nuk është rezultat i bashkëjetesës, por pikërisht i mosangazhimit, i mosveprimit apo sabotimit të bashkëjetesë, është rezultat i mbajtjes ngritur të strukturave paralele administrative a paraushtarake që vazhdojnë të ushqejnë izolimin etnik apo të nxisin valë të reja spastrimesh në funksion të ndarjes së Kosovës.
Nuk është e vështirë të hetohet se tendencat destabilizuese nuk janë prezente vetëm në Kosovë, por mbeturina të tyre vazhdojnë të gjallojnë andej këndej në rajonin tonë. Të gjithë ata që nuk janë të aftë për bashkëjetesë, për konkurim të hapur e demokratik, njerëz të lidhur me të kaluarën e konflikteve ndëretnike dhe me krimin, vazhdojnë të mbajnë gjalllë këta ishuj të destabilitetit dhe tensioneve, duke e ushqyer atë me politika të rrugës, me mbajtjes psikologjikisht "rob" dhe larg zhvillimit global të grupimeve të caktuara të qytetarëve. Qytetarët shqiptarë kudo që janë në Tiranë apo Shkup, Prishtinë apo Podgoricë, duhet të vazhdojnë të ndërgjegjësohen për t'i dhënë fund njëherë e përgjithmonë kapjes së titujve kryesorë të lajmeve negative me akte violence, krimi a dhene që mban peng institucionet dhe ngadalson zhvillimet integruese. Në këto situara është detyrë parësore e jona që të forcojmë aktivitetin e gjithanshmë qeverisës, integritetin e rendit publik, të kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe të mos biem pre e emocioneve të çastit dhe të vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin demokratik e politik në këtë funksion.
Kushdo që nuk e ka kuptuar që treni i integrimit rajonal është në lëvizje përpara, ne i themi qartë dhe vendosshmërisht që kurrë nuk është vonë për ta kapur atë. Shqipëria është e vendosur në rrugën e progresit e të bashkëjetesës dhe është e bindur që të gjithë faktorët progresivë të rajonit tonë, përfshirë edhe shqiptarët, kudo që ata ndodhen dhe përfaqësuesit e tyre politikë të orientuar nga Europa, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj., janë pjesë e pandarë dhe protagonistë e këtij procesi demokratik e integrues të pakthyeshëm.