Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot takime me ministrin e Transportit dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi, dhe me ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit, Agron Duka, në kuadër të analizës pë
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot takime me ministrin e Transportit dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi, dhe me ministrin e Bujqësisë dhe Ushqimit, Agron Duka, në kuadër të analizës për realizimin e objektivave dhe prioritetet e Qeverisë për periudhën janar-mars 2004.
Në takimin me Ministrin e Trasportit dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi, është vlerësuar fakti që puna e kësaj ministrie ka dhënë rezultate konkrete në përmbushje të detyrave të përcaktuara dhe projekteve të programuara për të ardhmen.
Ministri Poçi është ndalur fillimisht në gjendjen dhe rezultatet e punës në përmirësimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore, detare dhe ajrore në vend.
Për tremujorin e parë plani për ndërtimin e rrugëve dhe sistemin e asfaltimeve është realizuar, ndërsa projektet për mirëmbajtjen e rrugëve, për shkak të kushteve jo të favorshme, nuk kanë patur të njëjtat ritme, por, nënvizoi ministri Poçi, në periudhën në vazhdim ritmet në këtë sektor do të jenë më të dukshme. Sipas z.Poçi, gjatë këtij viti do të përfundojnë zbatimi i projekteve të filluara në disa segmente rrugore, si dhe janë parashikuar të fillojnë punimet për ndërtimin të tre segmenteve të reja Lushnje-Fier, Vorë-Fushë Krujë, Tepelenë-Gjirokastër. Lidhur me rrugën Durrës-Kukës, ministri Poçi bëri të ditur se po punohet në drejtim të tre segmenteve të këtij aksi: për segmentin Milot-Rrëshen punimet parashikohen të fillojnë brenda vitit 2004, për segmentin Rrëshen-Kalimash kanë shprehur interes disa kompani për ndërtimin e tij me koncension dhe për segmentin Kalimash-Kukës-Morinë, në buxhetin e këtij viti janë programuar fondet për hartimin e projektit të zbatimit.
Lidhur me transportin detar, ministri Poçi tha se investimet buxhetore të parashikuara për periudhën në vijim janë 140 milion lekë, të cilat përfshijnë 8 objekte në Portet Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë. Në portin e Durrësit, tha z.Poçi, punimet e projektit të Bankës Botërore, prej 23 milion USD, kanë ecur mjaft mirë dhe garantojnë mbylljen e tij me sukses. Gjithashtu brenda vitit 2004 në këtë port është parashikuar të fillojë nga zbatimi projekti i financuar nga BEI.
Për sektotin e transportit ajror, z. Poçi tha se plani i buxhetit për tremujorin e parë të këtij viti është realizuar 100%. Në këtë sektor janë realizuar strukturimi i njësisë së shërbimit të Sigurisë së Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza", hartimi i programit kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, si dhe janë në proces hartimi i ligjit të ri të Aviacionit Civil dhe ndërtimi i Strukturës së Komitetit të Sigurisë së Aviacionit Civil.
Në fushën e telekomunikacioneve, ministri Poçi është ndalur në procesin e përgatitjes për privatizimin e Albtelekomit dhe reformën në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve profesionale. Në këtë drejtim, tha z.Poçi, ka përfunduar dhe u dha zyrtarisht nga ana e ERT licenca për kompaninë celulare Eagle Mobile dhe po punohet për zgjedhjen e teknologjisë dhe burimet e financimit të fazës së parë të implementimit të këtij operatori. Po ashtu po punohet në drejtim të implementimit të sistemit informatik të faturimit dhe kujdesit për abonentin, si dhe të zgjerimit të rrjetit dial-up për ti ofruar shërbim të kënaqshëm Interneti të gjithë abonentëve të shërbimit fiks në Shqipëri, ndërkohë që vazhdon puna për arkëtimin e detyrimeve të prapambetura nga debitorët. Vëmendje e veçantë, theksoi z.Poçi, i është kushtuar masave në drejtim të privatizimit të kompanisë.
Në fund të takimit, Kryeministri Nano ka kërkuar respektimin e detyrave të parashikuara në programin e punës dhe të detyrave prioritare për vitin 2004 për këtë ministri. Zoti Nano ka kërkuar në mënyrë të veçantë një bashkëpunim më të mirë me sektorin privat për financimin e rrugëve, duke siguruar transparencën e ketij procesi; përqëndrimin e fondeve të investimeve në projekte kryesore dhe ndjekjen nga afër të reformës në Telekom dhe Posta, si pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit.
***
Gjatë analizës së punës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, ministri Agron Duka ka vënë në dukje se gjatë kësaj periudhe tremujore ka filluar përgatitja e programit buxhetor afatmesëm 2005-2007; ka përfunduar faza përgatitore për 3 projekte të Bankës Botërore dhe të Programit CARDS; janë përgatitur listat me produktet e përpunuara bujqësore të nevojshme për negociatat me Komisionin Europian, si dhe është në proces diskutimi me BE protokolli i verës. Në kuadër të projekteve për sektorin e bujqësisë, është vlerësuar në mënyrë të veçantë projekti "2KR", i financuar nga qeveria japoneze, i cili është në vazhdim edhe për vitin 2004.
Lidhur me menaxhimin e sektorit të peshkimit, ministri Duka tha se është vendosur nën kontroll peshkimi në liqenin e Ohrit dhe të Shkodrës dhe ka filluar procesi i furnizimit me karburant pa akcizë i anijeve të peshkimit. Ndërkohë vazhdojnë punimet në Portet e Peshkimit në Sarandë, Vlorë, Durrës, u aprovua nga KRRTRSH Qendra e Peshkimit në Shirokë dhe pritet të fillojë studimi i bëshmërisë për qendrën e molusqeve në Sarandë me mbështetjen e programit CARDS.
Në drejtim të menaxhimit të burimeve njerëzore, ministri Duka tha se është hartuar tashmë platforma për ristrukturimin e Instituteve të Kërkimit Bujqësor me mbështetjen e Bankës Botërore dhe është në përfundim procesi i organizimit të Bordeve të Kullimit në qarqe.
Në periudhën në vazhdim, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit ka planifikuar në programin e punës zhvillimin e legjislacionit në fushën e veterinarisë, shërbimit fitosanitar dhe ushqimit; reformën institucionale duke ngritur agjencitë përkatëse për veterinarinë, ushqimin dhe shërbimin fitosanitar; vazhdimin e monitorimit të molusqeve, vezëve dhe patates për hapjen e eksporteve; ngritjen e tregjeve të reja për produktet bujqësore, ku pas atij të Lushnjes, ka filluar ndërtimi i tregut të Korçës, është aprovuar tregu i Shkodrës dhe është në procedurë tregu i Vlorës.
Në fund të takimit, Kryeministri Nano ka kërkuar nxitjen e mëtejshme të projekteve të reja në fushën e bujqësi, blektorisë, peshkimit dhe të industrisë agroushqimore, në mënyrë që të stimulohet më tej prodhimi vendas dhe rritja e eksporteve.