E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas njohjes me kërkesën e deputetit Spahia në lidhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 12 Qershor 2003, për marrëdhëniet e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së

Pas njohjes me kërkesën e deputetit Spahia në lidhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 12 Qershor 2003, për marrëdhëniet e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, ekipi im është angazhuar dhe ka përgatitur një përgjigje të plotë dhe përmbledhëse për realizimet dhe problemet që trajtohen në funksion të rezolutës së mësipërme.

Më rezulton se një ndër arritjet më të spikatuara në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në frymën e Traktatit të Miqësisë nënshkruar nga Presidentët e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Greqisë në vitin 1996 dhe të ratifikuar në vitin 1997 nga Parlamentet e të dy vendeve, është përmirësimi i ndjeshëm i situatës së të drejtave të njeriut për shqiptarët që punojnë në Greqi, më shumë se 80% e të cilëve janë tashmë të legalizuar dhe gëzojnë të drejtat e qytetarëve të komunitetit europian, ose janë në proces legalizimi për një pakicë.

Janë zbutur ndjeshëm problemet e qarkullimit të lirë të qytetarëve jo vetëm me hapjen e vendkalimeve të reja kufitare e konsullatave të reja, të cilat gjithashtu, do të shtohen por edhe me mirëkuptimin dhe ndërhyrjen e administratave të dy vendeve në çështjen e zgjidhjes së problemeve të dokumentacionit të identitetit veçanërisht në periudha lëvizjesh masive që lidhen me festa dhe pushime.

Nga ana jonë në përgjigje të detyrimeve standarte që lidhen me shkallën e re të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE, veçanërisht të detyrimeve që lidhen me të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve të Këshillit të Europës Qeveria Shqiptare mori vendimin për ngritjen e një Komiteti Shtetëror për Minoritetet.

E kemi theksuar dhe gjej rastin të përsëris vlerësimin tonë të lartë për Presidencën greke të BE në 6 mujorin e parë të vitit 2003, që me nismën e vet në Samitin e Selanikut organizoi një panel të veçantë, ku me propozimin tonë u ftua për herë të parë edhe Kosova. Ky Samit konsolidoi politikën e dyerve të hapura dhe kuadrin e marrëdhënieve më të avancuara të asociimit dhe integrimit në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke shfrytëzuar kujtesën time personale dhe arkivin e Kuvendit më rezulton zoti Spahia se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka miratuar në seancë plenare variantin të cilit ju i referoheni, veçanërisht për pikën 4 e 5. Rezoluta zyrtare e miratuar me shumicën e deputetëve ka një përmbajtje dhe formulim të ndryshëm me dokumentin të cilit i referoheni ju për këtë seancë pyetjesh. Kjo do të thotë se në mënyrë racionale dhe legale unë nuk kam ndonjë detyrim t'i përgjigjem pyetjeve të paqena. Nisur nga ky konstatim më lejoni të tërheq vëmendjen për më shumë seriozitet dhe saktësi në adresimin e dokumenteve zyrtare që merren si referencë. Ndërkaq duke i vlerësuar si shumë të rëndësishme dhe sensitive problemet e shtruara për zgjidhje në rezolutë, natyrisht në atë zyrtare, më lejoni t'ju informoj si më poshtë:

- Për pyetjen, çfarë është bërë me pikën 2, zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me efektet e ligjit të luftës të vitit '40, natyrshëm nuk kam ndonjë informacion që të më dëshmojë që nga koha e miratimit të rezolutës në fjalë e deri tani të ketë pasur fakte të reja lufte apo konflikte të dhunshme me shtetin grek. Përkundrazi pavarësisht problemeve të herëpashershme, Qeveria e Shqipërisë dhe shteti ynë kanë gjetur tek institucionet e Greqisë si vend anëtar i BE dhe NATO-s, ashtu si dhe tek Italia fqinje, aleat dhe avokat për proceset integruese në të cilat është përfshirë Shqipëria. Për këtë, maxhoranca që unë drejtoj shpreh mirënjohjen prej partneri.

Sigurisht në marrëdhëniet shqiptaro-greke ka edhe probleme të shkaktuara nga e kaluara historike apo të krijuara nga lobe të caktuara, që mbeten robër të një mentaliteti konfliktual apo tradicionalist. Por ne kemi qenë dhe mbetemi të bindur se këto marrëdhënie, ashtu si deri më tani, nuk do të mund të dominohen apo përcaktohen nga konfliktet, por nga dialogu për zgjidhjen e problemeve sipas standarteve të BE, në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe gjithashtu, për t'i kontribuar me kontribute reciproke forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, paqes, stabilitetit dhe integrimeve të gjera europiane që kanë përfshirë rajonin tonë.

Në këtë kontekst, sa u takon efekteve të ligjit të luftës, siç kam raportuar në Kuvend një vit më parë, më lejoni të rikujtoj se problemet dhe çështjet me interes për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe në marrëdhëniet e tyre me Greqinë fqinjë i kam ngritur zyrtarisht në takime me Kryeministrin dhe autoritete të tjera greke. Qëndrimi publik i qeverisë greke ka qenë e mbetet; "çështja e ligjit të luftës është zgjidhur pëfundimisht politikisht dhe juridikisht sepse tashmë ekziston një traktat miqësie dhe bashkëpunimi midis dy vendeve i ratifikuar nga të dy Parlamentet".

Për zgjidhjen e problemeve pasurore të lidhura me sekuestron konservative për shkak të këtij ligji politikisht në nivele të larta është rënë dakort që dy palët të vlerësojnë mundësinë e zgjidhjes ligjore dhe administrative, siç përcaktohet në nenin 15 të këtij traktati "për të hequr pengesat për gëzimin e së drejtës pasurore të njërës palë në territorin e palës tjetër". Pra për këtë çështje janë mënjanuar pengesat e karakterit politik.

Tashmë problemet kanë zbritur nga retorika populiste në zgjidhje të rrafshit teknik apo administrativo-juridik. Në këtë drejtim, mbi bazën e një aktiviteti të dendur diplomatik kam urdhëruar dhe është mundësuar krijimi i një grupi pune të palës shqiptare të përbërë nga ekspertë të fushës juridike dhe përfaqësues të disa institucioneve, Ministria e Jashtme, e Drejtësisë, Ministria e Rendit, Ministria e Financave, Fakulteti i Drejtësisë, Avokatura e Shtetit dhe juristi i ish-shoqërisë komisionare të Shqipërisë e njohur me problemin në fjalë. Ky grup është i përgatitur të plotësojë dosjet zyrtare për këto çështje dhe të shqyrtojë me palën greke procedurat juridike dhe lehtësirat administrative që do t'u ofrohen shtetasve për zgjidhjen e pretendimeve legale. Ne kemi kërkuar dhe kemi arritur që edhe pala greke të angazhohet për fillimin sa më parë nga puna të komisionit të përbashkët për këtë qëllim.

Dua të bëj me dije se një nga shkaqet e mosfillimit të derisotëm të punës së këtij komisioni dypalësh lidhej thelbësisht me faktin se vetë Greqia hyri dhe sapo përfundoi një proces zgjedhor të radhës. Më rezulton se shumë shpejt do të fillojnë takimet e rregullta në nivel ekspertësh, që do të na japin një kuadër të plotë e realist për zgjdhjen e problemit në fjalë. Në këtë proces ne jemi nisur nga parimi se një ekspertizë e hollësishme dhe profesionale do të mundësojë që ky argument të mos vazhdojë të sillet apo përsillet vetëm në nivele politike a propagandistike, ku spekullimet kanë qenë prezente dhe politikat tradicionaliste spekulative nuk kanë prodhuar ndonjë zgjidhje.

- Përsa i përket pyetjes së dytë, lidhur me informacionin se si është zbatuar nga Qeveria Shqiptare pika e 4-t e Rezolutës, që në dokumentin që ju i referoheni shprehet se "u bëhet thirrje qeverive të dy vendeve që mbi bazën e një vullneti politik të udhëhequr nga fryma e mirëbesimit të punojnë për gjetjen e zgjidhjeve racionale dhe të kënaqshme të çështjes së pronësisë çame në Greqi". Për këtë pikë, për të cilën ju bëni fjalë, më rezulton se nuk është pjesë e rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 12 qershor 2003.

Megjithatë, në vijim të asaj ç'ka informova më sipër, dëshiroj të theksoj se ekziston një frymë serioze bashkëpunimi dypalësh në dobi të heqjes së pengesave për gëzimin e pasurive të shtetasve së njërës palë në territorin e palës tjetër.Çështja e pasurive të shqiptarëve, nuk besoj se ka ndonjë kontestim se çamët janë shqiptarë, sikundër nuk besoj se ka ndonjë kontestim se çështje pasurore nuk kanë vetëm shqiptarët çamë në Greqi, gëzon mirëkuptim dhe angazhim politik të të dy qeverive për të identifikuar me punë të përbashkët lehtësi dhe procedura për zgjidhjen e kontesteve legale.

-Pyetja e tretë, si është zbatuar paragrafi në dokumentin tuaj, që lidhet me,- citoj dokumentin tuaj: "shkollimin në gjuhën amtare të shqiptarëve në Greqi".

Në Greqi jetojnë dhe punojnë rreth 650 mijë shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve tashmë të legalizuar e të integruar në shoqërinë greke, falë vullnetit të krijuar me bashkëpunimin dypalësh dhe me një kuadër ligjor mbështetës që ka aprovuar edhe Parlamenti i Republikës së Greqisë. Sipas të dhënave të freskuara së fundi, në Greqi janë rreth 60 mijë fëmijë shqiptarë, që ndjekin shkollat në nivele të ndryshme. Me një studim të realizuar së fundi, mbi nivelin e arsimit të emigrantëve në Greqi rezulton se komuniteti shqiptar zë vendin e parë në ndjekjen e arsimit në të gjitha nivelet në krahasim me komunitete të tjera emigrantësh rezidentë.

Vitin e kaluar u nënshkrua Programi i Bashkëpunimit Kulturor 2003-2005 midis qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, me qëlllim thellimin e bashkëpunimit në fushat e kulturës, të arsimit e të shkencës. Ky program parashikon bashkëpunimin midis universiteteve shqiptare dhe atyre greke me shkëmbime petagogësh, aktivitete të përbashkëta, shkëmbime informacioni për njohje reciproke të sistemeve arsimore, akordim bursash etj.

Për mësimin e gjuhës shqipe pala greke mbi bazën e një programi është angazhuar për futjen e gjuhës shqipe edhe në universitetin e Athinës, krahas universitetit të Selanikut e Janinës, ku katedrat e gjuhës shqipe janë çelur tashmë, si dhe mundësinë e mësimit të gjuhës shqipe të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në Greqi me klasa të veçanta në shkolla greke.

Në shkollat publike greke është lejuar me ligj funksionimi i klasave të veçanta për nxënësit e huaj për mësimin e gjuhës së tyre amtare. Me interesimin tonë Ministria e Arsimit të Greqisë ka bërë të mundur mësimin e gjuhës shqipe në disa shkolla publike greke me klasa të veçanta, në komplekse shkollore të qyteteve Athinë, Kretë, Volos, Patra, Selanik, Larisa etj. procesi është në thellim. Janë hapur klasa pothuajse në të gjitha licetë e qyteteve kryesore. Pjesëmarrja e tyre nëpër këto klasa realizohet me vullnetin e lirë të vetë fëmijëve shqiptarë. Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe ajo e Arsimit kanë punuar dhe siguruar në vazhdim tekstet shkollore në gjuhën shqipe. Është për t'u përshëndetur me këtë rast gjithashtu donacioni me abetare dhe tekste shkollore i shtëpisë botuese Toena.

Në legjislacionin grek për arsimin nuk ka ndonjë pengesë ligjore për çeljen e shkollave të huaja private a shtetërore. Kemi identifikuar si mundësi shkollimi në gjuhën shqipe mbështetjen për hapjen e shkollave private. Me një vlerësim paraprak sipas studimit të kryer del e nevojshme çelja e mbi 100 deri 120 shkollave private, të cilat ju ftoj të gjithëve t'i nxisim më shumë në këtë sipërmarrje. Këto janë zgjidhje reale, që po i siguron qeveria që unë drejtoj, në të mirë të qytetarëve shqiptarë kudo që ata ndodhen.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›