Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar takime të veçanta me ministrin Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda, dhe me ministrin e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi, si dhe përfaqës
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar takime të veçanta me ministrin Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda, dhe me ministrin e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi, si dhe përfaqësues të tjerë të këtyre ministrive, në kuadër të takimeve të punës që Kryeministri po zhvillon me titullarët e dikastereve, lidhur me realizimin e matricave që kanë të bëjnë me objektivat dhe prioritetet e Qeverisë për periudhën Janar-Mars 2004.
Në takimin me Ministrin e Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda, është vlerësuar fakti që kjo ministri i ka përmbushur detyrat e programuara dhe se kjo periudhë është shoqëruar me një menaxhim të mirë të burimeve hidroenergjitike, plotësimin e targeteve nga ana e KESH-it, përmirësimi i furnizimit me energji të popullatës, dhe rezultate në ecurinë e reformave sipas sektorëve.
Ministri Doda është ndalur fillimisht në nënshkrimin e marrëveshjes me BB prej 25 milionë dollarësh për ndërtimin e TEC-it të ri të Vlorës, si dhe në vazhdimin e angazhimit për krijimin e parkut industrial-energjitik në Vlorë, ku ka filluar puna për zgjedhjen e kompanisë konsulente.
Lidhur me reformën në ristrukturim, Ministri Doda u ndal në krijimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (TSO) për të cilin është ngritur edhe Këshilli Mbikqyrës. Po ashtu, Z.Doda u shpreh se është realizuar konsolidimi i 8 Zonave Elektrike të Shpërndarjes dhe kalimi i tyre në 4 Distrikte, si dhe në përcaktimin e marrëdhënieve të TSO dhe strukturave të prodhimit dhe njëkohësisht edhe me ato të shpërndarjes.
Ministri Doda tha se për vitin 2004 KESH ka një program investimesh me vlerë prej 12.749 milionë lekësh. Në këtë kuadër është duke u zbatuar implementimi i projekteve në vazhdim si dhe janë në fillim të implementimit disa projekte të reja. Kështu, vazhdon procesi i rehabilitimit të HEC-eve të kaskadës së Drinit e Matit, si dhe HEC Bistriva 1. Po ashtu, vazhdon lëvrimi i kabllove dhe kabinave elektrike për rrjetin shpërndarës të qyteteve të Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës, si dhe lëvrimi i matësave të financuar nga Banka Botërore. Ndërkohë, ka filluar impelentimi i fuqizimit të 7 nënstacioneve dhe është pregatitur dokumentacioni për fillimin e fuqizimit në rajonet Durrës, Elbasan, Berat.
Lidhur me sektorin hidrokarburor, Ministri Doda u shpreh se po punohet për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe për përpjesëmarrjen e tyre në procesin e privatizimit të këtij sektori. Sipas Ministrit Doda, viti 2004 do të konkretizojë privatizimin e disa shoqërive publike të naftës.
Për marrëveshjet hidrokarbure në aktivitet në blloqet e kërkimit të menaxhuara nga AKH dhe Albpetrol sh.a., ministri Doda tha se ka filluar shpimi i pusit Kanina 1 në zonën e Vlorës si dhe puna me Kompaninë OMV dhe Lundim Petroleum në zonën e Shelfit detar, ndërkohë që po punohet për marrëveshjen hidrokarbure të Patos Marinzës, si dhe për marrjen në dorëzim nga Albpetrol sh.a. të zonës së kontratës.
Në fund të takimit me Z.Doda, Kryeministri Nano ka kërkuar vazhdimin e punës për zbatimin e fazave të mëtejshme të strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe të Planit të Veprimeve të Sektorit Elektro-Energjitik. Z.Nano ka kërkuar në mënyrë të veçantë, implementimin e plotë të fillimit të punimeve të TEC-it të Vlorës si dhe të projekteve të zbatimit të zonës Industriale Energjitike të Vlorës. Po ashtu, Kryeministri ka kërkuar përmirësimin e punës për privatizimin e Kompanive të naftës si dhe realizimin e investimeve në Sektorin Energjitik, Minerar, Hidrokarbur dhe Industrinë Joushqimore.
***
Në takim me Ministrin e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit u diskutua mbi realizimin e matricës së kësaj ministrie për tremujorin e parë të këtij viti, ku në kuadrin e përmirësimit të legjislacionit, Ministri Blushi bëri të ditur se janë paraqitur në Këshillin e Ministrave dhe miratuar prej tij, disa projektligje të rëndësishme dhe pritet tashmë miratimi i tyre në Kuvend. Kështu, është miratuar nga Këshilli i Ministrave projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për kuadrin rregullator të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura", projektligji "Për disa amendime në ligjin "Për gjendjen civile", projektligji "Për disa shtesa në ligjin "Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike në infrastrukturë", ndërkohë që po punohet për hartimin e projektligjit "Për auditin në organet e qevrisjes vendore".
Sipas Ministrit Blushi, është miratuar në Këshillin e Ministrave edhe shtesa në vendimin "Për tarifat e gjendjes civile", si dhe po punohet për përfundimin e përgatitjes së shtesës në vendimin e Këshillit të Ministrave "Për liberalizimin e tarifave të ujit të pijshëm".
Kryeministri Nano pasi vlerësoi punën e bërë deri tani për plotësimin e kuadrit ligjor në fushën e funksionimit të pushtetit vendor dhe të delegimit të kompetencave nga pushtetit qëndror në atë lokal, kërkoi që të peëshpejtohen hapat për vënien në efikasitet të këtij kuadri të hartuar apo miratuar.
Lidhur me realizmin e matricës për investimet publike, Ministri Blushi tha se gjatë këtij tremujori nga të gjitha njësitë e qeverisjes vendore po kryhen procedurat e prokurimit të fondeve konform dispozitave ligjore për prokurimin e fondeve publike.
Përsa i përket imvestimeve me burim të huaj financimi, Ministri Blushi u ndal veçanërisht në ecurinë e grantit grek "Investime në infrastrukturë rurale", ku deri tani është prokuruar dhe lidhur kontrata për rreth 95% të fondit, kanë përfunduar 8 projekte, janë kryer 50% e punimeve për 6 projekte të tjerë, kanë filluar punimet 9 projekte, ndërsa 2 projekte të tjerë janë në procedurë prokurimi.
Ministri Blushi u ndal veçanërisht në procesin e përmirësimit të punës në sistemin tradicional të gjendjes civile, ku është realizuar amendimi i ligjit "Për gjendjen civile" dhe vendimi i Këshillit të Ministrave "Për tarifat e çertifikatave në gjuhë të huaj" dhe është në proces rishikimi në tërësi i paketës ligjore për gjendjen civile dhe hartimi i një akti nënligjor, për të përcaktuar destinacionin e çertifikatave. Po ashtu, është në hartim një akt ligjor për çrregjistrimin e personave të vdekur, të lindur para datës 1.01.1904.
Të rëndësishme u cilësuan në takim edhe hapat e hedhura deri tani për ngritjen e sistemit të kompjuterizuar të gjendjes civile, ku deri tani është realizuar studimi i fizibilitetit të kompjuterizimit të Shërbimit të Gjendjes Civile, nëpërmjet studimit të kompanisë franceze VALTECH, si dhe ndjekja e procesit të përditësimit të të dhënave në disa zyra të gjendjes civile në Tiranë. Po ashtu, është në proces bashkëpunimi me UNOPS, për kompjuterizimin e zyrave të Bashkive Durrës dhe Shkodër.
Lidhur me decentralizimin e kompetencave për ujin dhe kanalizimet, gjatë mujave të fundit është miratuar nga Këshilli i Ministrave transferimi i 60 sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve në 29 njësi të qeverisjes vendore, ndërsa në fushën e arsimit ka filluar zbatimi i projektit pilot për transferimin e kompetencave për investimet në arsim, në Bashkinë e Tiranës.
Ndërkohë, ministri Blushi u ndal edhe në zbatimin e projektit pilot në tetë njësi vendore për të përmirësuar shpërndarjen e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë.
Kryeministri në përfundim duke vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm fillimin e financimit të projektit për modernizimin dhe informatizimin e Shërbimit të Gjendjes Civile ka kërkuar dinamizimin e kontakteve me autoritetet lokale në funsksion të decentralizimit në komponentë të ndryshëm apo në ndërhyrjet ligjore të mëtejshme në këtë funksion. Gjithashtu, zoti Nano është shprehur për aktivizimin dhe nxitjen e të gjitha resurseve në të gjitha njësitë vendore në territor për të realizuar projekte që zhvillojnë komunitetet dhe territoret e tyre.