Të nderuar pjesëmarrës, Rëndësia e veçantë që elementët e planifikimit dhe kontrollit të territorit po paraqesin në fazën ku kemi hyrë në kuadër të zhvillimit me ritme dhe performan
Të nderuar pjesëmarrës,
Rëndësia e veçantë që elementët e planifikimit dhe kontrollit të territorit po paraqesin në fazën ku kemi hyrë në kuadër të zhvillimit me ritme dhe performancë perëndimore sociale dhe ekonomike të vendit, duke qenë pjesë integrale e vizionit tonë qeverisës, bën të domosdoshëm një avancim progresiv të objektivave në këtë fushë, duke formësuar politika urbane të afta për të ndërthurur nevojat akomoduese imediate të popullatës, me ato të zhvillimit afatgjatë e të shëndetshëm të vendit.
Trysnia e aksionit të vazhdueshëm politik dhe ekzekutiv që kemi ndërrmarrë me këtë rast, na bën të vërejmë me optimizëm se, gjithnjë e më tepër, po krijohet klima e përshtatshme për kapërcimin e mënyrës së veprimit me aksion apo me fushata, dhe, për të frenuar abuzivizmin me autoritet të ligjit dhe të organizmave që impelmentojnë programe të zhvillimit.
Efektet e ushtrimit shumëplanësh të kontrollit mbi territorin nëpërmjet instrumenteve administrative dhe teknike, po japin tashmë një efekt të dëshiruar domino', që përveç industrisë së ndërtimit, po zhvillon e përfshin edhe sektorë jetikë të ekonomisë sonë të qëndrueshme siç janë tregu bankar, ai i sigurimeve, tregu fiskal etj. Ka patur zhvillime të rëndësishme kohët e fundit në këtë fushë.
Ligji i legalizimeve të shtesave në ndërtime, i cili erdhi pikërisht në momentet kur abuzivizmit dhe ndërtimeve pa leje në qytete dhe qendrat e tyre, si rezultat i ushtrimit të këtij kontrolli, po i vinte fundi, përveçse, do t'i japë buxhetit të shtetit rreth 600 milion lekë të reja, është treguesi i qartë se një epokë është mbyllur përfundimisht, që do të thotë se po merr fund VETEGJYGJËSIA URBANE dhe masakra spontane në qytetet tona.
Kjo nuk mund të mos të na bëjë të gjithëve autoritete qëndrore dhe lokale optimistë për t'iu kthyer një tjetër sfide, asaj të mbërritjes së të njëjtit objektiv edhe në zonat informale, kryesisht atyre suburbane e rurale, gjithnjë me synimin final të realizimit e standarteve bashkëkohore edhe për to dhe që banorët e tyre t'i largohen çdo ditë e më shumë izolimit me mjete legale.
Ky proçes kompleks që parashikon edhe legalizimet së shpejti të këtyre zonave, sanksionuar me ligj dhe mbështetur mbi principet moderne të zhvillimit, do të kulmojë brenda këtij viti edhe me decentralizimin e organeve të kontrollit fizik e ligjor mbi territorin urban, duke shënuar qartë një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të situatës dhe për rrjedhojë krijimit të kushteve të përmirësimit të iniciativave publike dhe private të cilësisë së jetës.
Ndërkaq, mundësia që shteti po i krijon industrisë së ndërtimit për hipotekimin e objekteve që në fazën e karabinasë, përvec krijimit të një mundësie kolaterali në tregun bankar dhe financiar që superon ndjeshëm gjysëm miliardi dollarë, vë në lëvizje dhe gjallëron një botë të tërë, një treg të tërë që vërtitet rreth industrisë së ndërtimit e cila po vjen gjithnjë e më mirë në qëndrueshmëri dhe cilësi të kohës.
Do doja të theksoja faktin se, përveçse i japin arkës së shtetit rreth 6 milion dollarë, ku përfshihet taksa e legalizimit, taksa e hipotekës dhe taksa e urbanizimeve, shumë e cila do të përdoret për politika strehimi etj, si rezultat i hipotekimit të tyre, do të kemi një rritje të menjëhershme të tregut të kapitalit me një shumë prej afro 41 milion dollarësh.
Me një llogaritje të thjeshtë, duke u nisur vetëm nga objektet që kanë përfunduar ndërtimin e karabinasë ose janë në përfundim të tyre, rezultojnë aktualisht mbi 1,5 milion m2 ndërtime ose rreth 250 milion dollarë, shifër kjo e identifikuar në bashkëpunim me Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë. Krijimi i mundësisë, për hipotekim në karabina, në kushtet e tregut bankar që po aktivizohet gjithnjë e më mirë, krijon një mundësi kolaterali, pra, prej afro 250 milion USD të tjerë, me një mundësi kreditimi potenciale të ndërtuesve prej rreth 170 milion USD, duke krijuar në këtë mënyre efekte shumëfishimi për mundësi kreditimi për blerje banesash ose lokalesh shërbimi, të cilat brenda një periudhe 18 mujore do të zgjerojnë tregun e kapitaleve dhe titujtve të tregtueshëm që hipotekohen me vlerë rreth 650 milion USD.
Nga ana tjetër, dua të theksoj se ky proces u bë i mundur, jo nga dëshira subjektive e Kryeministrit e as nga trysnitë e kompanive private, por nga krijimi gradual i kushteve që bëjnë të mundur e garantojnë funksionimin e tregut, të ligjit dhe të procesit në të gjitha hallkat e tij: planifikimi, dhënia e lejeve e licensave, nxitja e interesit të institucioneve financiare dhe vendosja e autoritetit të ligjit në këtë fushë. Këtu vlen të arrijmë së bashku tek konkluzioni se ky është rezultat i politikave kostante dhe koherente që kanë si busull zhvillimin sipas standarteve perëndimore të jetës urbane dhe të cilësisë së jetës së shtetasve të Shqipërisë.
Kjo situatë e re e krijuar ka rritur ndjeshëm edhe besimin e kompanive private ndaj garancive që jep shteti në treg, por edhe në besimin e shtetit ndaj tyre, pasi respektimi i rregullave ka rezultuar me përfitim të ndërsjellë. Në instancë të fundit është në dobi të vetë komunitetit, i cili tradicionalisht ka mbajtur peshën e konflikteve artificiale apo të përplasjes midis aktorëve që krijojnë ofertë dhe kërkesë.
Faleminderit!