Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Jashtme, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin Ekonomik e Social të Kombeve të
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Jashtme, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin Ekonomik e Social të Kombeve të Bashkuara. Në këtë ceremoni morën pjesë, përfaqësues të Trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të shoqërisë civile, etj.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Nano u shpreh:
"Është një kënaqësi e veçantë për mua që marr pjesë në këtë ceremoni kuptimplote të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme me rastin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Këshillin Ekonomik e Social të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2005-2007. Duke qenë se për herë të parë vendi ynë bën pjesë në një strukturë kaq të rëndësishme që trajton çështje globale të karakterit ekonomik e zhvillimit social, kjo ngjarje për të gjithë shqiptarët mund të vlerësohet me krenari dhe dinjitet si një datë e shënuar në historikun e marrëdhënieve të Shqipërisë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Për ne është një stimul i rëndësishëm ky hap që solli anëtarësimin e Shqipërisë në ECOSOC. Ai na nxit për të marrë përsipër angazhime edhe më të mëdha ndërkombëtare me dimensionet që ka vendi, duke synuar të rrisim dhe përdorim ashtu si deri sot, me moderacionin që kërkon politika bashkëkohore, përfaqësimin tonë në struktura dhe organizata shumëpalëshe ku bëjmë pjesë. Ky është një fryt i përpjekjeve të diplomacisë shqiptare dhe gjithashtu një dëshmi e vlerësimit të komunitetit ndërkombëtar ndaj progresit të vendit në rrafshin politik, ekonomik, shoqëror dhe vecanërisht në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut.
Ne u ofrojmë partnerëve ndërkombëtar dhe organizatave shumëpalëshe, një stabilitet politik dhe rritje të qëndrueshme ekonomike, një progres të qartë të konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike. Kjo është dhe arsyeja dhe terreni mbi të cilin ne shprehim angazhimin për të marrë përballë jush më shumë detyra që do të shënojnë progres të mëtejshëm për të kapur standartet e Bashkimit Europian dhe të NATO-s në fushat sensitive të zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Ne ndihemi më të përgatitur për të përafruar në programet tona politike, ekonomike dhe shoqërore, standartet e integrimit me objektivat e zhvillimit të mijëvjecarit të OKB-së. Unë besoj se ndajmë të njëjtin arsyetim se ky zhvillimim që solli anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin Ekonomik e Social të OKB-së, përbën edhe një vlerësim për politikën e jashtme të shtetit shqiptar dhe për rolin kontruktiv të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë.
Per këtë arsye, unë ju garantoj se do ta përdorim praninë në ECOSOC, ashtu si përfaqësimin në nivelet e tjera, për të konsoliduar rolin aktiv dhe politikën konstruktive në kuadrin rajonal, por duke shprehur gjithashtu qartë dhe pa ekuivoke perspektivën europiane të mbarë vendeve të rajonit.
Ne marrim përsipër që ta shfrytëzojmë përfaqësimin në ECOSOC për të mbështetur të gjitha inicativat dhe aktet që shqyrtohen në këtë forum në dobi të të gjitha vendeve të rajonit por me mundësitë tona modeste edhe në dobi të vendeve të BE-së.
Duke qenë se po ndjejmë si vend efikasitetin e programeve globale edhe të atyre që koordinon OKB, për ngushtimin e hendekut midis vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim, ne do të angazhohemi që këtë përvojë dhe këtë stimul të rëndësishëm që vjen nga OKB ta shtrijmë edhe në dobi të realiteteve përreth.
Ne e kemi kuptuar tashmë se anëtarësimi në ECOSOC na ngarkon me më shumë detyra dhe përgjegjësi, jo vetëm diplomacinë por edhe strukturat e tjera të shtetit shqiptar.
Më lejoni ta shfrytëzoj këtë takim për t'u shprehur mirënjohjen time dhe të Qeverisë përfaqësuesve të të gjithë atyre vendeve që na mbështetën me votën e tyre që shprehën kështu besimin për koherencën e anëtarësimit të Shqipërisë në ECOSOC.
Më lejoni gjithashtu të përgëzoj drejtuesit dhe gjithë strukturën e shërbimit të jashtëm shqiptar që me profesionalizëm dhe përkushtim arritën një sukses, duke fituar një sfidë, një nga sfidat që diplomacia shqiptare përballon, duke ushtruar misionin e vet fisnik".