Kryeministri Fatos Nano i ka dërguar një mesazh urimi Kryeministrit te Republikës së Turqisë Recep Taip Erdogan, me rastin e hapjes së nëgociatave të anëtarësimit të Turqisë në BE. NÃ
Kryeministri Fatos Nano i ka dërguar një mesazh urimi Kryeministrit te Republikës së Turqisë Recep Taip Erdogan, me rastin e hapjes së nëgociatave të anëtarësimit të Turqisë në BE.
Në këtë mesazh thuhet:
"Me emocion të veçantë mora lajmin për vendimin e marrë në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe të Qeverive të vendeve anëtare të BE-së, për të hapur negociatat e anëtarësimit me Turqinë. Jam i gëzuar sepse një vend mik si Turqia që ka dhënë një kontribut të vyer në historinë dhe qytetërimin botëror do të ketë mundësi të evidentojë vlerat e tij në një formë tashmë të re, përmes negocimit të aderimin në BE. Ky vendim është rezultat i qartë i punës Suaj të suksesshme dhe i progresit të reformave në vend gjatë drejtimit të Qeverisë nga ana Juaj.
E vlerësoj të drejtë dhe historik këtë vendim, i cili megjithëse pas disa dekadash hezitimi, presioni, sfidash dhe reformash të thella, i jep mundësi Turqisë të zërë vendin që meriton në familjen europiane. Gjithashtu ky vendim është historik edhe për vetë BE-në, sepse liderët e vendeve anëtare me kurajo dhe vizion historik të projektuar drejt së ardhmes vendosën të rrisin shkallën e diversitetit ekonomik, kulturor e religjioz të Unionit. Ky vendim historik i BE-së do ta rrisë edhe më shumë rolin e rëndësishëm dhe të konfirmuar të Turqisë në rajon e më gjerë.
Shqipëria e përshëndet përzemërsisht këtë vendim, sepse konfirmon edhe një herë që politika e dyerve të hapura e BE-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen për vendet e rajonit tonë. Jam i bindur se nën lidershipin Tuaj, Turqia do të ecë përpara me kurajo dhe do të kryejë me shpejtësi reformat e nevojshme, të cilat do të shpien në mbyllje të suksesshme e në një kohë sa më të shkurtër të negociatave të aderimit. Me anëtarësimin e plotë të Turqisë në BE, Shqipëria është e sigurt se do të ketë një mik tjetër të sinqertë dhe mbështetës në procesin e pakthyeshëm të anëtarësimit të saj në gjirin e familjes së madhe europiane.
Edhe njëherë më lejoni i dashur mik, që në emrin tim personal, të Qeverisë që unë drejtoj dhe popullit shqiptar t'Ju përcjell urimet e mia më të ngrohta për mirëqenien dhe begatinë e popullit mik turk dhe suksese të mëtejshme në detyrën Tuaj fisnike",- përfundon mesazhi i Kryeministrit Fatos Nano