Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë e përfundimit të segmentit të ri të rrugës Elbasan-Rrogozhinë, me një gjatësi 30 km, bypass-it të Peqinit, si dhe inagurim
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë e përfundimit të segmentit të ri të rrugës Elbasan-Rrogozhinë, me një gjatësi 30 km, bypass-it të Peqinit, si dhe inagurimit të mbikalimit të hekurudhës, të cilat janë pjesë të Korridorit 8 dhe kanë kapur një vlerë investimi prej 34 milionë Euro nga buxheti i shtetit dhe Banka Europiane e Investimeve. Kryeministri Nano gjithashtu inspektoi dhe ndoqi nga afër volumin e punimeve në segmentin pasues të kësaj rruge.
Në këtë aktivitet Kryeministri Nano u shpreh:
"Po shtrohen edhe 30 km rrugë të standarteve ndërkombëtare, që bashkohen këtu në kërthizën e Shqipërisë, me njerëz nga më të mirët e saj. Kjo rrugë është pjesë e Korridorit 8-të dhe shton mbikalime të tilla moderne, vepra arti dhe 30 km rrugë moderne të Korridorit 8-të.
Kjo pjesë rruge është shembulli i një sipërmarrjeje të parealizuar ndonjëherë më parë dhe jep shembullin e vendosmërisë së ekzekutivit për ta mbyllur sa më parë edhe dëmin që shkaktoi ndërprerja e punimeve nga një firmë jo shumë serioze. Pra më shumë rrugë, më shumë ujësjellësa, më shumë lehtësi dhe shërbime për popullin shqiptar, për popullin e kësaj zone, kjo mbetet motoja dhe angazhimi i qeverisë sonë.
Këto ditë miratuam edhe Planin Kombëtar të Transportit, një plan afatgjatë për zhvillimin e të gjithave lëvizjeve në infrastrukturat shqiptare për një periudhë 20 vjeçare. Do të vazhdojmë të përmirësojmë rrugët dhe infrastrukturat e lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave, për t'i sjellë në standartet e rajonit dhe të Europës dhe për të shpejtuar zhvillimin, për të shtuar punësimin, për të zbutur varfërinë dhe për të eleminuar zhvillimin e pabarabartë.
Këtu jemi në bypass-in e Peqinit, i cili në këtë rrugë shoqërohet me mbikalim hekurudhor, mur mbajtës, tombino, punime dherash, vendosje shtresash, sinjalistikë dhe punime të tjera ndihmëse që kanë kushtuar 34 milion euro. Financimet janë bërë nga Banka Europiane e Investimeve dhe nga buxheti i shtetit.
Qeveria është e vendosur të vazhdojë të realizojë me transparencë të plotë projekte moderne të infrastrukturës së vendit dhe përballë atij krahu që vetëm ankohet, vetëm flet për korrupsion, vetëm nuk votohet, ne do të vazhdojmë të zhvillojmë vendin dhe të lidhim njerëzit me njëri-tjetrin.
Unë dua të përshëndes edhe numrin gjithnjë e në rritje të kompanive vendase, me kapital shqiptar, që po marrin pjesë në realizimin e projekteve të tilla të rëndësishme rrugore. Nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë edhe reformën e legjislacionit dhe të institucioneve që administrojnë infrastrukturën rrugore për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin midis kapitalit publik dhe kapitalit privat, edhe mirëmbajtjen e tyre dhe për të vazhduar zhvillimin e vendit me ritme të shpejta.
Besoj e mbani mend, para 7 vjetëve vendosëm, për shkak të vullnetit tuaj, të marrim pushtetin nga duart e regjimit shkatërrues të Berishës për të rindërtuar këtë Shqipëri moderne që po gëzojmë së bashku. Gjetëm vetëm 5 km autostradë. Sot gjatësia e rrugëve nacionale, të bëra nga e para apo të riparuara dhe të sjella në standartet moderne janë 500 km. Me një punë të organizuar mirë, me një numër të madh projektesh ne do të vazhdojmë të përpunojmë zhvillimet e reja, sepse janë gati për t'u vënë në zbatim dhe për t'u financuar projektet për rrugët Vorë-Fushë Krujë, Lushnje-Fier, Fier-Vlorë, Tepelenë-Gjirokastër, Qafë Thanë-Pogradec-Korçë, rruga e Arbrit dhe rruga që lidh Durrësin me Kosovën.
Më lejoni të falenderoj këtu edhe kompaninë e vendit fqinj "Granit"-in maqedonas, që përveç punës që ka filluar dhe po vazhdon të kryejë me sukses ka sjellë edhe përvojë edhe teknologji moderne në ndërtimin e rrugëve në Shqipëri.
E gëzofshim së bashku rrugën e re dhe rrugën e integrimit europian të Shqipërisë!"