Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në përurimin e fillimit të aktivitetit të tre agjencive partnere me biznesin vendas dhe atë të huaj, Agjencia për Nxitjen e Investimeve të
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në përurimin e fillimit të aktivitetit të tre agjencive partnere me biznesin vendas dhe atë të huaj, Agjencia për Nxitjen e Investimeve të Huaja, Agjencia e Nxitjes së Eksporteve dhe Agjencia e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe Ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli, përfaqësues të trupit diplomatik të Tiranë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit vendas të huaj.
Krijimi i këtyre agjencive dhe janë tregues i qartë për rëndësinë që i ka kushtuan dhe vazhdon t'i kushtojë qeveria shqiptare mbështetjes së sektorit privat, duke e konsideruar atë si promovues të zhvillimit ekonomik e social të vendit.
Me këtë rast, Kryeministri Nano mbajti këtë fjalë:
"Jam sot këtu për të përshëndetur fillimin e aktivitetit të tre agjencive të ideuara si partnere për biznesin vendas dhe të huaj: Agjencia e Nxitjes së Investimeve të Huaja, Agjencia e Nxitjes së Eksporteve si dhe Agjencia e Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme, duke marrë si shkak përurimin e ambienteve të reja të punës, pas një periudhe përgatitore me strukturat ligjore dhe logjistike.
Krijimi i këtyre tre agjencive si dhe investimet e kryera jane tregues të qartë për rëndësinë që i ka kushtuar dhe vazhdon t'i kushtojë qeveria shqiptare mbështetjes së sektorit privat, duke e konsideruar atë si promovues të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, mbështetur kjo dhe në programin e qeverisë që unë drejtoj.
Duke qenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e proceseve integruese në kuadër të zhvillimeve rajonale e më gjërë qeveria ka formuluar politika të tilla, të cilat do t'i paraprijnë këtyre zhvillimeve. Këto politika të trupëzuara në një varg reformash institucionale dhe ligjore kanë për qëllim promovimin e një klime të përshtatshme investimi si për bizneset vendase ashtu edhe për ato të juaja.
Lëvizjet e kapitaleve dhe shërbimeve janë konsideruar dhe vazhdojnë të konsiderohen si aspekte thelbësore, të cilat mbështesin progresin ekonomik në përgjithësi. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike, në proceset integruese, në bashkëpunimin ekonomik rajonal, në stabilitetin politik.
Në këtë kuadër politikat e ndërmarra nga qeveria synojnë liberalizimin e tregtisë dhe rritjen e partneritetit me biznesin. Këto politika ekonomike të prirura drejt liberalizimit të mëtejshëm të tregtisë dhe integrimit të vendit në sistemin tregtar ndërkombëtar, do të ndihmonin në:
• tërheqjen e investimeve të huaja;
• në nxitjen e eksporteve përmes mbështetjes së prodhimit vendas e veçnërisht të prodhimeve bujqësore dhe të industrisë agroushqimore;
• në mbështetjen dhe forcimin e aktiviteteve prodhuese e tregtare të ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
Ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka sektori privat për zhvillimin ekonomik të vendit, rëndësinë që ka formulimi dhe stimulimi i politikave të tilla, të cilat do t'i jepnin atij më shumë frymëmarrje, do ta bënin atë kompetitiv përmes rritjes së cilësisë së prodhimeve dhe shërbimeve, si dhe do të ndihmonin në kapërcimin e problemeve sociale siç punësimi, ulja e nivelit të varfërisë.
Një sërë sfidash në rrafsh rajonal por edhe më gjërë kërkojnë prej nesh të jemi më largpamës dhe efikas në përpunimin e politikave që do të shërbenin për arritjen e objektivave që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe me suksesin e ndërmarrjeve dhe iniciativave private, ku më të spikaturat janë.
• sfida që ka të bëjë me zhvillimin e vendit përmes procesit të integrimit;
• dhe sfida që ka të bëjë me zhvillimin e sektorit privat.
Ndër masat e ndërmarra nga qeveria për të lehtësuar përballjen me këto sfida mund të përmenden, firmosja e marrëveshjeve të tregtisë së lirë me vendet e rajonit, përsosja e legjislacionit shqiptar në përputhje me zhvillimet aktuale, formulimi i politikave të përshtatshme për biznesin vendas dhe të huaj etj.
Dhe rezultatet e këtyre politikave nuk kanë mungur.
Në Shqipëri operojnë sot një numër i konsiderueshëm i shoqërive të huaja. Biznesi i huaj madje dhe nga vende të fuqishme si Gjermania, SHBA, Italia, Austri, Greqi etj. është i pranishëm në vend. Mund të përmendim këtu investimet për Aeroportin e Rinasit, linjën hekurudhore Tiranë-Durrës, segmente të rëndësishme rrugore në jug dhe veri të vendit, investimet në portin e Durrësit dhe atë të Vlorës, si dhe një sërë pjesëmarrjesh të tjera të investitorëve strategjikë në vendin tonë.
Vetëm para pak kohësh u privatizua Banka e Kursimeve, me një investim serioz nga Banka Austriake RZB. Prezenca e saj në tregun bankar shqiptar do të rrisë konkurencën, por njëkohësiosht kjo do të shoqërohet me rritjen e cilësisë së shërbimeve bankare në vend, si dhe futjen e praktikave bashkohore bankare aq të domosdoshme për zhvillimin e bizneseve.
Përveç këtyre arritjeve qeveria ka realizuar projekte të rëndësishme për privatizimin në një të ardhme të afërt të INSIG-ut, të Albtelekomit et. Interes për të marrë pjesë në privatizimin e sektorëve strategjikë përveç bizneseve vendase kanë shprehur edhe mjaft kompani të huaja.
Dekadat e fundit kanë bërë të qartë se investitorët e huaj preferojnë të investojnë në ato vende të cilat kanë vendosur një stabilitet politik dhe ekonomik afatgjatë dhe që me politikat që ndjekin e garantojnë këtë edhe në të ardhmen, vendosja e këtyre parametrave ëprbëjnë objektivat kryesore të programet të qeverisë.
Tërheqja e investimeve të huaja përbën një komponente të rëndësishme të zhvillimit të sektorit privat në Shqipëri. Faktorë të tjerë që parashikohen të ndikojnë pozitivisht në rritjen e investimeve të huaja janë vazhdimi i procesit të privatizimit, përmirësimi i infrastrukturës, rritja e sigurisë publike, thellimi i proceseve kooperuese-integruese në rajon e më gjërë.
Pëveç fitimeve reciproke ekonomike ne e konsiderojmë futjen e investimeve të huaja në ekonominë tonë edhe si një mundësi reale investimi për kapitalin njerëzor si dhe rritjen e kapaciteteve.
Duke përfunduar do të dëshiroja që aktiviteti i agjencive për vitin që sapo ka nisur të kalonte në një stad tjetër, duke u kurorëzuar me arritjen e rezultateve konkrete. Me një fjalë, do të shpresonim që në bashkëpunim me strukturat qeverisëse, me komunitetin e biznesit këtë vit të siguronim rritjen e fluksit të investimeve të huaja në Shqipëri, të rrisnim gamën e produkteve shqiptare drejt tregjeve të huaja, si dhe numrin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me qëllim rritjen e parametrave ekonomikë në vend".