E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në prezantimin e programeve të infrastrukturës për qytetin e Vlorës. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministri i Energjetikës Viktor Doda, mi

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në prezantimin e programeve të infrastrukturës për qytetin e Vlorës.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministri i Energjetikës Viktor Doda, ministri i Ekonomisë Anasatas Angjeli, ministri i Transporteve Spartak Poçi, Ministri i Financave Arben Malaj, deputetë, zv/ministri i Rregullimit te Territorit dhe Turizmit, etj.

Po ashtu, ishin të pranishëm përfaqësues të Bankës Botërore, BERZH, përfaqësues të biznesit të huaj që kanë projektet në këtë zonë, përfaqësues të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, përfaqësues të Pushtetit Lokal, përfaqësues të Biznesit në Vlorë, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Në fillim të takimit ka përshëndetur Kryetari i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Luan Bregasi, i cili ka vlerësuar projektet e rëndësishme që po prezantohen.

Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, Kryeministri Nano u shpreh se zgjedhja që kemi bërë për zhvillimin e projekteve industrale dhe energjetike i shërben jo vetëm zhvillimit të ekonomisë lokale, por edhe asaj kombëtare. "Është kjo politikë që ka afruar tashmë një financim prej gati 2 miliard dollarësh që për një periudhe të shkurtër do të shndërohen në objekte konkrete", u shpreh Z.Nano.

Kryeministri Nano u shpreh se institucione ndërkombëtare financiare si Banka Botërore, BEI, BERZH si dhe kompani të njohura amerikane, italiane, hollandeze etj, do të konkretizojnë projekte si TEC-i apo TEC-et, Projekti rajonal AMBO, Projekti i Depozitave të Nënprodukteve të Naftës, Pontili i ri, Qendra e stokazhit të Gazit natyror të Lëngëzuar etj. Të gjitha këto investime do të japin një impakt të fuqishëm jo vetëm në zhvillimin e Vlorës por të gjithë Shqipërisë, u shpreh Z.Nano.

"Ashtu siç gjetëm forca dhe punuam që tashmë Vlora po harrohet si qyteti i skafeve apo i trafikut klandestin të refugjateve ne duhet të punojmë sëbashku që vlerat historike të këtij qyteti me tradita të lashta të shndërohen në një potencial për investime të fuqishme, jo vetëm në ekonomi por edhe në kulturë, për të krijuar imazhin e qytetit që ofron qetësi, siguri, kushte pushimi dhe argëtimi. Vlora do të jetë qendra turistike dhe industriale më e zhvilluar në Jug të vendit, me infrastukturë moderne, me mundësi komunikimi me vendet fqinj dhe një rrugë kalimi për në vendet e tjera të Rajonit", u shpreh Kryeministri Nano.

Kryeministri ka vlerësuar gjithashtu vendimin e Parlamentit Europian për përfshirjen e Korridorit 8 në rrjetet e transportit të kontinentit, duke e bërë këtë Korridor një nga prioritetet e Bashkimit Europian për infrastrukturën.

Kryeministri u shpreh se projektet që po paraqiten sot në Vlorë do të krijojnë idenë e plotë se çfarë zhvillimi perspektiv do të ketë kjo zone. "Duke aktivizuar të gjithë iniciativat dhe të drejtat që më jep ligji si kryetar i Qeverisë jam përpjekur të nxisë, të mbështesë e harmonizojë dhe të konkretizojë çdo vendimmarrje për përshpejtimin e realizimit të projekteve në fjalë. Miratimet në qeveri, në KRRTRSH apo KRT e Qarkut e të Bashkisë kanë hapur rrugën për të krijuar infrastrukturën e domosdoshme për zhvillime të reja", u shpreh Z.Nano.

Kryeministri solli në vëmendje se KRRTRSH ka miratuar sheshin për zhvillimin e Parkut Industrial dhe Energjetik. Konfiguracioni i këtij Parku, krahas projekteve të paraqitura dhe të miratuara deri tani do të plotësohet më tej me paraqitjen sa më të shpejtë të projekteve nga institucionet përkatëse dhe biznesi privat. Deri tani pjesë e këtij Parku janë projekti i TEC-it me BB, BEI dhe BERZH me sip 14 ha, depozitat bregdetare dhe instalimet përkatëse portuale për naftë dhe nënproduktet e saj me sip 18.3 ha, si dhe Terminali dhe gjurma e naftësjellësit AMBO. Në këtë hapësirë bëjnë pjesë edhe projektet e reja të kësaj fushe si linja prodhimi apo kantjere të reja industriale që janë projektuar apo presin të fillojnë proçedurat shumë shpejt edhe nga biznesi vendas.

Kryeministri u shpreh se realizimi i projektit për modernizimin e portit të Vlorës kërkohet të përshpejtohet pasi tashmë është bërë emergjent. Studimi i Fisibilitetit të Infrastruktures së Integruar dhe Zhvillimin Ekonomik të zonës Portuale Vlorë, projekt i USTDA i hap rrugën realizimit konkret të financimit nga kooperacioni i qeverisë italiane.

Ndërkohë, Z.Nano ka kërkuar bashkëpunim të autoriteteve vendore me qeverisjen qëndrore për përshpejtimin e realizimit të projekteve. "Pushteti lokal këtu në Vlorë nuk ka pse të vonojë me përfundimin e masterplanit rregullues të qytetit të Vlorës, me miratimin e ligjit të ri për pronat të përshpejtojë sistemimin e tyre për t'i hapur rrugë urbanizimit të ri dhe ndërtimeve të reja në përputhje me to", u shpreh Z.Nano.

"Kontributi dhe vlerat qe ofron komuniteti duhet te jene pjese e psikologjise sone te re. Vloren do ta bejme se bashku", tha Kryeministri, ndërkohë që u shpreh se takimet dhe bashkebisedimet me biznesin nuk duhet të jenë në kohë fushatash për ta parë atë si mbështetës në këto raste, duke bërë edhe premtimet e rastit. Kontaktet e përditshme, mbështetja ndaj iniciatives private në dobi të zhvillimit duhet të jenë metodë e punës së drejtuesve lokale.

"Nga informacionet që kam më rezulton se jo vetëm në Vlorë kemi kapacitete të mëdha financuese të cilat duhet të thithen sa më shpejt për të shumëfishuar efektet në dobi të punësimit, rritjes së shërbimeve, prodhimit, rritjes së nivelit të jetesës. Ne duhet të shfrytezojmë çdo resurs që na çon në rritjen e treguesve të mësipërm", u shpreh Z.Nano.

Në këtë takim është bërë më pas, paraqitja e projekteve të infrastrukturës ku për Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës, kanë preznatuar projektet ministri Viktor Doda dhe z.Besim Islami, Drejtor i AKE, për Ministrinë e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, prezantimi është bërë nga zëvendësministri Artan Lame, për ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit, nga Ministri Spartak Poçi. Në prezantimin e projektit të AMBO ka qënë i pranishëm edhe Zëvendëspresidenti i AMBO-s.

Më tej takimi ka vazhduar në formën e bashkëbisedimit me komunitetin, përfaqësuesit e biznesit dhe të pranishmit e tjerë të cilët vlerësuan projektet e rëndësishëm që po prezantohen nga qeveria dhe nga investitorë të fuqishëm. Sipas tyre, realizimi i këtyre projekteve do të ndikojë në zhvillimin e shpejtë të qytetit të Vlorës dhe të gjithë zonës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›