Kryeministri Fatos Nano i ka telefonuar sot Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, pas hedhjes së një granate në rezidencën e z.Rugova në Prishtinë. Zoti Nano gjatë bisedës telefonike k
Kryeministri Fatos Nano i ka telefonuar sot Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, pas hedhjes së një granate në rezidencën e z.Rugova në Prishtinë.
Zoti Nano gjatë bisedës telefonike ka vlerësuar edhe një herë rolin dhe kontributin e Presidentit Rugova në zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe ka dënuar çdo tentativë që synon të prishë stabilitetin politik, ekonomik dhe social të Kosovës. Ai ka shprehur bindjen se asnjë tentativë nuk do të ndalë proceset demokratizuese në Kosovë.
Me këtë rast, Kryeministri Nano i ka shprehur zotit Rugova mbështetjen e qeverisë shqiptare për konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve, forcimin e demokracisë dhe përpjekjeve për përmbushjen e standarteve, që do ta përgatisin Kosovën të shkojë sa më shpejt drejt zgjidhjes përfundimtare të statusit të saj.
Pasi ka falenderuar zotin Rugova për mikpritjen që i gjithë spektri politik e shoqëror kosovar i rezervoi gjatë vizitës në Kosovë, zoti Nano, duke rimarrë ftesën që i bëri gjatë kësaj vizite, është shprehur se zoti Rugova është i mirëpritur në Shqipëri. Presidenti Rugova, nga ana e tij, ka falenderuar zotin Nano për telefonatën dhe solidaritetin dhe ka rikonfirmuar të vizitojë sa më shpejt Shqipërinë.