Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në takimin ndërmjet Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Bujqësisë së Bejrutit dhe asaj të Shqipërisë, në kuadër të intensifikimit të marrëdhëni
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në takimin ndërmjet Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Bujqësisë së Bejrutit dhe asaj të Shqipërisë, në kuadër të intensifikimit të marrëdhënieve në fushën ekonomike dhe të biznesit.
Në këtë takim, Kryeministri Nano shoqërohej nga një grup përfaqsuesish të sipërmarrjes shqiptare, të kryesuar nga z.Luan Bregasi, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë.Moren pjese gjithashtu dhe anetare te kabinetit qeveritar vendas.
Ky takim, me komunitetin sipërmarrës në fushat e tregtisë dhe industrisë, tha zoti Nano në fjalën e tij, bëhet me synimin për të forcuar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe miqësinë mes dy popujve. "Shqipëria dhe Libani janë modele se si tranzicioni bëhet më i shkurtër dhe më i lehtë kur sfidat kapërcehen në partneritet mes shtetit dhe sipërmarrjes", tha z.Nano.
Duke u ndalur në zhvillimet në Shqipëri, Kryeministri Nano bëri një prezantim të progresit në fushën e ekonomisë dhe të sipërmarrjes, ku, nënvizoi ai, për vitin e tetë rresht GDP e Shqipërisë ka një ritëm mesatar rritje prej 6% në vit, inflacioni është tërësisht në kontroll dhe nuk e ka kaluar kufirin e 4% në këto tetë vitet e fundit, politikat monetare dhe ato të kontrollit të deficitit janë të suksesshme, borxhi i jashtëm i Shqipërisë arrin në 25% të GDP ose nga më të ulëtat në Evropë, tregues që dëshmon kapacitetet e vendit për kredi dhe investime të huaja. Para 14 vjetësh në Shqipëri, shtoi z.Nano, nuk ekzistonte prona dhe sipërmarrja private, ndërsa sot ky sektor jep 75% të GDP-së.
Në Shqipëri, vijoi më tej Kryeministri, për shkak të instalimit të ekonomisë së tregut dhe standarteve moderne të konkurencës së lirë dhe të ndershme po ushtrojnë aktivitetet e tyre shoqëri të njohura ndërkombëtare si Raiffeisen Bank, e cila privatizoi bankën më të madhe në vend, Lokheed Martin, Enel, Siemens, VODAFON, Alcatel etj.
Edhe instalimi i investimit te rendesishem libanez "Seament" në Shqipëri, tha z.Nano, është një dëshmi e gjallë e progresit që ka realizuar vendi dhe i mundësive në rritje për të mirëpritur sipërmarrës dhe investitorë të tjerë nga Libani në të gjitha fushat.
Në këtë funksion, sipas z.Nano, marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve duhen të strukturohen dhe mbrohen me ligj, nëpërmejt nënshkrimit dhe zbatimit të një marrëveshjeje kuadër të bashkëpunimit ekonomik dhe tregëtar, për t'i hapur rrugë ligjeve për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve, për shmangien e tatimit të dyfishtë etj..
Kryeministri Nano ftoi kompanitë libaneze për të marrë pjesë në privatizimet e sektorëve strategjikë që qeveria shqiptare po kryen me sukses. "Brenda këtij viti do të hedhim në treg për shitje më shumë se 50% të aksioneve të shoqërisë së telefonisë fikse Albtelecom, e cila zotëroi së fundi edhe licencën e tretë të telefonisë mobile për Shqipërinë. Është në proces privatizimi sektori i prodhimit dhe përpunimit të naftës, aksionet e kompanisë publike të sigurimeve, sektori elektroenergjetik etj", tha Kryeministri. Sipas z.Nano, tërheqëse për kapitalin dhe sipërmarrjen libaneze konsiderohet edhe turizmi shqiptar, i cili ofron mundësi të shumta për investime dhe zhvillim.
Në pëfundim, Kryeministri Nano siguroi se qeveria e Shqipërisë është krejtësisht e angazhuar për të krijuar kushtet më të favorshme të sipërmarrjes në një ambjent mikpritës, që po strukturohet sipas standarteve të botës moderne, ku Shqipëria po integrohet.
Sipërmarrësit libanzë falenderuan Kryeministrin shqiptar për këtë vizitë, duke e konsideruar atë si një hap të rëndësishëm për rritjen e bashkëpunimit dhe vendosjen e kontakteve direkte midis Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë. Ata siguruan se se shpejti do të vizitojnë Shqipërinë për të parë mundësitë konkrete për të investuar.
Më pas, sipërmarrësit shqiptarë zhvilluan takime me sipërmarrës libanezë të fushave të ndryshme, për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta dhe lidhjen e kontratave, sipas sektorëve ku ato veprojnë.