Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për heqjen e taksës doganore për gazin e lëngshëm - Këshilli i Ministrave miratoi sot, në mbledhjen e tij të rradhës, nën drejtimin e Kryemi
Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për heqjen e taksës doganore për gazin e lëngshëm -
Këshilli i Ministrave miratoi sot, në mbledhjen e tij të rradhës, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, projekligjin "Për disa ndryshime në ligjin nr.8981, datë 12.12.2002, "Për miratimin e niveleve të tarifës doganore", të ndryshuar", për heqjen e taksës doganore për gazin e lëngshëm dhe elementet e tij.
Kjo masë e re është hapi i rradhës që ndërmerr qeveria shqiptare në kuadrin e politikave të saj për larminë e tregut të energjisë dhe shtimin e burimeve alternative të energjisë, çka do të çojë në lehtësimin e përdorimit të energjisë elektrike në shërbimet e përditëshme.
Në këtë funksion, heqja e kësaj takse doganore do të ndihmojë në uljen e kostos dhe çmimit të gazit të lëngshëm në treg. Gjithashtu do të ndikiojë në krijimin e lehtësirave operacionale që do të kryejnë në pikat doganore shoqëritë që importojnë dhe furnizojnë rregullisht tregun me këtë burim energjitik, që do të sjellë rritje të sasisë së gazit që hyn në vend.
Zbatimi i këtij projekligji ka një efekt financiar me një vlerë prej rreth 37-40 milion lekë në vit. Vetëm për vitin 2004 ky efekt është në vlerën e rreth 10 milionë lekëve.
Duke filluar nga viti 1999 e në vazhdim gazi lëngshëm i naftës po bëhet burimi alternativ i energjisë më i rëndësishmi dhe më i mundshmi me përdorim sa më të gjërë. Në vitin '99 janë shitur rreth 9 000 ton, bë vitin 2000 rreth 15 000 ton, në vitin '01 rreth 25 000 ton, në vitin 2002 rreth 33 000 ton dhe në vitin 2003 rreth 42 000 ton. Ky përdorim gjithnjë e në rritje i këtij burimi energjitik shprehet qartë në sasitë që kanë qarkulluar në tregun e brendëshëm në këto 4 vitet e fundit. Masa e re që sapo miratoi qeveria do të nxisë më tej përdorimin edhe më të gjërë të këtij burimi energjie.