I nderuar zoti Kryetar, Të nderuar kolegë deputetë, Qysh në fillim dua të falenderoj zotërinjtë që kanë kërkuar këtë mocion pasi, ndryshe nga ç'presin, kanë krijuar një shans më
I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar kolegë deputetë,
Qysh në fillim dua të falenderoj zotërinjtë që kanë kërkuar këtë mocion pasi, ndryshe nga ç'presin, kanë krijuar një shans më shumë për të vlerësuar dhe për t'i rritur vlerën në prag të privatizimit shoqërisë Albtelecom me transparencën që do të sjellë në Kuvend dhe në publik Qeveria nëpërmjet Kryeministrit. Prandaj uroj që edhe debati që do të pasojë të jetë i mirorientuar në këtë funksion të dobishëm ekonomiko-shoqëror dhe kombëtar.
Unë nuk kam ndërmend të dubloj punën e Komisionit të Posacëm parlamentar hetimor për cështjen e Albtelecom, apo të rilexoj këtu edhe një herë raportin e shumices. Për më shumë unë nuk jam këtu me tagrin e pronarit të Albtelecom apo të ndonjë operatori rural. Sot, ka të vërteta që nuk i nxin dot askush, që si pasojë e një politike të qartë e transparente të Qeverisë që ka sjellë ristrukturimin edhe të ndërmarrjeve të mëdha si Albtelekomi, në standartet moderne, kjo kompani sh.a. drejtohet në aktivitetin e saj nga Këshilli i vet mbikqyrës, ndërsa auditimin standart ndërkombëtar e bën një kompani prestigjoze si Deloitte & Touche. Politikat e saj që lidhen me tarifat dhe licensimet, mbrojtjen e konsumatorëve dhe të operatorëve sipas ligjeve në fuqi i administron një organ i pavarur, i zgjedhur nga ky parlament, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve. Të gjitha këto marrëdhënie sigurojnë realisht menaxhimin e kompanisë dhe transparencën e aktivitetit të saj sipas standarteve ndërkombëtare.
Ajo që një pjesë e opozitës po bën në mënyrë konsistente dhe kokeforte me Albtelecom-in në prag të privatizimit të kësaj shoqërie, nuk është gjë tjetër vecse një tentativë e dështuar për ta penguar këtë proces apo, ca më keq akoma, edhe për t'ia ulur vlerën e tregut kësaj pasurie kombëtare. Une nuk dua ta besoj ende kete, por eshtë interesante të vërehet se kjo bëhet në një kohë kur në shoqërinë dhe tregun tonë të brendshëm, po ravijëzohet një lëvizje e hapur – edhe pse e pa përkrahur - antiglobaliste e me tipare izolacionist- komuniste që po përpiqet me të gjitha mënyrat të pengojë hapjen e tregjeve dhe realizimin e një vargu projektesh dhe investimesh të huaja të rëndësishme nga kompani globale dhe shtete seriozë në Shqipëri. Ajo që po shoqëron kohët e fundit debatin dhe vendimarrjen për projekte prestigjoze si "Mediateranian Club", "General Electric", kompaninë "Italo-Albaneze" të depozitave të naftës, e kështu me radhë, është provë e amalgamës së interesave klienteliste që bashkon kjo lëvizje e politikanëve të korruptuar që mbrojnë biznese informale të dyshuara deri për lidhje me krimin e organizuar. Përkundër kësaj fryme, qeveria vazhdon punen në realizim të programit të vet ambicioz të reduktimit të varfërisë, shtimin e punesimit dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike. Ne jemi të vendosur të mbështesë pa asnjë rezervë zhvillimin tonë integrues dhe partneritetin konkurues të sipërmarrjes së shëndoshë vendase me kapitalin e madh të tregjeve globale.
Të nderuar zotërinj,
Transformimi spektakolar që maxhoranca jonë ka realizuar vitet e fundit edhe në fushën e telekomunikacioneve, minimalisht meriton heshtjen e opozitës së vjetër e cila vetem nxin cdo zhvillim. Unë nuk kam monopolin e së vërtetës absolute mbi suksesin e reformave në sektorin e telefonisë, por kjo e vërtetë është e shpërndarë në gati 1.5 milion përdorues të shërbimeve fikse dhe mobile, nga vetëm 68 mijë që ishin në kohën kur vendi qeverisej nga regjimi i piramidave.
Pra sot 50%, ose gjysma e popullsisë që jeton dhe punon në Shqipëri është përdoruese e rrjeteve të komunikimit telefonik të kohës, nga vetëm 3% që ishte aksesi i shqiptarëve në telefoni shtatë vjet të shkuar.
Liberalizimi i tregut dhe reformat strukturore të orientuara rreth privatizimit dhe jo kontrolli etatist kanë qenë e mbeten çelësi i suksesit të veprimit tonë ekzekutiv dhe ligjvënës për t'i hapur rrugë realizimit të rreth 850 milion USD investimeve publike dhe private në sektorin telefonik brenda 5 viteve të fundit.
Sot Shqipëria ka:
• 1 operator kombëtar të telefonisë fikse për zonat urbane me 240 mijë pajtimtarë dhe ky eshte Albtelekom sh.a,
• 2 operatorë dhe 1 licensë të telefonisë mobile me 1.1 milion pajtimtarë qe jane Vodafon, Amc, dhe Eagle mobile .
• 44 operatorë lokalë të telefonisë për zonat rurale me 20 mijë pajtimarë pra Hermes nuk eshte i vetem.
• 29 operatorë shpërndarës interneti me 30 mijë pajtimtarë me kontratë.
Në 12 vitet e fundit tregu i telefonisë në Shqipëri është ndikuar nga dy filozofi administrimi, rezultatet e të cilëve janë diametralisht të kundërta. Kemi politikën e mbylljes dhe të proteksionizmit që zbatoi qeveria e piramidave dhe atë të hapjes dhe të konkurencës që ka realizuar tashmë me sukses maxhoranca aktuale. Sepse synimi ynë për integrim euroatlantik, synimi ynë që vendi të bëhet pjesë e realiteteve dhe zhvillimeve globale, nuk mund të realizohet me koncepte mbylljeje dhe moskomunikimi, si brenda vendit, ashtu edhe ndaj zhvillimeve globale.
Në vitin 1992, me mbështetjen bujare të BERZH, qeverisë italiane dhe asaj zvicerane u hartua dhe miratua një masterplan për zhvillimin e Telekomit Shqiptar dhe telekomunikacioneve në tërësi. Rezultati:
Në 4 vjet (1992 – 1996) pajtimtarët lëvizën nga 40 mijë në 68 mijë, ose me gjysmën e objektivave të programit të miratuar.
Deri në vitin '95, kur celulari dhe interneti falë teknologjive dixhitale kishin pushtuar tregjet e Evropës dhe botës moderne, Shqipëria e qeverisur prej regjimit të piramidave vazhdonte të rregullonte tregun e telekomunikacionit me një ligj të regjimit komunist të vitit 1979.
Mbi 70% e centraleve të telefonisë ishin të tipit elektromekanik ose sic i mbajnë mend shqiptarët "model Alo Dedë".
Mungonte lidhja telefonike për shumicën e komunave dhe fshatrave të Shqipërisë.
Arrihej deri atje sa për nevoja politike të mbrojtjes me dhunë të regjimit të piramidave, priteshin edhe ato pak telefona e prefikse që ekzistonin sa herë që në anë të ndryshme të Shqipërisë zhvilloheshin protesta.
Në vitin '97 kur maxhoranca që unë drejtoj erdhi në pushtet, vetëm në Albtelekom gjetëm 15 milion dollarë dëme dhe humbje.
Për të kuptuar më mirë se deri ku arriti abuzimi me Telekomin Shqiptar në kohën e regjimit të piramidal le t'i referohemi audituesit ndërkombëtar Deloitte & Touche, i cili në vitin '97 pasi kontrolloi regjistrat kontabël të shoqërisë theksoi se "mungon inventari fizik i aseteve, pasurive dhe pajisjeve teknologjike"mbyll citimin e raportit. Dhe për të bërë edhe një dallim esencial me psedoakuzat për shpërdorime dhe "mafie" të instaluara në Telekom, po ju sjell një shifër krahasuese:
Në vitet 1992 deri më 1996 kostoja e vendojes së një numëri të ri llogaritet në rreth 1800 dollarë amerikanë,
Në vitet 1997- 2004 kjo shifër është 480 dollarë amerikanë për abonent.
Të nderuar deputetë,
Është e kuptueshme lehtësisht kur nuk mungon deshira +se cfarë transformimi të madh kemi kryer me modelin tonë të zhvillimit në sektorin e telefonisë dhe komunikimeve dixhitale, duke e ngritur Shqipërinë nga shkallët e fundit të penetrimit në nivel botëror (me 3 telefona për 100 banorë), në nivelin mesatar të rajonit të Ballkanit (me 50 telefona për 100 banorë rezidentë).
Dhe këtë transformim nuk mund ta errësojnë akuzat dhe shpifjet e opozitës së papërgjegjshme për mungesë vizioni, aq më pak strategjie, pasi na besojnë,sepse na shijojne, 1.5 milionë shqiptarë që cdo ditë komunikojnë me njëri – tjetrin përmes Albtelecom, AMC, Vodafon, operatorëve privatë ruralë, internetit dhe postës elektronike (e-mail-it).
Për gjithkënd me mend në kokë është e qartë se pa një strategji të qartë të liberalizimit dhe privatizimit të këtij sektori, ky transformim do të kishte qenë i pamundur. Pa një vullnet të qartë politik dhe qeverisës të maxhorancës për t'i ofruar konsumatorit shqiptar shërbimet telefonike në standartet e botës moderne dhe me çmime të përshtatshme për nivelin tonë të jetesës, gjithë ky transformim do mbetej një ëndërr.
Kështu, që në shkurt të vitit '98, pra vetëm pak muaj pas rënies së regjimit të piramidave, qeveria dhe Kuvendi amenduan ligjin e telekomunikacioneve të vitit '95 ", duke liberalizuar plotesisht:
• ofertën e shërbimeve telefonike në zonat rurale,
• ofertën e shërbimit të internetit,
• ofertën e shërbimit pejxhing,
• ofertën e shërbimit te transmetimit të të dhënave dhe
• ofertën e shërbimeve me vlerë të shtuar.
Me anë të plotësimeve në këtë ligj, Qeveria krijoi tregun real dhe funksionues të telekomunikacioneve në Shqipëri, operatorët privatë dhe konkurencën e lirë, gjë që çoi dhe në krijimin e autoritetit ligjor rregullator për licensimin dhe monitorimin e operatorëve privatë të fushës që është ERT.
Dhe përfundimisht, vizioni ynë në fushën e telekomunikacioneve u sintetizua në dy dokumenta të rëndësishme:
• Në strategjinë e zhvillimit të sektorit të telekomunikacioneve që u miratua nga qeveria në qershor 1999,
• Në ligjin bashkëkohor për telekomunikacionet të miratuar në qershor të vitit 2000.
Efektet e kësaj reforme janë të gjitha faktet që disa herë kam rreshtuar në mënyrë objektive dhe transparente, si:
- përmirësimi i menaxhimit të Albtelekomit duke e cuar në 150 milion USD investimin për rritjen e numërit të pajtimtarëve nga 68 mijë në 240 mijë,
- Privatizimi i AMC për një vlerë prej 86 milion USD dhe dhënia e licensës së dytë mobile për shoqërinë VODAFON për një vlerë prej rreth 40 milion USD,
- Krijimi dhe funksionimi i 44 operatorëve privat ruralë të cilët deri tani kanë mundur të sigurojnë 20 mijë pajtimtarë,
- Shtrirjen e shërbimit internet si dhe transmetim të dhënash, pothuajse në të gjithë territorin e vendit.
Kjo është dhe arsyeja që sektori i telekomunikacioneve vlerësohej me nota optimiste edhe në raportin e BE për vitin 2003.
Ajo dinamikë konkuruese shpesh me pasoja që u vu re në Shqipëri me tregun e telekomunikacioneve, përfshirë dhe ecurinë e Albtelecom, nuk është as një rast i rrallë dhe as i papritur. Në të gjitha tregjet e botës dhjetëvjecari i fundit konsiderohet si "epoka e celularit". Pra pjesa më pozitive e dinamikës i takoi shërbimeve mobile për vetë lehtësitë që ato krijojnë në përdorim, duke vështirësuar njëherësh përballimin e konkurencës nga ana e telefonisë fikse, përfshirë dhe Albtelecom. Mjafton të arsyetojme mbi faktin se investimet e Albtelecom gjatë 4 viteve të fundit janë 69 milion USD, ndërsa investimet e AMC dhe VODAFON për të njëjtën periudhë ishin respektivisht 350 dhe 190 milion USD.
Deri në vitin 2000 Albtelecom kreu një vëllim investimesh prej gati 140 milion USD. Ky investim e kaloi teknologjinë e telefonisë fikse nga dominanca elektromekanike në 100% dixhitale, standart ky i vendeve më të zhvilluara. Por momenti i rekuperimit në formë fitimi të këtij investimi koincidoi me futjen e vrullshme në treg të telefonisë mobile dhe investimeve private, e cila padyshim që dha efekte të papëlqyera mbi rezultatin ekonomik të shoqërisë pronë publike albtelekom për shkak se transferoi preferencat e konsumatorëve drejt teknologjisë së re.
Marrëveshjet e Albtelecomit me operatorët mobil dhe operatorët ruralë që u nënshkruan në vitin 2000 e në vijim për të garantuar lidhjen e pajtimtarëve reciprokë (ose sic quhen ndryshe marrëveshjet e interkonjeksionit) ishin krejtësisht të standarteve ndërkombëtare si nga pikëpamja juridike edhe nga pikëpamja e termave ekonomike. Kur u lidhën këto marrëveshje Albtelecom ishte dominues i tregut të telefonisë si dhe ishte i vetmi subjekt i shpallur nga ERT si Operator me Fuqi të Ndjeshme në Treg (OFNT). Përvec rastit të AMC, në momentet e lidhjes së kontratave mes Albtelecom dhe operatorëve të tjerë privatë (mobil apo telefoni fikse rurale), këta të fundit ekzistonin vetëm në formë license, pra nuk kryenin asnjë aktivitet, nuk kishin asnjë investim apo pajtimtar. Ndaj dhe termat ekonomikë të kontratave merrnin parasysh këtë realitet duke respektuar edhe ligjin e standarteve më të përparuara ndërkombëtare "Për Telekomunikacionet" që funksionon prej vitit 2000, i cili parashikon një mbrojtje të veçantë për operatorët më të rinj dhe më të vegjël të tregut. Duke analizuar me këtë këndvështrim të gjitha marrëveshjet e interkonjeksionit të Albtelecom me operatorët privatë mobil apo ruralë, rezulton se ndarja e të ardhurave ka qënë tërësisht në standartet mesatare ndërkombëtare.
Por rritja vecanërisht e shpejtë e operatorëve mobil për shkak të investimeve agresive, duke arritur në shifra rekord pajtimtarësh (1.1 milion në më pak se 4 vjet), solli një transformim rrënjësor në tregun e telekomunikacioneve, për pasojë edhe të pozicionit të Albtelecomit, i cili e humbi dominancën. Ky transformim i tregut nuk është faji i qeverisë apo Albtelecomit për të cilin ju bëni akuza kryekëput mashtruese. Është merita jonë që me këto reforma jetike në më pak se katër vjet i krijuam mundësinë për komunikim telefonik gjysmës së popullsisë rezidente të vendit.
Dhe natyrshëm hapja dhe funksionimi real i tregut të telekomunikacioneve, solli dhe nevojën e ndryshimit të statusit të operatorëve në treg dhe të marrëveshjeve mes tyre. Për këtë qëllim ERT para pak javësh shpalli "Operator me Fuqi të Ndjeshme në Treg" kompanitë AMC dhe VODAFON, vendim që do të ketë një efekt të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë si në uljen e tarifave të shërbimit edhe në përmirësimin e marrëdhënieve kontraktore, ligjore dhe financiare mes operatorëve.
Natyrisht që transformimet e tregut nuk janë faktori i vetëm që kanë influencuar në uljen e dominancës së Albtelecom. Në mënyrë të veçantë përshtatja e tarifave në këtë treg të liberalizuar u bë me shumë vonesë nga Albtelecom, duke krijuar stimuj që fluksi kryesor i lidhjeve telefonike të shkonte drejt mobilëve, që do të thotë se ky ka qënë edhe kahu i lëvizjes së parave që pajtimtarët e Albtelecom paguajnë. Qeveria, me cilësinë e pronarit, në mënyrë të vazhdueshme ka marrë masat përkatëse për të përmirësuar situatën dhe për ta bërë Albtelecom kompetitiv në treg. Këto masa kanë konsistuar që nga rishikimi i sistemit tarifor e deri tek shkarkimi i personave përgjegjës për impaktet negative të krijuara ndaj pajtimtarëve apo financave të kompanisë. Si pasojë gjendja eshte shendoshur dhe deklaroj sot se vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, fitimi i Albtelekom është 850 milionë lekë të reja, ndërsa në fund të vitit ky fitim llogaritet të arrijë në rreth 2 miliardë lekë të reja.
Duke mos dashur të përsëris detaje të raportit të Komisionit Parlamentar mbi Albtelecomin, nënvizoj se i ashtuquajturi "borxh" ndaj celularëve në fakt është shuma për të cilën shoqëria publike e telefonisë fikse dhe kompanitë mobile nuk kanë rënë dakort për shkak të matjeve respektive me diferenca të trafikut reciprok. Këto mospërputhje janë krejtësisht normale mes operatorëve telefonikë në të gjithë botën. Aktualisht, detyrimet e shoqërive të huaja të telefonisë fikse ndaj Albtelekomit si OTE e greqise, TelecomItalia, Albtelecomi i Hollandës kapin shifrën prej 5.1 miliardë lekësh. Kurse detyrimet e Albtelekomit ndaj operatorëve të huaj janë 3 miliardë lekë dhe ky bilanc flet për menaxhim të shëndetshëm të shoqërisë sonë publike.
Albtelecom është në proces të pandërprerë rakordimesh dhe likujdimesh për cdo trafik dhe vlerë të rënë dakort dhe që përputhet me kushtet e kontratave të interkonjeksionit që janë në fuqi, pikërisht për besueshmërinë që ka në treg dhe për korrektesën ndaj klientëve dhe partnerëve.
Duhet të theksoj dhe t'i bëj me dije publikut të gjerë se nga raportet e auditit të paraqitur nga Deloitte&Touche mbi llogaritë financiare të interkoneksionit të Albtelecom me operatorët celularë, rezulton një fitim për shoqërinë e fiksit prej 803.5 milionë lekë për vitin 2001, 1.38 miliard lekë gjatë vitit 2002. Në të njëjtat nivele me vitin 2002, janë fitimet edhe për vitin 2003. Këto shifra flasin për një dinamikë në rritje të fitimit nga këto marrëveshje kotesisht, shumë të përfolura, të cilat nuk kanë kërkuar asnjë investim shtesë.
Dhe siç theksova edhe më sipër, jemi pikërisht në momentin kur ERT ka vlerësuar pozicionin e secilit operator në treg dhe ka kërkuar gjithashtu që Albtelecom së bashku me operatorët mobil dhe ata ruralë të rishohin tërësisht marrëveshjet e interkonjeksionit mes njëra – tjetrës për t'ju përshtatur kushteve të reja. Rregullimet që po negocion Albtelecom me operatorët mobil kanë të bëjnë si me përmirësimet në përqindjet e ndarjes së të ardhurave nga trafiku i ndërsjelltë dhe me vlerat tarifore tavan apo dysheme që do përdoren. Synimi i rishikimit të këtyre marrëveshjeve është rritja e metejshme trafikut të ndërsjelltë mes pajtimtarëve të fiksit dhe atyre të mobilit, duke rezultuar dhe me një ndarje më të drejtë të kostove dhe të ardhurave ne kushtet e reja te tregut.
E lashë për në fund raportimin e dy shifrave domethënëse për marrëveshjet e interkonjeksionit që kanë të bëjnë me dy periudha, me dy mentalitete, me dy vizione, por dhe me dy morale sic janë ai i kërkuesve të kësaj seance dhe i maxhorancës aktuale. Në vitin '96 kur u krijua AMC, marrëveshja e saj e interkonjeksionit me Telekomin i merrte këtij të fundit 95% të të ardhurave në të dyja kahët e trafikut, kundrejt 5% që përfitonte albtelekom. Ndërsa marrëveshjet e Albtelecom me AMC dhe VODAFON të lidhura në vitin 2000 dhe 2001 janë në raportet 12% me 88% për mobilët.
Lidhur me raportet e Albtelecom me operatorët ruralë duhet të theksoj se jo vetëm që nuk ka asnjë favorizim kontraktor në marrëveshjet e interkonjeksionit, por përkundrazi, ka pasur një tendencë diskriminuese. Prandaj ERT ka urdhëruar ribërjen e të gjitha marrëveshjeve të interkonjeksionit mes Albtelecom dhe 44 operatorëve ruralë për t'u krijuar mundësi më të mëdha këtyre të fundit që t'i ulin edhe më tej çmimet e shërbimit për pajtimtarët e tyre në fshatra, në pajtim me politikën me objektivat që rrjedhin nga strategjia kombëtare e zhvillimit ekonomik dhe social.
Të nderuar deputetë,
Sivjet ka hyrë në fuqi liberalizimi i telefonisë fikse edhe në zonat urbane. Kjo do të thotë se ERT po pret dhe po shqyrton aplikimet e operatorëve privatë për të dhënë shërbim telefonik fiks brenda qyteteve. Me heqjen edhe të monopolit të Albtelecom mbi trafikun ndërkombëtar, tregu shqiptar i telekomunikacionit nga 1 janari 2005 do të jetë perfundimisht dhe krejtësisht i liberalizuar.
Ky progres ka nxjerrë përpara qeverisë dhe Albtelecom dy sfida që duhen përballuar me shpejtësi;
• Ristrukturimi i shoqërisë shoqëruar me pastrimin e llogarive për të rritur edhe më kompetivitetin në një treg krejtësisht të liberalizuar,
• Privatizimi i 76 përqind të aksioneve të albtelekom në favor të një investitori strategjik, me objektiv fundin e vitit 2004, sipas paketës ligjore të miratuar nga qeveria vetëm pak ditë më parë.
Performanca dhe parametrat e shoqërisë, adaptimi gjithnjë e më i mirë me tregun, rezultatet financiare pozitive dhe të konsoliduara në vite, posedimi i licensës së tretë të operatorit mobil janë disa nga arsyet që na bëjnë të besojmë në një proces të shpejtë dhe të suksesshëm privatizimi.
Gjej rastin të nënvizoj se unë nuk bëj pjesë tek ata që mendojnë se sulmet dhe zhurma spekulative e opozites për Albtelecomin ka vetëm një qëllim: uljen sa më shumë të vlerës së kësaj kompanie shumë të rëndësishme dhe pjesë e pasurisë sonë kombëtare në prag të privatizimit të saj.
Unë nuk kam asnje lloj lidhje zyrtare apo jo zyrtare me asnje mbrojtës apo avokatë fanatikë të korrupsionit, aq më pak kur bëhet fjalë për abuzime dhe shkelje me pasoja përfitime të paligjshme në administratë apo shoqëri me pronësi publike. Për këtë arsye, në bashkëpunim me Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe institucionet e specializuara të auditit, shtetërore apo private, kam këmbëngulur të vazhdojë identifikimi i rasteve apo shkaktarëve të dëmeve eventuale për t'i ndëshkuar ata ligjërisht. Për të gjitha këto, si Kryeministër, kam moralin dhe detyrën t'i kërkoj opozitës që kur është fjala për cështje me interes kombëtar apo për pasuri të çmuara kombëtare siç rezulton ende Albtelecom, të lërë mënjanë propogandën partiake, të njohë dhe të përdorë gjuhën e fakteve dhe të sillet kombëtarisht. Kjo do të thotë se qeveria mbetet e hapur për cdo lloj bashkëpunimi me përfaqësues dhe ekspertë të opozitës, për t'i rritur edhe më tej vlerën shoqërisë telefonike që mban flamurin kombëtar dhe për ta shndërruar nëpërmjet privatizimit në një faktor tjetër suksesi, kapacitetesh konkuruese dhe fituese të shqiptarëve në tregjet globale ku po integrohemi.
Natyrisht që këtë bashkëpunim nuk e kuptoj si trafik telefonik me një kah dhe me një përfitues. Prandaj dhe jam i gatshëm të kryejmë së bashku të gjitha operacionet e nevojshme që e përmirësojnë realisht edhe më shumë Albtelekomin, që nga rritja më tej e transparencës në standarte ligjore dhe etike, e deri tek shëndoshja e mëtejshme e menaxhimit publik të Albtelekom sh.a..
Sjellja me përgjegjshmëri ndaj pasurisë kombëtare Albtelecom është një rast i mirë që opozita të bëhet pjesë e zhvillimeve transformuese dhe integruese që kanë përfshirë vendin. Vendi dhe procesi i integrimit evropian ku po ecim ka nevojë dhe për vullnetin politik të partive të opozitës, për distancimin e tyre të qartë dhe pa ekuivoke nga lëvizjet anarkiste, izolacioniste, antiglobaliste dhe antiintegruese që kanë dalë në treg. S fundi mesazhi im politik eshte i thjeshte dhe i qarte dy pasuri te çmuara kombetare si Albtelekom dhe opozita nuk mund dhe nuk duhet te demtojne njera – tjetren.
Ju faleminderit!