E Diel, 1 Nëntor 2026

Në zbatim të ligjit "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë" përfitojnë pagesë papunësie rreth 14 000 të papunë, trajtimi i të cilëve bëhet pranë zyrave të punësimi

Në zbatim të ligjit "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë" përfitojnë pagesë papunësie rreth 14 000 të papunë, trajtimi i të cilëve bëhet pranë zyrave të punësimit. Aktualisht pagesa e papunësisë përfaqëson një nivel bazë të barabartë me 3600 lekë në muaj për çdo përfitues si dhe disa shtesa që lidhen me numrin e personave në ngarkim, kompensimin për ushqim dhe energji elektrike, të përcaktuara në vendimet e veçanta të Këshillit të Ministrave.

Për vitin 2003 niveli i pagesës së papunësisë të rritet me 10%, pra, të bëhet 3960 lekë dhe mbi këtë nivel të aplikohet dhënia e përfitimeve sipas VKM të veçanta. Bazuar mbi këtë nivel dhe kompensimet që i jepen çdo përfituesi, përfitimi mesatar shkon rreth 6100 deri në 6300 lekë në muaj. Kjo rritje do të ndikojë në zbutjen e problemeve sociale.

U miratua vendimi "Për miratimin e strukturës dhe nivelit të pagave të punonjësve të infermieristikës, në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë".

Vendimi siguron për të gjithë personelin e infermieristikë një rritje mesatare page prej 11%, ndërsa e diferencuar kjo rritje page shkon nga 10% deri në 20%.

Në total rritja e pagave është 93.550.000 lekë (për periudhën 15 shtator – 31 dhjetor 2003).

Vendimi parashikon që sistemi i ri i pagave të ketë këta elementë:
- Pagën e grupit, e cila përfaqëson pagën sipas nivelit arsimor të punonjësit
- Shtesën për vjetërsi në punë, e cila përfaqëson shtesën që i jepet çdo punonjësi për efekt të vjetërsisë në punë, e cila llogaritet 2% mbi pagën e grupit deri 25 vjet punë.
- Shtesa për kualifikim e cila mendohet të zbatohet në një periudhë të mëvonshme
- Shtesa për pozicion është përcaktuar në madhësi absolute për çdo pozicion pune, duke marrë parasysh përshkrimin e vendit të punës dhe aftësitë e nevojshme për kryerjen e punës
- Shtesa për kushte të veçanta pune është përcaktuar në madhësi absolute për pozicione të veçanta siç është puna në hematologji, onkologji, psikiatri, hemodinamikë, infektiv, etj.

U miratua vendimi "Për një ndryshim në vendimin nr.194, datë 22.4.1999, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e strukturës së pagës së punonjësve mësimorë, në arsimin parauniversitar", i ndryshuar".

Vendimi parashikon që rritja e pagave për punonjësit e arsimit parauniversitar të jetë 8%, me efekt ekonomik 223.815.400 lekë (për periudhën 15 shtator – 31dhjetor) i cili do të përballohet nga fondi i parashikuar për rritjen e pagave në Buxhetin e Shtetit të vitit 2003. Nga kjo rritje do të përfitojnë 36 598 punonjës të arsimit parauniversitar. Paga mesatare, për këtë kategori nga 19.111 lekë bëhet 20.640 lekë.

U miratua vendimi "Për disa ndryshime në vendimin nr.306, datë 27.6.2002, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e strukturës dhe nivelit të pagave të punonjësve me arsim të lartë, në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë".

Vendimi parashikon rritjen prej 5.5% të pagave për punonjësit me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Efekti financiar i lidhur me zbatimin e këtij vendimi për periudhën 15 shtatot deri më 31 dhjetor 2003 është përllogaritur në masën 19.091.540 lekë dhe do të përballohet nga fondi i parashikuar në Buxhetin e Shtetit për vitin 2003, për rritjen e pagave për këtë vit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›