Kliko ketu per video Para 5 vjetësh kryefjala e angazhimit tonë qeverisës ishte nxjerrja e vendit nga kriza dhe kthimi i normalitet

Kliko ketu per video
Para 5 vjetësh kryefjala e angazhimit tonë qeverisës ishte nxjerrja e vendit nga kriza dhe kthimi i normalitetit në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Pas 5 vjet qeverisje konstatojmë me kënaqësi se sfidat që duhet të përballojmë bazohen në nevojën për rritme më të larta zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe social, për standarte dhe institucione që garantojnë parimet e shtetit të së drejtës dhe i shërbejnë më mirë shtetasve dhe për një përshpejtim të procesit të integrimit evropian.
Maxhoranca qeverisëse është tërësisht e angazhuar që klimën e bashpunimit me opozitën, e konkretizuar së pari me zgjedhjen e Presidentit konsensual ta vërë në shërbim të realizimit të interesave kombëtare për zhvillim dhe integrim. Prioritet i këtij bashkëpunimi mbetet konsolidimi i shtetit të së drejtës sipas modelit euroatlantik nëpërmjet përmirësimit të standarteve, rregullave dhe institucioneve që i zbatojnë ato. Përfshirja dhe e opozitës në zbatimin e parimit "check & balance" të funksionimit të institucioneve të shtetit është një garanci e mjaftueshme për të mobilizuar të gjitha resurset kombëtare humane në përmirësimin rrënjësor të strategjive të zhvillimit dhe integrimit dhe në rritjen e kapaciteteve realizuese të tyre. Kthimi i normalitetit në marrëdhëniet maxhorancë opozitë nuk është komoditet për qeverinë, por shans që po shfrytëzohet me përgjegjësi në dobi të gjithë shtetasve, pavarësisht nga preferencat apo simpatitë politike, përkatësia fetare apo krahinore. Konsolidimi i standarteve evropiane në procesin dhe administrimin zgjedhor, reforma ndoshta edhe kushtetuese në funksionimin e institucioneve qëndrore dhe vendore të shtetit, vitalizimi i administratës publike, konsensusi për prioritetet e zhvillimit kombëtar dhe integrimit evropian, janë piketat mbi të cilat do të funksionojë bashkëpunimi institucional maxhorancë opozitë.
Qeveria nuk ka ndërmend ta shfrytëzojë këtë klimë mbi kritere komercialo - elektorale, por është tërësisht e gatshme dhe e angazhuar të zgjerojë bazën e vendimmarrjes me faktorin politik, me komunitetin e sipërmarrësve, me partnerët social, me shoqërinë civile dhe komunitetet përfaqësuese të interesave.
Rezultatet e deritanishme në përmirësimin e klimës politike dhe bashkëpunimit ndërpartiak; në garantimin e një zhvillimi dinamik ekonomik dhe social; në forcimin e sigurisë dhe rritjen e rezultateve të luftës kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar; në qëndrueshmërinë e administratës publike përballë realitetit politik; në shtimin e infrastrukturave moderne; në përmirësimin e sistemit arsimor dhe të shëndetit publik, në vënien e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare më mirë në funksion të zhvillimit dhe integrimit, në bashkëpunimin rajonal, evropian janë një bazë e shëndoshë për të thelluar procesin e reformave modernizuese dhe evropianizuese të vendit.
Qeveria që kam nderin të drejtoj pas një analize të përgjegjshme me institucionet dhe forumet e maxhorancës, gjykon se vendi i ka të gjitha resurset dhe kapacitetet për tu përfshirë në një reformë thellësisht transformuese. Shtetasit shqiptarë tashmë të orjentuar qartë në realitetet, rregullat dhe institucionet e shtetit të së drejtës kërkojnë më shumë mirëqeverisje, më shumë mirëqenie, më shumë hapësira për sipërmarrje dhe zgjerim të saj, më shumë vende pune, më shumë formin standart profesional dhe kulturor, më shumë siguri, më shumë kompeticion dhe dinjitet në realitetet globale. Korrupsioni dhe abuzimi duke vazhduar të përbëjnë shqetësim publik për efektet negative të deformimit të parametrave të zhvillimit dhe integrimit, kërkojnë një përgjigje pa ekuivoke dhe një vullnet institucional për ti luftuar.
Zhvillimi ekonomik i vendit do të jetë prioriteti themelor i Kabinetit të ri qeveritar. Konstatohet se liberalizimi i ekonomisë dhe ndryshimi i strukturës së pronësisë në favor të asaj private kanë ezauruar prodhimin e efekteve maksimale në ruajtjen e ritmeve të larta të zhvillimit ekonomik. Vendi gjendet përballë nevojës gjithnjë në rritje për të ndërtuar infrastruktura të reja dhe moderne, ndërsa të ardhurat fiskale përbëjnë vetëm 18 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto - nivel nga më të ultat në Evropë. Evazioni fiskal dhe tregu joformal vazhdojnë të deformojnë politikat e zhvillimit. Bankat dhe sipërmarrja ende kanë vështirësi në kreditimin e ekonomisë, ndërsa në cdo 3 dollar transaksione, dy kryhen jashtë kanaleve bankare. Deficiti i bilancit të tregëtisë së jashtme ka arritur përmasat e 1/3 së Prodhimit të Brendëshëm Bruto. Operatorët ekonomik vendas dhe të huaj vazhdojnë të përballen me barriera burokratike dhe administrative të panevojshme. Vetë investimet e huaja vazhdojnë të mbeten ndjeshëm nën kapacitetet thithëse të ekonomisë dhe resurseve tona kombëtare.
Bujqësia ende nuk po integrohet në tregjet e prodhimit dhe konsumit. Numri i madh i fermave familjare po pengon futjen e politikave dhe teknologjive moderne në fshat. Cështjet e pazgjidhura ende të pronësisë kanë lënë në nivele të papërfillshme transaksionet me tokën. Mungesa e perspektivës së qartë i ka detyruar shumë fermerë të braktisin zonat rurale dhe të vërshojnë në mënyrë kaotike drejt qendrave urbane.
Asetet publike me vështirësi po ridimensionojnë praktikat menaxhuese për të hyrë me konkurencë dhe jo me monopol në tregun kombëtar.
Mbi këtë bazë, reforma e programuar në ekononi do të synojë realizimin e një transformimi të madh me objektiv konsolidimin e ekonomisë standarte të tregut që krijon hapësira për sipërmarrje të ligjshme dhe punësim të gjerë, që minimizon ekonominë informale nëpërmjet luftës kundër evazionit fiskal dhe transaksioneve jo bankare, që konsolidon konkurencën e ligjshme dhe të ndershme, etj.
Për suksesin e plotë të kësaj reforme Qeveria do të angazhohet për:
· Institucionalizimin e një konsensusi sa më të gjerë me forcat politike, aktorët e sipërmarrjes vendase e të huaj, partnerët socialë dhe organizmat e mbrojtjes së konsumatorëve;
· Krijimin e një partneriteti interaktiv me komunitetin e sipërmarrësve të të gjitha niveleve në hartimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit të shpejtë, të reduktimit të ekonomisë informale dhe parasë jashtë bankave, të rritjes së shpejtësisë së qarkullimit të parasë dhe mobilizimin e kapitaleve të "fjetura" për rritjen e investimeve dhe zgjerimin e tregut të punës.
· Strukturim, komercializim dhe privatizim të aseteve dhe shërbimeve publike nëpërmjet një administrimi dhe menaxhimi më profesional e bashkëkohor.
Prioritet dhe bosht i reformës ekonomike është sektori financiar. Përmirësimi i kuadrit ligjor dhe klimës që zgjeron hapësirat për sipërmarrje private dhe përfundimi i reformës së institucioneve të këtij tregu duke përfshirë dhe privatizimin e aseteve ende publike si Banka e Kursimeve dhe INSIG.
Reforma financiare do të përmbledhë në një paketë të integruar masat që synojnë formalizimin e ekonomisë shqiptare, nxitjen e zhvillimit të saj dhe disiplinimin sipas standarteve evropiane si modus operandi të administratës publike dhe të operatorëve ekonomikë.
Ulja e studjuar e barrës fiskale, zgjerimi i bazës së kontribuesve fiskalë, thjeshtimi i procedurave burokratike të startimit dhe zhvillimit të një biznesi, eleminimi i deformimeve mbi sistemin e Vlerës së Shtuar, do të ndërthuren me rritjen e ndjeshme të kapaciteteve zbatuese e funksionale të administratës fiskale e doganore. Kjo kërkon përmirësimin dhe zbatimin rigoroz të kërkesave të legjislacionit fiskal; adoptimin e incentivave për vetëshkëputje nga ekonomia informale dhe krijimin e oportuniteteve të prekshme që kapitalet e cliruara të integrohen në programet prioritare të zhvillimit duke siguruar në emër të Qeverisë se do të tolerohet më përsëritja e fenomeneve negative që mbajnë peng apo deformojnë ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Për realizimin e këtyre objektivave do të krijohet një database i aksesueshëm nga të gjitha nivelet e adninistratës dhe publikut të interesuar ku në mënyrë precize do të ofrohet i gjithë informacioni mbi përdorimin e fondeve publike dhe përgjegjesitë institucionale, administrative dhe kontraktore. Ministria e Financave do të luaj një rol të vecantë në procesin e listimit të kompanive publike dhe private sipas sektorëve në një Regjistër Kombëtar. Kjo është një masë tjetër që Qeveria e Re do të ndërmarrë për minimizimin e evazionit fiskal, të ekonomisë informale dhe vecanërisht të abuzimeve me fondet publike.
Bujqësia mbetet një priorioritet i reformës sonë në ekonomi për vetë peshën specifike ende të lartë që zë në Prodhimin e Brendëshëm Bruto si dhe për munrin e popullsisë që vazhdon të kryejë këtë sipërmarrje.
Pavarësisht ruajtjes së ritmeve të larta të rritjes, prodhimi bujqësor ende nuk po kapërcen karakterin autosuficent. Shkak për tejzgjatjen e këtij fenomeni janë problemet e pronësisë ende të pa zgjidhura përfundimisht, numri shumë i madh i fermave individuale, mungesa e një infrastrukture moderne tregu kombëtar dhe rajonal për thithjen e tepricës së produkteve, fuqia punëtore e pakualifikuar si dhe mungesa e theksuar e partneritetit mes fermerëve dhe sistemit bankar.
Qeveria, në bashkëpunim me institucionet e qeverisjes vendore në kuadër të strategjive rajonale të zhvillimit do të rishikojë politikat për investimet publike në zonat rurale me qëllim rritjen e efektivitetit të shfrytëzimit të tyre nga fermerët në dobi të përmirësimit të vazhdueshëm të kushteve të ketesës dhe sipërmarrjes.
Brenda vitit 2004 do të përfundojë regjistrimi i tokëve si pasuri e paluajtëshme duke krijuar në këtë drejtim një treg legal dhe funksional transaksionesh.
Për të ruajtur rritmet e rritjes së prodhimit bujqësor 2 - 3 herë më të lartë se rritja e popullsisë në fshat, Qeveria do të hartojë dhe zbatojë një paketë masash për të nxitur ndjeshëm investimet private vendase e të huaja në këtë sektor, për të shtuar kreditimin nëpërmjet bankave dhe ndërmjetësve financiarë, për të rritur rendimentet e prodhimit nëpërmjet përdorimit të teknologjive bashkëkohore, për të lehtësuar daljen në tregun vendas dhe eksport të produkteve.
Energjia do të jetë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë që kam nderin të drejtoj. Për shkak të ndryshimit të strukturës së ekonomisë dhe futjes masive të teknologjisë edhe në familjet tona, konsumi i energjisë është rritur ndjeshëm. Edhe në kushtet e një moti të favorshëm për të shfrytëzuar në maksimum burimet energjetike hidrike, vendi duhet të importojë rreth 2 miliard Kilovat orë energji në vit. Sistemi i transmetimit dhe shpërndarjes për shkak të amortizimit dhe investimeve të pamjaftueshme vazhdon të transformojë në humbje teknike rreth 30% të energjisë së prodhuar. Mungesa e matjes së saktë të energjisë së konsumuar në nivel të sistemit kombëtar dhe përdoruesve individual krijon probleme për abuzime dhe diskriminim të konsumatorëve.
Qeveria brenda 30 ditëve do të paraqesë një plan të detajuar masash afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë për shmangien e përsëritjes së krizave në sistemin energjetik. Në këtë plan do ti kushtohet një vëmendje e vecantë krijimit të hapësirave për investimin e kapitalit privat vendas dhe të huaj në energji. Brenda një periudhe shumë të shkurtër do të plotësohet kuadri ligjor që garanton investitorët në fushën e energjisë për blerjen e prodhimit të tyre nga Korporata Energjetike. Nga ana e saj kjo korporatë do të ristrukturohet duke ndarë si njësi ekonomike më vete prodhim - transmetimin nga shpërndarja, e cila do të bëhet gati për privatizim. Gjithashtu Qeveria do të studjojë mundësinë që brenda 90 ditëve të vihen në përdorim centrale të lëvizshme të prodhimit të energjisë, për ti ardhur në ndihmë sipërmarrjeve të rëndësishme vendase e të huaja, duke lehtësuar kështu sistemin kombëtar energjetik dhe një furnizim më të mirë të përdoruesve të vegjël.
Në terma afatmesëm Qeveria do të nxisë me një kuadër ligjor bashkëkohor vënien në efiçencë të burimeve alternative të energjisë, perfshi ato diellore dhe te erës. Vënia në shfrytëzim e këtyre burimeve të pastra ekologjikisht mund ti shtojë sistemit tonë energjetik rreth 2 miliard Kilovat orë në vit.
Padyshim që Qeveria do të ndjekë me precedencë edhe shtimin e burimeve termike të energjisë, duke krijuar në një periudhë afatgjatë gjithë garancitë e nevojshme për një furnizim të rregullt me energji për të gjithë konsumatorët.
Ne fushen e infrastruktures dhe shërbimet publike do të mbeten në vëmendjen e posacme edhe të Qeverisë që ju paraqes sot për votbesim. Vendi ka ende nevoja të mëdha për shtimin dhe modernizimin e infrastrukturave në nivel kombëtar dhe lokal. Lehtësimi i lëvizjes së lirë të mallrave, te kapitaleve dhe njerëzve nxit një zhvillim më harmonik të zonave të ndryshme të vendit, ul nevojën për migrim dhe emigrim spontan, dhe do te përshpejtoje integrimin e ekonomisë sonë në tregjet rajonale e globale. Përfundimi i akseve lindje - perëndim dhe veri - jug do të jetë synimi kryesor i qeverisë në fushën e infrastrukturës. Këto boshte do të krijojnë koleksionin e nevojshëm për një zhvillim dhe integrim ekonomik të gjithë territorit dhe mbi të gjitha do të lehtësojnë eksportin e produkteve tona tradicionale dhe do të nxisin më tej thithjen e investimeve e kapitaleve të huaja. Qeveria angazhohet të përfundojë sa më shpejt studimin e bëshmërisë për rrugën Durrës - Kukës për të mundësuar kështu mobilizimin e të gjitha kapitaleve publike e private, vendase e të huaja në ndërtimin e saj. Në drejtim të infrastrukturave rajonale Qeveria do të kryejë një reformë të thellë në përcaktimin e nevojave, miratimin e prioriteteve, zbatimin e projekteve dhe supervizimin e tyre te shpejte. Vetëm kështu mund të garantojmë transparencë dhe efektivitet të përdorimit të parave të taksapaguesve shqiptarë dhe të fondeve te vendeve donatore.
Në fushën e telekomunikacioneve Qeveria do të vazhdoje te nxisë zhvillimin dhe modernizimin e telefonisë fikse për tju përgjigjur më mirë nevojave të tregut vendas dhe lidhjes së tij me botën moderne. Ristrukturimi i kompanisë së flamurit në telefoni, duke respektuar rregullat e ekonomisë së tregut dhe konkurencës së ndershme me operatorët privat të shërbimit mobil, do të synojë ofrimin e një shërbimi të lirë, cilësor dhe të gjerë në gamë. Investimet e shumta në këtë sektor do të vihen më mirë në eficencë duke krijuar lehtësira për sipërmarrje private në shërbimet me vlerë të shtuar dhe në vecanti në teknologjinë e informacionit. Niveli i penetrimit të teknologjisë së informacionit vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me telefoninë fikse, prandaj reforma në këtë sektor bëhet e domosdoshme për një vend që aspiron të integrohet në Evropë.
Qeveria do të përmirësojë rregullat që monitorojnë tregun e telefonisë dhe teknologjisë së informacionit për të garantuar një konkurencë të ndershme dhe një mbrojtje efektive të përdoruesve.
Shqiperia i ka tashmë të gjitha resurset natyrore dhe potencialet humane e financiare për të krijuar industrinë e turizmit si një degë me peshë reale në PBB dhe stimulues polivalente të rritjes së saj ne teresi. Qeveria angazhohet në hartimin e një strategjie afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë të industrisë së turizmit, duke integruar mbështetjen me investime publike e private në infrastrukturën e nevojshme. Rishikimi i kuardit ligjor për investime në këtë fushë, me objektiv ruajtjen e pjesës së padëmtuar të potencialeve natyrore turistike, korrigjimin në maksimum të atyre aseteve që janë dëmtuar për shkak të kaosit, vetëgjyqësisë dhe ineficencës në zbatimin e ligjeve, do të përbëjë një prioritet të vecantë të qeverisë së re. Qeveria angazhohet që permes zhvillimit sasior dhe cilësor të turizmit të krijojë një identitet të ri të ekonomisë shqiptare ne teresi.
Zhvillimi i turizmit dhe i degëve të reja të ekonomisë do te vazdoje te harmonizohet me urbaniziminin e programuar dhe të kontrolluar të zonave potenciale e preferenciale. Brenda dy vjetëve Qeveria do të paraqesë për miratim në Kuvend strategjinë Kombëtare të Urbanizimit të Shqipërisë. Kjo strategji do të synojë shfrytëzimin e resusreve potenciale që vendit tonë nuk i mungojnë dhe që garantojnë investime atraktive dhe hapje masive të vendeve të punës. Ne duhet ti afrojmë shtetasit atje ku shanset për ushtrim të sipërmarrjes apo të së drejtës për punë prodhojnë më shumë fitime të ligjshme, me shume sipermarrje, kushte për arsimin dhe kujdes shëndetësor, shfrytëzim efektiv të infrastrukturave dhe shërbimeve publike moderne. Kjo strategji nuk do të synojë braktisjen e dirigjuar te zonave të varfëra të vendit, por përdorimin sa më efektiv të potencialeve natyrore që janë të shpërndara në të gjithë territorin. Ky projekt synon një harmonizim të plotë mes Strategjisë Kombëtare të zhvillimit dhe integrimit me strategjitë rajonale. Zbatimi i tij do të nisë në zona pilot që garantojnë sukses në integrimin e faktorëve natyror, ekonomik, social, infrastrukturor, arsimor e kulturor. Më parë se të mendojmë për zonat që po braktisen, duhet të programojmë krijimin e shanseve që migrimi të mos vazhdojë në kaos, duke sjellë jo rrallë dëme në pasuritë kombëtare, duke krijuar probleme serioze në cështjet e pronësisë, duke shpërpjestuar infrastrukturat dhe duke dezikuilibruar tregun e punës. Përpara se ti bëjmë gati varrin zonave që vdesin, do ti shtrojë shtratin zonave dhe resurseve që janë mikpritëse të zhvillimit dhe modernizimit. Në mënyrë solemne ftoj edhe opozitën që së bashku me specialistët e saj të bëhet pjesë e hartimit të strategjisë kombëtare të urbanizimit, e cila kërkon më shumë se një mandat qeverisës për të realizuar me sukses.
New economy dhe teknologjitë e reja të prodhimit dhe informacionit kërkojnë një ridimensionim të politikave të zhvillimit të burimeve njerëzore. Synimi ymë është që sistemi arsimor të rrisë efektivitetit dhe cilësinë për të mundësuar përgatitjen e nxënësve me njohuritë dhe shprehitë e nevojshme që i ndihmojnë për të shfrytëzuar shanset e integrimit në një sistem demokratik, në një ekonomi të hapur të tregut, në një botë që po përjeton avantazhet dhe sfidat e proceseve globalizuese. Nga ana tjeter sistemi arsimor shqiptar do ti pergjigjet më mirë nevojes se ruajtjes dhe zhvillimit te vlerave tona kombetare në këtë fushë. Në vitet e tranzicionit janë përkeqësuar disa tregues të nivelit të arsimimit të shoqërisë si rritja e analfabetizmit, braktisja e shkollës, rënia e regjistrimeve në arsimin e mesëm, rënia e cilësisë së mësimdhënies. Këto tregues kanë prekur më shumë zonat rurale e të varfëra të vendit. Qeveria do të nxisë hartimin dhe zbatimin e projekteve që thithin më mirë dhe me efektivitet financimet publike, ndihmën dhe asistencën e huaj në sistemin arsimor.
Objektiva specifike të politikave në sektorin e arsimit para-universitar për periudhën 2002-2005 janë:
(i) Nisja e procesit për të rritur në 9 vjet arsimin e detyrueshëm duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të pjesëmarrjes.
(ii) Aplikimi i subcencioneve shtetërore për të ulur koston e arsimimit të shtresave në nevojë.
(iii) Zgjerimi i arsimit profesional dhe përshtatja më e mirë e tij ndaj nevojave të tregut të punës. Në fund të vitit 2005 numri i nxënësve në këto shkolla do të arrijë në 30%, nga 18 që është sot.
(iv) rritja e hapsirave të sipërmarrjes private në të gjitha nivelet e arsimit, përfshi edhe atë universitar, duke ndërtuar strukturat që forcojnë monitorimin;
(v) rritja e efektivitetit të administrimit dhe eficencës financiare të sistemit arsimor publik.
Një reformë tepër e rëndësishme e sistemit arsimor parauniversitar që do të japë efekte në përballimin e sfidave të zhvillimit, integrimit dhe efekteve globale, është futja për herë të parë në programet arsimore të lëndës së informatikës. Hi Tech dhe teknologjia e informacionit ka krijuar një shans për tu shfrytëzuar në realitetet dhe standartet e New Economy dhe për tu integruar me dinjitetin e dijeve të plota profesionale në botën moderne.
Në fushën e shkencës do të synohet përgatitja e një pakete komplekse ligjore për të bërë ndërhyrje thelbësore në sistemin e sotëm të kërkimit shkencor me qëllim realizimin e integrimit me te plote të kërkimit shkencor me mesimdhënien në shkollat e larta, por sidomos në perballimin e nevojave të mëdha për zhvillimin e reformave ekonomike e sociale, per rritjen cilesore te efektivitetit te administrates shteterore dhe realizimin ne keto sektore te standardeve te integrimit europian.
Shqipëria ka tashmë gati një strategji 10 vjecare të zhvillimit të shëndetit publik, e cila duhet miratuar dhe zbatuar me rigorozitet i të cilës do të prodhojë rezultate të prekshme nga të gjithë. Vazhdimi i plotësimit nga ana e Qeverisë të nevojave me infrastrukturë, teknologji dhe personel të specializuar shëndetësor për të gjithë territorin e vendit duhet te kombinohet me krijimin e hapsirave dhe lehtësive për përfshirjen reale e te gjere te sektorit privat edhe në këtë fushë. Qeveria do të trajtojë me përparësi të gjithë ata tregues të shëndetit publik që ende paraqiten nën nivelin standart evropian si dhe do të riorganizojë shërbimin parësor publik duke adaptuar një skemë bashkëkohore të decentralizimit të autoritetit dhe përgjegjësisë në njësitë e pushtetit vendor. Vetëm kështu ne mendojmë të sigurojmë një akses dhe barazi në përfitimin e shërbimit shëndetësor në të gjithë territorin dhe një cilësi të tij. Cdo reformë e sistemit të shëndetit publik do të ishte e mangët me gjithë disponibilitetin e Qeverisë për të shtuar financimet publike deri në 3.3 % të PBB për vitin 2004. Zgjerimi i rrjetit të shërbimit në në gjithë territorin, sigurimi i teknologjive bashkëkohore, motivimi i personelit të aftë, thithja e kapitalit privat si dhe ulja e kostos së shërbimit kërkojnë një reformë radikale edhe në fushën e sigurimeve shëndetësore. Qeveria ka prioritet rishikimin e skemës së kontributeve dhe përfitimeve nga sistemi i sigurimeve shëndetësore duke nxitur sipërmarrjen private në këtë fushë, duke zgjeruar kështu alternativat e zgjedhjes për shtetasit sipas standarteve bashkëkohore evropiane.
Për të realizuar këtë program koherent reformash ambicioze dhe transformuese nevojitet një administratë publike edhe me profesionale, me funksionuese dhe me e motivuar. Gjatë këtyre 5 viteve qeverisje ne arritëm ta shndërrojmë administratën e politizuar shtetërore në administratë publike. Ritmet e zhvillimit të vendit dhe proceset integruese na nxisin të vazhdojmë reformën në këtë fushë për të krijuar edhe në Shqipëri sipas modelit evropian shtresën e administratorëve dhe nëpunësve publik që zbatojnë me integritet e profesionalizëm programet e zhvillimit dhe ligjet. Në të kundërt procesi i vënies së shtetit në shërbim të shtetasve do të vonohej.
Procesi i nisur për formimin e administratës publike do të shtrihet në 3 vitet e ardhëshme në të gjithë nivelet e qeverisjes, kudo ku administrohen prona, fonde apo interesa publike e private. Paralelisht me këtë proces do të vazhdojë konsolidimi i kësaj administrate për të rritur efektivitetin në punë, nivelin e përgjegjësisë, garantimin e zbatimit të kritereve ligjore e standarte të rekrutimit, karrierës dhe kontrollit. Vullneti i kësaj maxhorance për të ndërtuar një administratë realisht publike ka dhënë tashmë rezultate të pakundërshtueshme të rritjes së qëndrueshmërisë së saj ndaj zhvillimeve politike në vend. Jemi aktualisht në një fazë shumë të rëndësishme të reformës së administratës publike e cila do të garantojë rekrutimin e profesionistëve dhe menaxherëve pavarësisht bindjeve të tyre politike, përkatësive fetare apo krahinore ne administrimin prioritar te objektivave te zhvillimit kombetar. Kjo fazë kërkon edhe kontributin e opozitës për ti dhënë zgjedhësve tanë, por edhe atyre që nuk votojnë një administratë të aftë profesionalisht, të përgjegjshme ndaj detyrës, të gatshme të implementojë strategjitë kombëtare të zhvillimit dhe integrimit, me integritet moral dhe veprimtari transparente përballë shtetasve. Në vijim të reformës qeveria do të angazhojë të gjitha potencialet e saj të specializuara për të hartuar dhe miratuar një sistem ligjor të ndarjes së përgjegjësive dhe të drejtave sipas funksionimin vertikal dhe horizontal të pushteteve. Përballë të drejtave të mbrojtura me ligj për nëpunësit civil, do të sanksionohen gjithashtu me mire përgjegjësitë juridike, përgjegjësia civile, penale dhe administrative te funksionareve. Më lejoni të nënvizoj se garancitë ligjore për mbrojtjen e administratës publike nuk janë qypi ku mund të vazhdojnë të fshihen të paaftët, mediokrit, abuzuesit apo klientet politik. Në bashkëpunim me institucionet e pavarura të Administratës Publike do të forcohet kontrolli i ushtrimit të detyrës, duke nisur menjëherë procesin e pajisjes së cdo posti me përshkrimin e punës që duhet të kryejë dhe mënyrën ligjore të kontrollit dhe rezultatet e regjistruara. Vetëm duke cuar deri në fund këtë reformë do krijojmë mundësi reale për të menaxhuar më mirë burimet njerëzore që nuk na mungojnë.
Decentralizimi i pushtetit drejt qeverisjes vendore si një proces i pakthyeshëm dhe modernizues do te vazhdoje te synoje shtimin e aktorëve qeverisës për të afruar vendimmarrjen dhe kontrollin e administrimit publik më pranë komuniteteve ku njerëzit jetojnë dhe zhvillojnë sipërmarrje. Duke hequr dorë nga koncepti tradicional se qeveria i di dhe i bën të gjitha, decentralizimi i autoritetit, i vendimmarrjes dhe administrimit publik krijon premisa reale ligjore që të hartohen strategji rajonale zhvillimi në koherencë të plotë me Strategjinë Kombëtare të integrimit. Ky proces decentralizimi i pushtetit do të mbështetet nga Qeveria me një kuadër të plotë dhe të shpejtë aktesh ligjore dhe nënligjore që do te ndajnë apo koordinojnë qartësisht përgjegjësitë dhe kompetencat mes pushtetit qëndror dhe atij vendor. Në këtë kontekst, pronësimi i njësive të pushtetit vendor si dhe decentralizimi fiskal janë elementë shumë të qenësishëm për rritjen e standartit të vetëqeverisjes vendore në parametra evropianë. Ky proces do të shoqërohet me një investim të posacëm të Qeverisë për të ndërgjegjësuar komunitetet si dhe për ta trajnuar sa më mirë administratën vendore për përballimin e këtyre beneficeve dhe sfidave, duke marre ne konsiderate vecanerisht ndryshimet dhe tendencat demografike qe imponojnë mënyra dhe shpejtësi të ndryshme sa i takon reformave të përgjithshme kombetare. E megjithatë ky proces nuk e largon shtetin nga përgjegjësia për zhvillimin e zonave të ndryshme të vendit, por i krijon hapsira Qeverisë dhe institucioneve që fondet publike ti përqendrojë në përballimin e sfidave me karakter kombëtar; një prej të cilave është dhe zhvillimi harmonik i territorit, i të gjithë rajoneve të vendit.
Gjatë këtyre viteve tranzicion është e njohur puna e bërë, një punë e konsiderueshme në drejtim të miratimit të legjislacionit standart evropian. Por të gjithë ndjejmë shqetësimin se kapacitetet zbatuese të tyre janë në nivele ende të pakënaqshme. Shpërpjestimi midis legjislacionit dhe zbatimit të tij ka nxjerrë në evidencë paresore nevojën e thellimit dhe përshpejtimit të reformës në fushën e drejtësisë, krahas me atë të administratës publike. Cdo investim politik, qeverisës, sipërmarrës apo social lind i sëmurë me virusin "skeptikus", pasi ende kapacitetet zbatuese të akteve ligjore dhe nënligjore që garantojnë barazinë e shanseve, konkurencën e ndershme etj, lënë për të dëshiruar. Ne si Qeveri e re jemi të vendosur që të amortizojmë kostot politike dhe qeverisëse që burojnë nga konfuzioni i sistemit të drejtësisë, duke nxitur forcimin e pavarësisë dhe rritjen e profesionalizmit te tij.
Në mënyrë të vecantë organi i akuzës do ti nënshtrohet një analize ligjore e profesionale, për të bërë të gjitha përmirësimet e nevojshme që detyrojnë cdo individ keqbërës të përballet me togat e zeza të gjykimit me drejtesi. Policitë gjyqësore pranë Prokurorisë që janë direkt përgjegjësi e ekzekutivit do ti nënshtrohen një reforme të thellë që do të nisë brenda muajve te mbetur të këtij viti. Kjo reformë do të garantojë plotësimin e këtyre policive me personel profesionist dhe me integritet të lartë moral. Nuk do të lejohet më që Policia e Shtetit, policia gjyqësore dhe Prokuroria të denoncojnë pas cdo dështimi njëra tjetrën në vend që të bashkëpunojnë dhe koordinojnë për ta cuar së bashku krimin përpara gjykimit pa shpëtim. Përpara se të kastigojmë gjykatat (të cilat nuk mbeten të imunizuara nga problemet që shkaktojnë dobësinë e sistemit tonë të drejtësisë), Qeveria do të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që Prokuroria dhe institucionet mbështetëse të akuzës të bëjnë pa asnjë tolerancë detyrën sipas ligjit.
Lidhur me Prokurorinë, Qeveria në emër edhe të maxhorancës që përfaqëson fton në bashkëpunim institucional përfaqësuesit dhe ekspertët ligjor të opozitës për të krijuar një institucion efektiv, të aftë profesionalisht, të pandikuar politikisht. Ne jemi të gatshëm të amendojmë edhe Kushtetutën nëse do të gjykohet e nevojshme për ti dhënë fund apatisë së këtij organi me rëndësi të vecantë jo thjeshtë për drejtësinë shqiptare, por për gjithë procesin evropian të zhvillimit dhe modernizimit të vendit.
Maxhoranca jonë progresiste i ka dhene sistemit gjyqësor pavarësinë kushtetuese gjithashtu, por ende ky sistem nuk po jep rezultatet e pritura nga shtetasit për dhënien e drejtësisë. Krijimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda është një prioritet i qeverisë që paraqes sot para Kuvendit për votbesim, duke i dhënë fund retorikave dhe praktikave rutinore që e kanë zvarritur këtë proces. Së bashku me Gjykatën e Llogarive për të cilën gjithashtu do nisë procesi i konstituimit do të krijojmë një gjykim më profesional për figura të tilla krimi që shqetësojnë në mënyrë të vecantë shoqërinë dhe deformojnë zhvillimin. Në 12 vjet tranzicion vërtetuan se nga trafiqet, droga, prostitucioni dhe rruget e lehta te pasurimit Shqipëria vetëm humbi. Eshtë momenti që këtyre fenomeneve dhe bartësve të tyre tu jepet një përgjigje ligjore ekstreme për të shpëtuar brezat e sotëm dhe ato të rinj nga rreziqet e se ardhmes. Plotësimi i kuadrit ligjor të drejtësisë nëpërmjet miratimit të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve do e bëjë edhe më efektive luftën kundër këtyre fenomeneve negative.
Reforma në drejtësi do të perfshije gjithashtu hartimin dhe miratimin e një sistemi preciz rekrutimi, karriere, shpërblimi dhe mbrojtje. Kjo do të thotë se jo cdo kush mund të punojë në organet e hetimit dhe dhënies së drejtësisë. Kjo do të thotë se puna e cdo prokurori, hetuesi apo gjykatësi do të standartizohet dhe monitorohet sipas ligjit. Kjo do të thotë se karriera e cilitdo ndërpritet kur idealet dhe ligjet e lirisë dhe të drejtësisë i vendosen në një peshore me lekët apo dollarët e krimit, abuzimit, drogës, prostitucionit, trafiqeve apo korrupsionit.
E gjithë reforma në drejtësi si pikën e saj më të dobët ka pasur institucionin e Përmbarimit. Një vendim, sado i keq të jetë kur nuk zbatohet nga zyrat e përmbarimit shton artificialisht dobësitë e sistemit të drejtësisë. Me gjithë përmirësimet e këtyre viteve të fundit, Përmbarimi në Shqipëri shpesh herë vazhdon te funksionoje si post gjykatë, ose si gjykatë supreme, situatë që do të marrë fund. Reforma në këtë sektor synon që brenda vitit 2005 të arrihet niveli 100% i ekzekutimit të vendimeve të gjykatave.
Një drejtim tjetër po kaq i rëndësishëm sa Prokuroria është edhe funksionimi real i Avokaturës së Shtetit, e cila ka mision mbrojtjen e shtetit në gjykimet civile ku është palë. Qeveria në mënyrë urgjente do të marrë të gjitha masat organizative për të vënë në funksionim këtë institucion, duke rritur në mënyrë të ndjeshme kontrollin dhe profesionalizmin në mbrojtjen e interesave të shtetit.
Një nga mundësitë për suksesin e reformës në sistemin e drejtësisë është garantimi dhe përmirësimi i shërbimeve ligjore ndaj shtetasve. Shërbimi ligjor ndaj shtetasve vazhdon të mbetet shqetësim serioz për qeverinë. Ne vlerësojmë se është detyra jonë përmirësimi i shërbimeve ligjore ndaj shtetasve. Prandaj Qeveria mendon të ndërmarrë reforma të thella në këto aspekte:
1- Ndihma ligjore falas për shtetasit me paaftësi paguese.
2- Mirëfunksionimi i dhomave të Avokatisë.
3- Forcimi i mëtejshëm i shërbimit të noterisë.
4- Përmirësimi i shërbimit në zyrat e rregjistrimit të pasurisë.
Niveli i sigurisë publike nuk ka më asnjë krahasim me vitin 97, kur 85% e Komisariateve, reparteve ushtarake dhe zyrave të Shërbimit Inteligjent Kombetar ishin shkatërruar dhe plackitur. Pavarësisht arritjeve ne jemi të ndërgjegjshëm se ka ende shumë për të bërë si në drejtim të sigurisë së brendëshmë edhe të asaj rajonale, pra te kufijve.
Qeveria do të realizojë zbatimin rigoroz të Ligjit mbi Policinë e Shtetit i cili plotëson parametrat evropianë për funksionimin e kësaj arme. Eshtë momenti dhe Qeveria që drejtoj ka vullnetin për të ndaluar cdo abuzim apo anashkalim në zbatimin e këtij ligji modern. Vetëm duke zbatuar këtë ligj ne do të mundemi që të zhdukim nga rradhët e policisë së shtetit të gjithë ata "uniforma" apo "grada" që paaftësinë për të ruajtur rendin publik, për të ndaluar kriminelët, për të ndëshkuar keqbërësit e konvertojne në gjobënënie apo taksambledhje të djersës së qytetarëve duke abuzuar në mënyrë skandaloze me detyrën dhe uniformën. Ligjit për Policinë e Shtetit garanton gjithashtu kërrierë dhe shpërblim për të gjithë ata punonjës policie dhe oficerë që në punën e tyre udhëhiqen nga ligji dhe rezultati qe buron prej tij. Të gjitha forcat e Policisë së Shtetit do i nënshtrohen një analize të gjerë dhe të thellë për të kryer gjithashtu të gjitha përmirësimet e nevojshme që cdo shtetas të ndihet realisht i sigurtë ne te gjithe territorin e vendit. Toleranca ligjore ZERO do të jetë deviza e Policisë së Shtetit ndaj krimit dhe keqbërësve. Kush ka hyrë në forcat e policisë për përfitime të paligjshme nëpërmjet ortakërisë me krimin apo gjobëvënies, ka kohë të largohet me vullnet të lirë. Ndryshe do të ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi për favorizim dhe bashkëpunim në krim, apo direkt si autorë të këtyre veprave. Cdo lirim nga forcat e policisë do të ketë edhe një përgjigje ligjore dhe për këtë ju garanton Kryeministri i Shqipërisë. Qeveria i njeh detyrimet ndaj Policisë së Shtetit, si për mjete logjistike, për shpërblime dhe incentiva që lehtësojnë koston e jetës së policëve dhe shumë shpejt do të hartohet një program i vecantë për plotësimin e tyre në maksimumin e mundshem. Gjithashtu do kryhen reformat e duhura në sistemin e drejtësisë që puna e policisë të vlerësohet ligjërisht.
Ushtria dhe mbrojtja shqiptare është në transformim të plotë dhe gjithnjë e më tepër forcat e armatosura po vinen në shërbim të zhvillimit dhe integrimit të vendit me boten euroatlantike. Qeveria i njeh kufizimet e natyrës logjistike për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Por ne jemi të vendosur për përfundimin e reformës strukturore si dhe për rritjen efikase te bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për arritjen e parametrave të anëtarësimit sa me pare. Një rol edhe më të rëndësishëm do të marrë ushtria shqiptare në përballimin e sfidës kundër trafiqeve duke vepruar si një forcë e armatosur nën një kontroll transparent civil sipas ligjit. Ky ridimensionim i misionit të ushtrisë dhe integrimi i saj në përballimin e sfidave me karakter kombëtar do të motivojë më mirë oficerët dhe ushtarët tanë për ti shërbyer Atdheut tonë të përbashkët.
Shërbimet inteligjente do të vihen më mirë në eficencë për të përballuar luftën e shtetit ndaj fenomeneve negative. Rritja e profesionalizmit do të sjellë saktësinë e informacioneve të cilat duke u vënë në dispozicion të institucioneve të tjera të shtetit, dukes shtuar realisht dhe ne menyre ligjore presionin mbi krimin dhe trafiqet.
Ne mirëpresim kontributin e opozitës në përshpejtimin e reformave standarte të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë se vendit. Vetëm kështu do të garantojmë eleminimin e ndikimit politik mbi këto institucione duke rritur shanset dhe përgjegjësitë e perbashketa kushtetuese në forcimin e ligjit.
Politika e Jashtme e Qeverisë do të synojë një progres më cilësor, dinamik, intensiv dhe një rol më aktiv në mbrojtje të interesave kombëtare; të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, për një përshpejtim të procesit të integrimit në strukturat euroatlantike, për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik me SHBA dhe me gjithë vendet e tjera fqinje, mike dhe partnere në Europë e më gjerë si dhe me organizatat ndërkombëtare që asistojnë proceset kombëtare të zhvillimit dhe integrimit.
Integrimi Europian mbetet prioriteti kryesor i Qeverise Shqiptare. Qeveria Shqiptare nuk e konsideron kete proces monopol dhe pergjegjesi te veten. Ne mbetemi te angazhuar ta zhvillojme integrimin evropian si nje program te gjithperfshirjes se kontributit te forcave politike te maxhorances dhe te opozites, perfaqesuesve te biznesit dhe shoqerise civile per vete natyren strategjike per te ardhmen e vendit. Klima e re politike e krijuar ne vend me dialogun institucional maxhorance - opozite eshte nje faktor nxites per konsolidimin e hapave te hedhura deri me sot, per te mundesuar nje afrim te pershpejtuar te Shqiperise me Bashkimin Europian.
Qeveria do te kete si objektiv kryesor te saj thellimin e metejshem te reformave qe synojne konsolidimin e metejshem te institucioneve demokratike te shtetit te se drejtes, te te drejtave te njeriut dhe te pakicave, te ekonomise se tregut etj.
Kalendari yne i zhvillimeve ne kete drejtim do te jete si me poshte:
· Shtator 2002 - Pergatitja e projektdirektives se bisedimeve nga Komisioni Evropian, miratimi i direktives nga Keshilli;
· Tetor 2002 - Fillimi i negociatave;
· 2003 Perfundimi i negociatave dhe fillimi i ratifikimit te Marreveshjes nga Parlamenti Evropian, Parlamentet e vendeve anetare dhe Kuvendi i Shqiperise;
Marreveshja e Stabilizim-asociimit ne vija te pergjitheshme synon:
· Thellimin e metejshem te dialogut politik, qe promovon zhvillimin e marredhenieve te ngushta institucionale dhe partneriteti ndermjet vendit tone dhe BE;
· Intensifikimin e perpjekjeve te vendit tone per te zhvilluar bashkepunimin e gjithanshem me Bashkimin Europian edhe nepermjet perafrimit te legjislacionit tone me ate komunitar;
· Nxitjen e zhvillimit te marredhenieve ekonomike dhe krijimin gradualisht te nje zone te tregtise se lire ndermjet vendit tone dhe BE qe tashme eshte ne proces;
· Nxitjen e bashkepunimit rajonal ne te gjitha fushat qe parashikon Marreveshja.
Qeveria do te punoje paralelisht me zbatimin e angazhimeve tona qe do te burojne nga Marreveshja e Stabilizimit dhe Asocimit edhe per plotesimin e kritereve qe kerkon anetaresimi i plote ne BE duke rritur efikasitetin e te gjitha strukturave shteterore, publike e private ne kete drejtim. Qeveria do te beje te gjitha perpjekjet qe Shqiperia te jete ne gjendje te filloje pergatitjet per te paraqitur kerkesen per anetaresi te plote ne Bashkimin Europian brenda vitit 2005.
Qeveria është e angazhuar në përmbushjen e angazhimeve kombëtare dhe objektivave që përshpejtojnë antarësimin e vendit në NATO nmë dobi të modernizimit të forcave tona të armatosura, të kontrollit civil mbi to dhe të rritjes së kontributit për garantimin e sigurisë në rajon.
Marrëdheniet me vendet fqinje të rajonit do të jenë një përparësi e politikës së jashtme për Qeverinë e re. Integrimi evropian i Shqipërisë fillon nga fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal, nëpëpërmjet standartizimit sipas modelit euroatlantik të bashkëpunimit ndërshtetëror për konsolidimin e shtetit të së drejtës, të ekonomisë së tregut, të liberalizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Fushë e rëndësishme e bashkëpunimit rajonal do të jetë bashkërendimi i përpjekjeve të vendeve të rajonit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodhur në rajonin tonë, përmbysja e regjimit të Millosheviçit, fakti që tani në Ballkan ka qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike si dhe qëllimi i përbashkët për integrimin euroatlantik shtojnë besimin se vendin e armiqësive folklorike ballkanike po e zenë gjithnjë e më tepër vlerat reale të besimit e respektit të ndërsjelltë, të bashkëpunimit e të integrimit. Ne kemi bindjen se rajoni i Europës Juglindore ka hyrë përfundimisht në rrugën e stabilitetit, të demokratizimit e të integrimit.
Kosova do të vazhdojë të jetë në vemendjen parësore të politikës së jashtme të qeverisë. Marrëdheniet tona me Kosovën do të marrin karakter intensiv jo thjesht si marrëdhenie në mes pjesëve të një kombi, por edhe në një kuadër më të gjerë, në atë të bashkëpunimit rajonal dhe euroatlantik. Veprimtaria e politikës sonë në këtë çështje në mënyrë të veçantë do të drejtohet:
Së pari, në zgjerimin, thellimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, tregtisë, turizmit, arsimit, kulturës dhe shkencës.
Së dyti, në ndihmesën për ngritjen dhe forcimin e institucionev e demokratike e vetqeverisëse në Kosovë, në zbatim të rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe të akteve të tjera ndërkombëtare. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim do të jetë edhe zhvillimi i zgjidhjeve për pushtetin vendor në vjeshtë të këtij viti.
Lidhur me marrëdhëniet me Maqedoninë Shqipëria në asnjë rast nuk është bërë dhe nuk do të bëhet palë në politikat konfliktuale, por do të vazhdojë të mbështesë politikën e dialogut si rruga e vetme që çon në zgjidhjen e problemeve reale që ekzistojnë aktualisht në shoqërinë multietnike të këtij shteti. Ne do të vazhdojmë të mbështesim konsolidimin e marrëdhenieve ndëretnike në Maqedoni, dhe jo militarizimin e tyre. Ne shpresojmë se marrëveshja kuadër e Ohrit që po zbatohet aktualisht do ta konsolidojë nga pikëpamja demokratike shtetin e Maqedonisë dhe do të dëshmojë se ai dëshiron të futet në mënyrë të pakthyeshme në rrjedhën europiane të integrimit. Një provë e këtij vullneti politik do të jenë edhe zgjedhjet parlamentare të shtatorit.
Qeveria e re angazhohet që të çojë edhe më përpara marrëdheniet me Italinë dhe Greqinë, karakteri strategjik i të cilave nuk dhe asmund të vihet në dyshim. Këto vende fqinje, si antare të Bashkimit Europian dhe të NATO-s për interesat afatgjatë që na bashkojnë por edhe për kontributin e madh që kanë dhënë në mbështetje të reformave të gjithanshme në Shqipëri do të mbeten partnere parësore edhe në të ardhmen.
Marrëdheniet me Jugosllavinë kanë një rëndësi të veçantë. Ne do të synojmë të ecim drejt zhvillimit dhe konkretizimit të marrëdhenieve me Beogradin, kryesisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik të tregtisë dhe të energjitikës. Ecuria e këtyre marrëdhenieve do të ndikojë pozitivisht në frymën e përgjithshme të mirëkuptimit, paqes dhe bashkëpunimit rajonal. Qeveria do të vazhdojë të ndjekë ashtu si deri tani linjën e konsolidimit dhe intensifikimit të marrëdhenieve me interes reciprok me Malin e Zi.
Marrëdheniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë në të gjitha fushat do të vazhdojnë në rriten e konsolidohen më tej.
Qeveria e re sheh me interes progresin në marrëdheniet dypalëshe me Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Slloveninë e Bosnje-Hercegovinës dhe do të punojë për t'u dhënë këtyre marrëdhenieve një dimension të ri. Forcimi i bashkëpunimit rajonal do të realizohet edhe në planin shumëpalësh. Shqipëria do të vazhdojë të marri pjesë aktive në kuadër të nismave të ndryshme rajonale, ku vend të veçantë zenë procesi i bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, pakti i stabilitetit etj.
Qeveria shqiptare do të punojë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhenieve shumëpalëshe në kuadër të organizatës të Kombeve të Bashkuara dhe strukturave të saj, OSBE-së, Këshillit të Europës dhe organizatave të tjera rajonale.
Bashkëpunimi me OSBE-në dhe Këshillin e europës, do të vazhdojë të mvetet një ndër elementët e rëndësishëm të politikës sonë të jashtme, në drejtim të forcimit të institucioneve demokratike në vend, por edhe sigurisë në rajon. Në qendër të vëmëndjes të qeverisë do të jenë edhe marrëdheniet dypalëshe me vendet anëtare të Bahskimit Europian. Ne do të synojmë një shtrirje dhe thellim të mëtejshëm të marrëdhenieve dypalëshe me vendet europiane në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, veçanërisht me Gjermaninë, Britaninë e madhe, Francën, Austrinë dhe vendet e tjera të BE-së.
Qeveria jonë do të punojë edhe për forcimin e zgjerimin e marrëdhenieve, mjaft të mira tashmë, me vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, me Hungarinë,Çekinë, Poloninë, Sllovakinë etj.
Qeveria që unë kam nderin të kryesoj i çmon marrëdheniet me SHBA të një rëndësie jetike për Shqipërinë dhe nënvizon qartë karakterin e tyre strategjik e afatgjatë. SHBA ka ndihmuar dhe mbështetur Shqipërinë në procesin e reformav e të saj të brendshme dhe në përpjeekjet e saj integruese në strukturat atlantike. Angazhimi amerikan për paqen dhe sigurinë në rajon është i pazëvendësueshëm.
Marrëdheniet e Shqipërisë me SHBA janë në nivelet më të larta dhe përfshijnë jo vetëm fushën politike, por edhe ekonominë, mbrojtjen, sigurinë dhe gjyqësorin, luftën kundër krimit të organizuar, e trafiqeve ilegale etj.
Objektivi ynë për të ardhmen është jo vetëm ruajtja e këtij niveli të lartë marrëdheniesh, por konsolidimi i mëtejshëm i tyre.
Po kështu ecuria e deritanishme pozitive e marrëdhenieve dypalëshe me Kanadanë është një bazë e mirë për forcimin e zgjerimin e tyre të mëtejshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë.
Qeveria shqiptare e konsideron të rëndësishme marrëdheniet e saj me Rusinë, duke besuar në rolin e saj konstruktiv në rajon e më gjerë në përputhje me filozofinë e re që ka filluar të përshkojë marrëdheniet ndërkombëtare.
Qeveria e re shqiptare do të vazhdojë të ndjekë një politikë të hapur, me interesa bashkëpunimi të ndërsjelltë edhe me vendet e rajonit të Azisë, ku vend të rëndësishëm zenë Kina, Japonia dhe Korea e Jugut. Me po të njëjtën frymë ajo do të përpiqet të zhvillojë marrëdheniet edhe me vendet e Amerikës Latine. Zhvillimi i marrëdhenieve me vendet arabe e të Gjirit ka qenë e mbetet gjithashtu një angazhim i Qeverisë shqiptare. Marrëdheniet me Egjyptin dhe Izraelin do të zhvillohen më tej mbi bazën e lidhjeve historike, tradicionale dhe interesave të përbashkëta.