Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim Kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë
Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim Kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë me ftesë të Kryeministrit.
Pas takimit, z. Nano dhe z. Ahmeti gjate një konference të përbashkët për shtyp u shprehën:
Kryeministri Fatos Nano: Z.Ali Ahmeti, kryetari i partisë qeverisëse të shqiptarëve të Maqedonisë, është mik në Tiranë sot. E falenderoj për gadishmërinë me të cilën iu përgjigj ftesës së Kryeministrit.
Ky është një rast i mirë për të thelluar më tej bashkëpunimin politik midis dy vendeve dhe angazhimet e përbashkëta, që ka marrë përsipër i gjithë faktori shqiptar në Maqedoni dhe në të gjithë rajonin për ndërtimin e shoqërive demokratike, për progresin e reformave që i afrojnë dhe anëtarësojnë vendet tona në BE dhe NATO, për këtë dialog politik që ndihmon bashkëjetesën dhe bashkëqeverisjen midis komuniteteve të ndryshme etnike, atje ku po ndërtohen demokraci multietnike, si dhe një numër çështjesh të tjera që lidhen me përshpejtimin e lëvizjeve të lira, të bashkëpunimit ndërkufitar, që si faktor qeverisës ne mund t'i nxisim dhe t'i programojmë më mirë në të gjitha aspektet në të cilat qeveritë e dy vendeve po shfaqin rezultate dhe progres, në dobi të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit të Ballkanit Perëndimor në botën Euro-Atlantike.
Mirëserdhe z.Ahmeti!
Kryetari i BDI, Ali Ahmeti: Është një kënaqësi e veçantë për mua që bëj takimin e parë të nivelit më të lartë me ftesë të Kryeministrit të Shqipërisë.
Ne jemi takuar edhe më parë, por jo të këtij niveli. Arsyeja është shumë e qëndrueshme, sepse të gjitha çështjet që kemi biseduar në takimet që kemi bërë buzë kufirit, në Pogradec, me krenari mund t'i shpalos edhe këtu, ka një përparim të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet dypalëshe Maqedoni-Shqipëri, duke filluar nga ministritë e Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme, të Transportit dhe tani të Ekonomisë, që kanë rezultuar me suksese mjaft të mëdha.
Mund të përmend rastin - shumë emocionues, - kur ushtria shqiptare me mjetet e saj parakaloi për manovra të përbashkëta në Krivallak të Maqedonisë dhe u pritën nga oficerë dhe nënoficerë shqiptarë. Ndërsa dikur ka qenë mollë e ndaluar që ushtria shqiptare të bënte manovra të përbashkëta në Maqedoni. Po ashtu ka patur takime mjaft të suksesshme midis ministrave tanë të Transportit dhe projekte që favorizojnë të gjithë hapësirën tonë, jo vetëm të shqiptarëve, por dhe të Ballkanit, si Korridori 8-të, projekti Ambo dhe projekte të tjera me leverdi për dy vendet tona.
Jam një nga luftëtarët që duhet të hiqen kufijtë, sepse i takojnë një gjenerate që shpesh na kanë rrezikuar edhe jetën. Për gjëra që kanë rrezikuar edhe jetën e shokëve të mi, unë do të luftoj pa kompromis, që kufijtë të hiqen.
Dëshiroj një Ballkan pa kufij dhe për këtë do të jem i pakursyeshëm, se përmes reformave do të kemi një Ballkan të integruar plotësisht në Europë. Edhe Europa ka patur po aq dhimbje sa kemi patur ne këtu, në Ballkan dhe sot kufijtë në mes të Alzas-Lorenës, ku janë derdhur lumenj gjaku nuk ekzistojnë, kështu që do të përpiqemi që edhe këto kufij ekzistues në një të ardhme jo të largët, të integruar bashkërisht, Shqipëria, Maqedonia dhe vende të tjera, me dinjitet të jemi pjesë integruese e Europës. Ky është qëllimi ynë i përbashkët.
Faleminderit për mikpritjen.
Pyetje për z.Ahmeti: Si po zbatohet Marrëveshja e Ohrit nga faktorët politikë kryesorë në Maqedoni?
Z. Ahmeti: Tash është kohë shumë e shkurtër për të elaboruar Marrëveshjen e Ohrit për atë që është arritur edhe çfarë ka mbetur për të bërë. Do të ndalem te kjo që ka mbetur për të bërë. Na ka mbetur ligji për simbolet kombëtare edhe ligji për gjuhën. Nuk kemi ndonjë vështirësi ligjet janë të gatshme, është një marrëveshje në mes të partnerëve të koalicionit, që do të lihet pas zgjedhjeve vendore. Ashtu dhe për përdorimin e simboleve nuk kemi probleme. Për herë të parë në Maqedoni këtë vit që e lamë pas, në rrugë institucionale zyrtare, festohet 28 Nëntori në Maqedoni, përdorimi i flamurit është i lirë. Kemi pas çështje me prioritet shumë më të madh se sa këto dy ligje, të cilat edhe pas zgjedhjeve do të jenë në procedurë parlamentare.
Pyetje për Kryeministrin: A diskutuat për çështjen e Kosovës në takim?
Z. Nano: Natyrisht se Kosova ka vendin e saj në rajon dhe në axhendën politike, që na përfshin të gjithëve, në axhendat e integrimit rajonal dhe të integrimit të rajonit në botën Euro-Atlantike.
Pra, Kosova, tashmë, me institucionet e saj demokratike të dala legjitimisht me zgjedhje të lira, me faktorët e saj politik përfaqësues vjen natyrshëm në të gjitha takimet, axhendat, analizat dhe vlerësimet, që bëjmë dhe ne krahas detyrave të përbashkëta dhe aspak të vecanta që ndajmë me aleatët ndërkombëtarë me të cilët punojmë për europianizimin e rajonit dhe me të cilët do të përballojmë gjithashtu, çështjen e statusit të Kosovës, në periudhën e afërt që kemi përpara.
Kosova vjen natyrshëm ashtu si probleme të tjera që kërkojnë ende përgjigje në rajonin tonë dhe më vjen mirë që çështjet që kanë mbetur pa përgjigje për Shqipërinë dhe për Maqedoninë janë inekzistente.