Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë disa nga përfaqësuesit e shoqatës së botuesve shqiptarë, Fatmir Toçi, Pirro Misha, Bujar Hudhri, Petrit Ymeri. Në këtë takim mer
Kryeministri Fatos Nano priti sot në një takim të veçantë disa nga përfaqësuesit e shoqatës së botuesve shqiptarë, Fatmir Toçi, Pirro Misha, Bujar Hudhri, Petrit Ymeri. Në këtë takim merrte pjesë edhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Blendi Klosi.
Në fillim të këtij takimi Kryeministri Nano shprehu angazhimin e qeverisë për një partneritet më të strukturuar me industrinë e botimit të librave në Shqipëri, për konsolidimin e mëtejshëm të saj, me qëllim mbështetjen e zhvillimit të jetës shpirtërore të artit e të kulturës. Sipas Kryeministrit, botuesit kanë një rol të pazëvendësueshëm, ku libri për shkakun e qëndresës së vërtetë dhe të aftësisë konkuruese të botuesve në këtë transformim, që ka pësuar Shqipëria në tranzicion, mbetet një nga elementët më ekzistencialë të kulturës dhe të civilizimit shqiptar.
Zoti Nano i përgëzoi për kurajon në ballafaqimin në ekonominë e tregut duke theksuar se industria e librit edhe pse në këtë fazë të zhvillimit të vendit është një produkt komercial, duhet të gëzojë një trajtim të veçantë. "Unë ndaj të njëjtin interes si ju edhe si lexues për një hop cilësor në fushën e botimeve në Shqipëri në cilësinë e përkthimeve, të redaktimeve, të kulturës së paraqitjes, pra të gjithë atij zinxhiri profesional të përpunimit të librit, që ka nevojë të përfeksionohet dhe ne jemi gati të identifikojmë me ju mbështetjen që duhet aktivizuar", tha Kryeministri Nano .
Më tej Kryeministri vlerësoi përpjekjet e botuesve kundër informalitetit në këtë fushë, si dhe respektimin e ligjeve që mbrojnë të drejtat e autorit. Në këtë kuadër Zoti Nano garantoi se produkti i industrisë së librit do të jetë më i mbrojtur nga qeveria në përputhje me ligjin e ri për librin si dhe u shpreh i gatshëm për të njohur më nga afër dhe për të mbështetur përpjekjet e botuesve kundër informalitetit dhe respektimin e të drejtës së autorit. "Ne e konsiderojmë këtë si një nga detyrimet prioritare që duhet të përmbushim në procesin e përqasjes së legjislacionit dhe të ndryshimit të administrimit publik për sa i takon një vendi që aspiron standartet e Bashkimit Europian edhe në fushën e kulturës", u shpreh Kryeministri.
Bashkëbiseduesit në këtë takim shqyrtuan edhe mundësitë e heqjes së TVSH nga industria e librit, e cila do të krijonte një impakt pozitiv jo vetëm për botuesit por do tu vinte në ndihmë shtresës së gjerë të lexuesve e dashamirësve të librit brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Lidhur me hartimin e ligjit të ri për librin botuesit përshëndetën punën e bërë dhe përfshirjen në të të reflektimeve e diskutimeve të tyre kolegjale. Gjithashtu ata vlerësuan partneritetin dhe mbështetjen institucionale të deritanishme nga ana e qeverisë, si dhe u shprehën të gatshëm për të bashkëpunuar në hartimin e politikave dhe platformave për rritjen cilësore të kësaj industrie si dhe të artit e kulturës në tërësi.
Kryetari i kësaj shoqate e vlerësoi si një mesazh shumë të mirë interesimin dhe kujdesin që po tregohet nga ana e qeverisë shqiptare për librin dhe lexuesin. Gjithashtu në këtë takim botuesit prezantuan edhe një ekspoze të punës dhe ambicjeve të tyre në zhvillimin e konsolidimin e mëtejshëm të industrisë së librit.