E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka nënshkruar sot, në mesditë, sëbashku me Ministrin e Financave Arben Malaj dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani, letrën e Mirëkuptimit dhe Memoran

Kryeministri Fatos Nano ka nënshkruar sot, në mesditë, sëbashku me Ministrin e Financave Arben Malaj dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani, letrën e Mirëkuptimit dhe Memorandumit të Politikave Ekonomike dhe Financiare me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Dokumentin e firmosur Kryeministri Fatos Nano ia ka dorëzuar më pas Përfaqësuesit të Përhershëm të FMN-së në Tiranë z. Jan Peter Olters, i pranishëm në këtë ceremoni.

Kryeministri Nano në fjalën tij me këtë rast u shpreh :

Memorandumi i politikave ekonomike financiare që firmosim sot sëbashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrin e Financave mbyll një cikël shumë të rëndësishëm të programit 3-vjeçar për uljen e varfërisë dhe për zhvillimin, që Shqipëria ka patur me FMN.

Qeveria e Shqiperisë përmes këtij komunikimi të përhershëm me FMN shpreh objektivat dhe vullnetin e saj politik dhe ekzekutiv për të kryer reforma të njëpasnjëshme strukturore dhe institucionale. Këto reforma po shfaqin rezultate të prekshme për të gjithë dhe një rritje mesatare ekonomike 6 % për disa vjet dhe një inflacion në kufijtë 2-4 % që e shoqëron këtë rritje, një ulje drastike të deficitit buxhetor dhe në përmirësimet e ndjeshme të treguesve socialë.

Bashkëpunimi i ngushtë me FMN në këto vite është një tjetër provë e pjekurisë dhe e përkushtimit të kësaj qeverisjeje për qytetarët e vendit për të krijuar një mjedis ekonomik, që favorizon sipërmarrësit dhe përmirëson cilësinë e jetesës së shqiptarëve, duke përmirësuar dhe mbështetur perspektivën e anëtarësimit tonë në BE.

Bashkëpunimi ka verifikuar progresin e bërë nga Shqipëria në kryerjen e reformave strukturore dhe institucionale të ekonomisë së tregut, duke sjellë konsolidimin e qëndrueshmërisë makrofiskale, stabilitetin dhe rritjen e kapaciteteve menaxhuese të administratës publike, duke rritur transparencën e vendimmarrjes në të gjitha nivelet dhe duke garantuar vazhdimin e përpjekjeve tona konsistente për ta sjellë ekonominë në standartet europiane të lëvizjeve të vlerave dhe të kapitaleve. Pra për të reduktuar në nivele periferike informalitetin.

Edhe pas përfundimit të këtij programi tre-vjeçar me FMN, Qeveria e Shqipërisë do të vazhdojë të bashkëpunoj me Fondin me një program tjetër. Stafet e FMN dhe të Qeverisë Shqiptare po punojnë aktualisht me seriozitetin e duhur, për ta konturuar këtë program mbështetje dhe monitorimi të ecurisë sonë ekonomike.

FMN dhe Qeveria e Shqipërisë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në zbatimin e politikave edhe më aktive, që sigurojnë shpërndarjen më të mirë të përfitimeve që vijnë nga rritja ekonomike, krahas formulimit dhe zbatimit të politikave që nxisin dhe rrisin aftësinë konkurruese të ekonomisë shqiptare me prioritet eksportet.

Më lejoni më në fund të them se politika e qeverisë ka qenë dhe mbetet- të ofrojë mundësi të drejtpërdrejta për të gjithë aktorët dhe kapacitetet potenciale, që të kontribuojë në përgatitjen transparente të politikave të zhvillimit dhe në përmbushjen e qëllimit të strukturuar në objektivat kombëtare të zhvillimit dhe integrimit të vendit në realitetet Euro-Aatlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›