Kryeministri Fatos Nano priti sot paradite në një takim të veçantë një delegacion të lartë të Selisë së Shenjtë të kryesuar nga Kardinali Pio Laghi, i cili shoqërohej nga përfaqësuesi
Kryeministri Fatos Nano priti sot paradite në një takim të veçantë një delegacion të lartë të Selisë së Shenjtë të kryesuar nga Kardinali Pio Laghi, i cili shoqërohej nga përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë në Tiranë Monsinjor Giovani Bulaitis, Padre Aurelio Mozetta, dr. Navarro Vals, ambasadori italian në Tiranë z.Masimo Jannucci si dhe nga ish- ambasadori italian në Shqipëri z.Paolo Foresti.
Në fillim të këtij takimi Kryeministri Nano ka shprehur kënaqësinë e veçantë për nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë si dhe ndihmën e saj për kapërcimin e vështirësive të periudhës së tranzicionit në Shqipëri.
Kardinali Laghi e njohu Kryeministrin Nano me kërkesën për vazhdimin e projektit të ndërtimit të një kompleksi spitalor si dhe krijimin e një Universiteti Katolik me Fakultet Mjekësie të quajtur "Nostra Signora del Buon Consiglio" ( Zonja e Këshillit të Mirë). Ndërtimi i këtij kompleksi spitalor në rrugën e Durrësit është një iniciativë dhe dëshirë e Nënë Terezës për t'i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe fëmijëve në Shqipëri.
Kryeministri Fatos Nano në këtë takim siguroi mbështetjen dhe angazhimin e plotë personal dhe të qeverisë që drejton për çuarjen përpara të këtij projekti, i cili do të përmbushë edhe dëshirën e të Lumturuarës Nënë Tereza.
"Jam shumë i kënaqur për rifillimin e inisiativës suaj të rëndësishme për ndërtimin e spitalit dhe Universitetit Katolik dhe ju siguroj se mbështetja e Qeverisë Shqiptare nuk do t'ju mungojë", tha Kryeministri Nano. "Unë jam i sigurt – shtoi Kryeministri- se kjo iniciativë e juaja shumë e rëndësishme do të ndihmojë jo vetëm komunitetin katolik në Shqipëri, por edhe sistemin e përgjithshëm spitalor dhe atë të edukimit".
Më tej Kardinali Laghi e ka njohur Kryeministrin Nano edhe me disa detaje të ndërtimit të këtij kompleksi spitalor, i cili fillimisht do të funksionojë me një kapacitet prej 200 shtretërish dhe një repart pedriatik, për tu pasuruar më pas edhe me reparte të tjera. Në këtë spital prioritet do të kenë fëmijët dhe njerëzit në nevojë. Ky do të jetë një spital modern dhe me një nivel të lartë profesional të mjekëve dhe infermierëve.
Vlera fillestare e financimit për ndërtimin e këtij kompleksi spitalor ka qenë rreth 15 milionë dollarë, ndërkohë që përmes donacioneve të popullit italian kjo shumë ka arritur deri në 40 milionë dollarë.