Kryeministri Fatos Nano është takuar sot në Podgoricë me Kryeministrin maqedon BrankoÇervenkovski dhe me Kryeministrin malazes, Milo Djukanoviç, në kuadër të takimit tripalësh mes Kryeminis
Kryeministri Fatos Nano është takuar sot në Podgoricë me Kryeministrin maqedon BrankoÇervenkovski dhe me Kryeministrin malazes, Milo Djukanoviç, në kuadër të takimit tripalësh mes Kryeministrave të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Gjatë takimit në Podgoricë, Kryeminstri Nano ka vlerësuar institucionalizimin e këtij takimi tripalësh mes vendeve tona, i cili ndikon në rritjen e kontakteve dhe forcimin e bashkëpunimit, duke propozuar që takimi i ardhshëm tripalësh që do të zhvillohet në 2005-ën, të organizohet në Shqipëri. Rimarrja dhe ripërtëritja e takimeve tripalëshe të Kryeministrave të tri vendeve tona, e kësaj nisme me shumë vlerë do t'i shërbejë konfirmimit të ecurisë pozitive të marrëdhënieve tona të fqinjësisë së mirë, nxitjes së bashkëpunimit dhe dialogut konstruktiv në rajon, si dhe përpunimit të ideve apo nismave të bashkëpunimit rajonal, është shprehur Kryeministri Nano.
"Marrëdhëniet me fqinjët dhe bashkëpunimi rajonal përbëjnë një nga akset themelore prioritare dhe të qëndrueshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë. Me aktivitetin, qëndrimet dhe politikën e saj, ajo është bërë jo vetëm faktor nxitës dhe mbështetës, por edhe element gjenerues i stabilitetit rajonal", tha Z.Nano.
Duke u ndalur në fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit, Z.Nano ka theksuar se korridoret infrastrukturore që kalojnë nëpër vendet tona si ai Tiranë-Podgoricë-Sarajevë, Korridori Adriatiko-Jonian dhe Korridori 8, duke qenë arterie tepër të rëndësishme për lidhjen e akseve rrugore, janë njëkohësisht edhe korridore të stabilitetit e të bashkëpunimit.
"Ne gjykojmë se është me interes vendosja e linjave të transportit rrugor ndërmjet kryeqyteteve tona. Tashmë funksionon linja Tiranë-Tetovë dhe sipas këtij modeli mund të inagurohej edhe një linjë Tiranë-Podgoricë. Me vlerë do të ishte gjithashtu edhe kalimi i një pjese të linjave të transportit rrugor midis Maqedonisë dhe Malit të Zi nëpërmjet territorit shqiptar", u shpreh z.Nano gjatë takimit tripalësh me homologët e Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Z.Nano ka propozuar gjithashtu vendosjen e linjave ajrore Tiranë-Shkup dhe Tiranë-Podgoricë, ndërkohë që është shprehur edhe për mundësitë e gjetjes së financimeve për realizimin e koneksionit të sistemit hekurudhor shqiptar me atë maqedon për të rritur rentabilitetin e transportit hekurudhor në dobi të të tre vendeve tona. Po ashtu, z.Nano ka vlerësuar se vendosja e linjave të trageteve në liqenin e Shkodrës dhe atë të Ohrit, do të hapte mundësinë e transportit ujor dhe nxitjen e turizmit mes tri vendeve.
Lidhur me bashkëpunimin në fushën e energjitikës, Z.Nano ka bërë të ditur se janë siguruar tashmë fondet e nevojshme për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë Elbasan-Podgoricë, ndërkohë që shprehu bindjen se edhe pala malazese do të sigurojë fondet e nevojshme për të mundësuar vënien në efiçencë të plotë të kapaciteteve energjitike të vendeve tona. Ndërkohë që me Maqedoninë janë në projekt linjat Zemblak-Maqedoni (Manastir-Bitola) 400 kV dhe Burrel-Maqedoni (Vrutok) 220 kV.
Kryeministri Nano e ka cilësuar interesante idenë e homologut të tij Djukanoviç për shpalljen e Malit të Zi, Republikë e ekologjike. Ndërkohë që ka bërë të ditur sugjerimin e specialistëve shqiptarë për kthimin e Bjeshkëve të Namura dhe Malësisë së Korabit në zona të turizmit malor dimëror dhe parqe kombëtare për secilin vend, respektivisht Bjeshkët e Namura për Shqipërinë dhe Malin e Zi dhe Malësia e Korabit për Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Duke u folur për bashkëpunimin në menaxhimin e kufijve dhe luftën kundër trafiqeve, Kryeministri Nano u ndal në tragjedinë që përjetoi Shqipëria para pak ditësh në detin Adriatik, ku 21 persona humbën jetën në përpjekje për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin detar.
"Edhe pse ky përbën një rast të izoluar pas operacionit të ndërmarrë nga të gjitha strukturat e shtetit vitin e kaluar, ngjarja tergon se lufta me krimin e organizuar nuk është një dramë me një akt, por një sipërmarrje e vështirë dhe e gjatë që kërkon, ndër të tjera një kuadër të plotë e bashkëkohor ligjor, mjete të sofistikuara dhe bashkëveprimin e bashkërendim të punës e përpjekjeve me fqinjët dhe partnerët tanë", u shpreh Z.Nano.
Kryeministri i Shqipërisë ka vlerësuar të dobishëm bashkëpunimin e vendosur në kuadër të Forumit Ballkanik të Ministrave të Rendit/Brendshëm (nismë e Ministrit tonë të Rendit Publik ku marrin pjesë Ministrat e Brendshëm të Serbi-Malit të Zi, Maqedonisë dhe Përfaqësuesit përgjegjës të Administratës së UNMIK-ut), që synon pikërisht rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit në përballjen me sfidën e përbashkët të luftës kundër këtyre fenomeneve.
Lidhur me lëvizjen e lirë të njerëzve në rajon, Z.Nano ripërsëriti idenë e prezantuar nga Shqipëria për krijimin e një zone rajonale të Europës Juglindore, të tipit Schengen. "Tri vendet tona aplikojnë një sistem liberal vizash, por mendojmë se mund të punohet ende për lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve duke parë edhe mundësinë e realizimit të qarkullimit me anë të kartave të identitetit", u shpreh z.Nano. Sipas Kryeministrit, lehtësimit të qarkullimit të lirë do t'i shërbente edhe hapja e pikëkalimeve të reja kufitare ndërmjet vendeve tona. Tashmë janë dy pikëkalime të reja në proçes me Maqedoninë (Steblevë dhe Trebisht), si dhe një me Malin e Zi (Tamarë).
Kryeministri Nano është ndalur edhe në bashkëpunimin në fushën e arsimit, kulturës, proçeset integruese dhe angazhimet e përbashkëta ndërkombëtare, integrimi në BE dhe në NATO, etj.