E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas takimit trepalësh të zhvilluar në Podgoricë të Malit të Zi, Kryeministrat e Shqipërisë, Z.Fatos Nano, Maqedonisë, Z.Branko Cervenkovski dhe ai i Malit të Zi, Z.Milo Djukanovic deklaruan

Pas takimit trepalësh të zhvilluar në Podgoricë të Malit të Zi, Kryeministrat e Shqipërisë, Z.Fatos Nano, Maqedonisë, Z.Branko Cervenkovski dhe ai i Malit të Zi, Z.Milo Djukanovic deklaruan në një konferencë për shtyp vullnetin e përbashkët për të hartuar një plan të përbashkët veprimi për të rritur bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe realizimin e projekteve në fushën energjitike dhe atë infrastrukturore.

"Bashkëpunimi në shumë fusha mes vendeve tona, po merr gjithnjë e më shumë pamjen e një bashkëpunimi të plotë rajonal, ndërsa qeveritë tona po përfshijnë në bashkëpunim edhe aktorë të tjerë, si sipërmarrës të lirë, apo ekspertë të fushave të ndryshme", tha Z. Nano. Duke shtuar se me homologët e tij u ra dakord për të intensifikuar përpjekjet për realizimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitaleve dhe njerëzore mes tre vendeve.

Gjatë takimit të sotëm ramë dakord gjithashtu, nënvizoi Kryeministri shqiptar, për të nxitur një sërë nismash të përbashkëta, për të rritur përpjekjet në luftën kundër trafiqeve, krijimin e një tregu të përbashkët energjitik, si dhe bashkëpunimin në fushën e transportit. Z. Nano vuri në dukje se aspekti tjetër që u diskutua ishte siguria e kufijve dhe përpjekjet për ti bërë ato më të hapura dhe të sigurta.

Gjithashtu Kryeministrat Nano, Cervenkovski dhe Djukanovic theksuan rëndësinë e kontrollit të kufijve për të parandaluar trafiqet dhe për të rritur sigurinë rajonale. "Ne do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar institucionet e shtetit të së drejtës, për të rritur bashkëpunimin e mëtejshëm dhe për të hartuar strategji të plota në fushat kryesore të bashkëpunimit", theksuan tre homologët. Ata u shprehen se do të intensifikojnë përpjekjet për të arritur standartet e kërkuara, në mënyrë që të përshpejtohet edhe integrimi i tre vendeve në strukturat euroatlantike.

Në fund të konferencës për shtyp, të tre Kryeministrat u shprehen se mbështesin dhe përgëzojnë Prishtinën zyrtare, për zhvillimet e fundit demokratike atje dhe arritjet e deritanishme. Ata deklaruan se mbështesin fuqimisht nisjen e bisedimeve për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, brenda gjysmës së parë të vitit 2005, sipas planeve euro-amerikane, që kërkojnë zbatimin e një sërë standartesh në këtë vend.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›