E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Fatos Nano priti sot zotin Guido Ottolenhgi, drejtues i shoqërisë "PIR", një nga liderët e depozitave të karburanteve dhe lubrifikanteve në tregun energjetik evropian Shoqë

Kryeministri Fatos Nano priti sot zotin Guido Ottolenhgi, drejtues i shoqërisë "PIR", një nga liderët e depozitave të karburanteve dhe lubrifikanteve në tregun energjetik evropian

Shoqëria me eksperiencë 80 vjecare prezantoi një projekt investimi me vlerë 30 milion euro për ndërtimin e një kompleksi depozitimi në qytetin e Vlorës, i cili është në procedurë shqyrtimi dhe miratimi nga ana e autoriteteve përkatëse vendore dhe Qeveria.
Ky kompleks është projektuar mbi zgjidhje teknike bashkëkohore që garantojnë ruajtjen e pastërtisë së ambjentit sipas standarteve të Komunitetit Evropian dhe krijon mundësi që Vlora të shndërrohet në qendër rajonale depozitimi dhe shpërndarje për furnizimin e konsumatorëve lokal, të industrisë, të energjetikës dhe për eksport me produkte të naftës dhe gaz. Ndërtimi i këtij kompleksi që do zgjasë dy vjet parashikon ndërtimin e një terminali modern për ankorimin e tankerëve të karburanteve dhe gazit, është burim potencial furnizimi për Termocentralin që është parashikuar të ndërtohet në po atë zonë. Ky kompleks do të jetë dhe një mundësi reale për të zgjeruar tregun e punës për qytetin e Vlorës.
Me vënien e plotë në shfrytëzim të kompleksit kapacitetet përpunuese do të arrijnë 500 mijë ton në vit për naftën dhe nënproduktet e saj dhe 100 mijë ton në vit për gazin e lëngshëm.
Afrimi i këtij shërbimi nga kjo shoqëri e specializuar pritet të ulë kostot e shërbimit dhe të tregëtimit të shoqërive të karburanteve që operojnë sot në tregun shqiptar, duke eleminuar investimet individuale për depozitim.
Shoqëria "Patrolifera Italo – Albaneze (PIA)" që do të realizojë këtë projekt nuk kryen vetë tregëtimin e karburanteve dhe lubrifikanteve, por vetëm depozitimin e tyre, duke krijuar dhe lehtësira ligjore për kontrollin doganor dhe fiskal të shtetit në këtë treg.
Bashkëfinancues në këtë projekt është edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kosto e Qeverisë shqiptare në realizimin e këtij projekti është Zero pasi shoqëria kërkon të operojë në formë koncesionare sipas ligjit "Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë".
Kryeministri vlerësoi projektin si dhe bashkëpunimin e deritanishëm të shoqërisë "PIA" me autoritetet shqiptare si dhe garantoi mbështetjen e tij për përshpejtimin e procedurave që të mundësohet nisja sa më shpejt e këtij investimi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›