Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot në mesditë në një takim të gjërë pune me Ministrin e Ekonomisë dhe Industrisë, Patrick Devedian. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të kompani
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot në mesditë në një takim të gjërë pune me Ministrin e Ekonomisë dhe Industrisë, Patrick Devedian. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të kompanive franceze të interesuar për të investuar në Shqipëri dhe përfaqësues të medias.
Ministri Devidian, pasi i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Nano, theksoi rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Francës dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare dypalëshe. Z.Devidian u shpreh se Franca dëshiron të shtojë shkëmbimet tregtare dhe praninë ekonomike të saj në Shqipëri dhe kjo nuk është vetëm një dëshirë e Francës, por edhe një kërkesë e perspektivës europiane të Shqipërisë. "Franca është e interesuar të identifikojmë të gjitha mundësitë për të zhvilluar në tërësi marrëdhëniet me Shqipërinë", tha z.Devidian.
Në këtë drejtim, Kryeministri Nano ftoi kompanitë franceze për të marrë pjesë në procesin e privatizimit të sektorëve strategjikë. Ai e ftoi ministrin Devidian për një vizitë në Shqipëri, sëbashku me përfaqësues të sipërmarrjes franceze për t'u njohur me realitetin dhe zhvillimet ekonomike në vend, si dhe për të identifikuar fushat e bashkëpunimit. Z.Devidian e mirëpriti ftesën e Kryeministrit dhe u shpreh se do të vizitojë së shpejti Shqipërinë.
Gjithashtu Kryeministri e njohu me faktin se Shqipëria është duke u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi "se ajo që më intereson si Kryeministër i vendit dhe për të cilën po punojmë është zhvillimi i një procesi pa probleme dhe sipas standarteve demokratike".
Më pas, z.Nano iu përgjigj interesit të pjesëmarrësve në takim në lidhje me atë se çfarë ofron Shqipëria, zhvillimet ekonomike në vend në mënyrë që kompanitë franceze të mund të gjejnë të gjitha hapësirat për investimet e tyre në Shqipëri. Z. Nano tha se Shqipëria ofron të gjiha kushtet dhe ka resurse të shumta që e bëjnë atë atraktive që sipërmarrjet e huaja të investojnë në Shqipëri. "Shqipëria nuk duhet parë më me sytë e së kaluarës, por duhet parë me atë të realitetit në ndryshim, të dinamikës së zhvillimit dhe atë të perspektivës europiane", tha z.Nano.