Sot, zëvendëskryeministri Namik Dokle, në një ceremoni të veçantë, i dorëzoi zotit Giulio Moreno, Drejtorit të Zyrës së Përhershme të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZ
Sot, zëvendëskryeministri Namik Dokle, në një ceremoni të veçantë, i dorëzoi zotit Giulio Moreno, Drejtorit të Zyrës së Përhershme të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dekoratën "Urdhëri i artë "Nënë Tereza"" me motivacionin "Për akte të shquara humanizmi ndaj kombit shqiptar dhe njerëzimit", me rastin e transferimit të tij në departamentin e institucioneve financiare të BERZH-it në Londër ku do të vazhdojë të jetë përgjegjës edhe për sektorin financiar shqiptar.
Zëvendëskryeministri Dokle, duke i dorëzuar dekoratën, i shprehu zotit Giulio Moreno, vlerësimin maksimal të Kryeministrit Fatos Nano dhe të Qeverisë Shqiptare për veprimtarinë e tij si drejtor i zyrës së BERZH-it në vendin tonë dhe vuri në dukje rolin mjaft të rëndësishëm që ka luajtur ai në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet kësaj banke dhe Qeverisë Shqiptare për tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë, në ndihmesën e shquar në privatizimet strategjike, si dhe në nënshkrimin e një sërë projeketesh të rëndësishme me një financim të përgjithshëm prej 200 milion eurosh.
Dokle theksoi, se me personalitetin dhe profesionalizmin që e karakterizon, zoti Moreno, ka bërë të mundur që të krijojë një klimë të re në favor të Shqipërisë jo vetëm në institucionin që ai përfaqëson, por edhe në mbarë opinionin ndërkombëtar.
Drejtori i zyrës së përhershme të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), Giulio Moreno, nga ana e tij, falenderoi Qeverinë Shqiptare dhe Kryeministrin Nano, për nderin e lartë që iu bë, duke vënë në dukje bashkëpunimin e shkëlqyer që ka patur me Qeverinë Shqiptare dhe u shpreh se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe BERZH-it do të vazhdojë dhe se ai nuk do të pushojë së kontribuari për të ndihmuar Shqipërinë.