Kryeministri Fatos Nano, i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm, Kastriot Islami dhe delegacioni që e shoqëron, u prit sot pasdite në një takim të veçantë nga Ministri i Jashtëm i Francës, z. M
Kryeministri Fatos Nano, i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm, Kastriot Islami dhe delegacioni që e shoqëron, u prit sot pasdite në një takim të veçantë nga Ministri i Jashtëm i Francës, z. Michel Barnier.
Në fillim të takimit, të dy personalitetet
vlerësuan nivelin shumë të mirë të arritur së fundi në dialogun politik mes Francës dhe Shqipërisë, duke u shprehur se ka ardhur koha që këtij niveli t'i bashkangjitet edhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike.
Z. Barnier vlerësoi progresin e arritur në Shqipëri dhe inkurajoi hapat e mëtejshëm në këtë drejtim, duke rikonfirmuar mbështetjen e Francës në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Të dy autoritetet kanë diskutuar në mënyrë të vecantë për nxitjen e kompanive franceze për të marrë pjesë në sektorë të rëndësishëm dhe strategjik të ekonomisë në Shqipëri, në sektorin e energjisë, telekomunikacionit, turizmit, etj, si dhe në procesin e privatizimeve. Gjithashtu, të dy autoritetet ranë dakort për realizimin së afërmi të një vizite të Ministrit të Ekonomisë së Francës në Shqipëri dhe takimit të përfaqësuesve të Dhomave të Tregëtisë së të dy vendeve, për të krijuar hapësirat e komunikimit dhe për të diskutuar konkretisht për këto cështje.
Kryeministri Nano dhe Ministri i Jashtëm Francez, Barnier, ndanë të njëjtin mendim se këtyre hapave duhet t'u përgjigjen edhe nismat ligjore që lehtësojnë nxitjen e investimeve, vecanërisht për heqjen e taksimit të dyfishtë mes dy vendeve.
Të dy autoritetet diskutuan edhe për impaktet pozitive që krijohen nga lehtësimi i lëvizjes së lirë të njerëzve, vecanërisht për kategori të caktuara shoqërore si, intelektualë, akademikë, përfaqësues të biznesit etj, proces ky që ndikon në forcimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve dypalëshe në fusha të ndryshme.
Gjithashtu, z. Barnier vlerësoi punën dhe arritjet konkrete të Shqipërisë në drejtim të goditjes së fenomeneve negative, si dhe shprehu vullnetin e palës franceze për të vendosur një koordinim të ngushtë në aspektin e bashkëpunimit policor, Shërbimeve të specializuara, etj.
Duke u ndalur në zhvillimet ne rajon, Ministri i Jashtëm francez, Barnier, theksoi se roli i Shqipërisë është nevralgjik në rajonin e Ballkanit në forcimin e stabilitetit dhe paqes, ndaj dhe mbështetja e Francës për Shqipërinë do të jetë shumë e rëndësishme në këtë funksion.
Përsa i përket çështjes së Kosovës, ata ndanë të njëjtin mendim se e ardhmja e saj është integrimi ne Bashkimin Europian.
Në këtë takim, Kryeministri Nano dhe Ministri i Jashtëm francez, Barnier, u ndalën edhe në bashkëpunimin në fushën e arsimit, ku Kryeministri Nano ftoi palen franceze për hapjen e një liceu franko-shqiptar në Shqipëri. Nga ana e tij, z. Barnier vlerësoi nxitjen që i bëhet në Shqipëri në fushën e arsimit, programeve të gjuhës frënge, si dhe përshëndeti vendimin për hapjen e Departamentit të Gjuhës Frënge në Universitetin e Shkodrës.
Me pas, në shenjë simbolike z. Barnier ftoi Kryeministrin Nano në sallonin ku shumë vite më parë, ish-Ministri i Jashtëm i asaj kohe, Robert Schuman, ka mbajtur fjalimin i cili hodhi themelet e asaj që më vonë u quajt Bashkimi Europian.
Kryeministri Nano, nesër, rreth mesdites, do të takohet me Presidentin e Francës, Jacques Chirac.