E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore, Biagio Bossone. Në këtë takim Kryeministri Nano vlerësoi kontributin dhe asistencën e deritanishm

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore, Biagio Bossone.

Në këtë takim Kryeministri Nano vlerësoi kontributin dhe asistencën e deritanishme të Bankës Botërore për Shqipërinë, si dhe theksoi faktin se Qeveria Shqiptare në këtë proces nuk është thjesht dhe vetëm përfituese e kësaj ndihme, por është maksimalisht e angazhuar si një partnere e këtij institucioni të rëndësishëm financiar ndërkombëtar.

Kryeministri Nano u shpreh se përmirësimi i vazhdueshëm i dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomiko-Social (SKZHES) po vijon në funksion të lidhjes sa më të mirë të këtij dokumenti me buxhetin vjetor dhe atë afat-mesëm, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare dhe rritjes së përgjithshme të kualitetit të jetës në vendin tonë.

Zoti Nano e njohu Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore me punën dhe impenjimin që po i kushtohet faktit që SKZHES të luajë rolin e një strategjie gjithëpërfshirëse apo një strategjie të integruar, me qëllim që të realizojë koordinimin e të gjithë axhendave qeverisëse, si dhe të një dokumenti që do të shërbejë si një platformë e rëndësishme në dialogun ndërmjet donatorëve dhe Qeverisë Shqiptare.

Bashkëbiseduesit në këtë takim identifikuan si faktorë të rëndësishëm në këtë proces forcimin e institucioneve shtetërore, rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në të gjitha nivelet, nxitjen e zhvillimit njerëzor, si dhe maksimizimit të efektivitetit të ndihmës së donatorëve në sektorët prioritarë të përcaktuara edhe në dokumentin e SKZHES.

Në lidhje me koordinimin e ndihmës së huaj Kryeministri Nano u shpreh se jemi në rishikimin e përgjegjësive për çdo institucion që lidhet me përfitimin e asistencës së huaj dhe në përgatitjen e një skeme të qartë të koordinimit të donatorëve.

Gjithashtu, në këtë takim bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin opinion lidhur me rëndësinë e kombinimit të investimeve me mbështetjen buxhetore në një raport në favor të projekteve të investimeve me impakt afat-gjatë.

Nga ana e tij zoti Bossone vlerësoi progresin e deritanishëm duke u shprehur se ky ambjent i ri pozitiv do t'i shërbejë nxitjes së investimeve të huaja në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›