Shoqe dhe shokë, Të nderuar pjesëmarrës! Mbledhja e sotme do të mbetet e shënuar në jetën politike të Partisë Socialiste. Ne sot do të hedhim një hap të rëndësishëm në procesi
Shoqe dhe shokë,
Të nderuar pjesëmarrës!
Mbledhja e sotme do të mbetet e shënuar në jetën politike të Partisë Socialiste. Ne sot do të hedhim një hap të rëndësishëm në procesin e përsosjes së mëtejshme të demokracisë sonë të brendshme, duke nisur institucionalizimin e parimit të strukturave mbi demokraci të drejtpërdrejta, "një anëtar një vote".
Gjithashtu, sot, përmes vendimeve që do të marrim do të krijojmë edhe një garanci më shumë, që nuk është vetëm në rrafshin organizativ, për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 2005-ës, duke ndërtuar sipas statutit në çdo zonë zgjedhore, struktura dhe shtabe elektorale politike të zgjedhura nga anëtarësia. Me masat që po marrim sot dhe me ato që do të vazhdojmë të shfaqim një legjislaturë të përgjegjshme përballë vendit dhe shumicës së shqiptarëve që na kanë votuar.
Ne po vazhdojmë të zbatojmë detyrat që ka vënë mbledhja e fundit e forumit të lartë drejtues, edhe në përtëritjen e partisë, të cilat nuk janë çështje gërr-mërresh apo doktrinash propagandistike, por janë veprime reale që po ndërmerren në kohën e duhur për të vitalizuar më tej jetën dhe forcën e parties, në përfaqësimin e konkurimit politik dhe qeverisës, gjithnjë me synim fitoren bindëse në zgjdhjet parlamentare të ardhshme.
Kam kënaqësinë të deklaroj në emrin tuaj se Partia Socialiste e Shqipërisë është partia e parë politike që adapton parimet dhe procedurat e ushtrimit të demokracisë direkte, "një anëtar një votë", natyrshëm, kombinuar me demokraci përfaqësuese. Në kohën kur në shumicën e partive politike shqiptare forumet a drejtuesit emërohen sipas vullneteve të 1-shit, madje kemi edhe 1-sha tradicionalë që nuk konkurojnë kurrë, në partinë tonë do të jetë anëtarësia që do të japë verdiktin e saj për të përzgjedhur militantët dhe përfaqësuesit më të mire, më profesionistë, më të aftë, më të ndershëm dhe të denjë për vlerësimin socialist dhe progresist që meriton Shqipëria.
Ky hap i ri transformues në gjirin e partisë është normal dhe i natyrshëm me gjithë evolucionin tonë historik drej progresit bashkëkohor. Prandaj vjen në kohën e duhur, si një zhvillim që në vetvete përvecse e afron më shumë anëtarësinë me vendimmarrjen, rrit shkallën e përgjegjësisë se çdo zgjedhësi-anëtar, por mënjanon edhe disa difekte apo efekte negative, që kishin nisur të shfaqeshin në konkurimin tonë të brendshëm politik, për shkak të fenomeneve apo përpjekjeve për trafikim votash, shpërdorim të mandateve dhe deformim të votës së forumeve.
Deformimi në disa raste i demokracisë përfaqësuese ngriti lart shqetësimin politik dhe moral të të gjithë anëtarësisë së partisë dhe të vet KPD-së, prandaj ne kryem analizat e nevojshme dhe sjellim sot fillimin e zgjidhjes, krijimin e Komiteteve Zonale Elektorale, krahas konstituimit të tyre me zgjedhjet, duke konsoliduar forumet e partisë në bazë qarku gjithashtu, pra, në strukturat ekzistuese të rrethit, PS hedh vendosmërisht një hap të rëndësishëm për t'u shndërruar realisht dhe në mënyrë të strukturuar nga një parti klasike, në një parti tërësisht elektorale, sipas modelit të socialdemokracisë moderne perëndimore.
Kryesia e PS, mbështetur dhe në kontributet e Komisioneve të përhershme të KPD-së, gjykoi se zbatimi i demokracisë direkte ne strukturat zonale elektorale të partisë është hap i duhur dhe një shans i madh për të shtuar radhët gjithashtu, për të përmirësuar cilësinë e militanteve dhe përfaqësuesve, për të shembur gardhe që ndajnë ekspertët dhe profesionistët nga formacioni ynë politik, për të rritur cilësinë e politikbërjes, të vendimmarrjes, në dobi të shtetasve që na kanë besuar për t'i qeverisur.
Reforma që ndërmerret në kushtet kur partitë e tjera politike, sidomos ato të opozitës janë të varfra më shumë se kurrë në alternativa dhe prandaj më të paaftë se kurrë në konkurim, na bën koshient se në 7 vjet qeverisje ne, Partia Socialiste dhe aleatët tanë progresist kemi krijuar jo vetëm një magazinë arritjesh dhe suksesesh, por kemi krijuar edhe ide të reja, alternativa të reja, mundësi të reja, forca të reja, për sipërmarrje të të gjithëve në përmirësimin e standarteve të jetës së vendit drejt botës moderne.
Të dashur shoqe e shokë,
Është krejtësisht normale që një parti apo koalicion qeverisës të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe të medias për ato që bën dhe për ato që duhet të bëjë, kur detyrimi dhe angazhimi për transparencë maksimale përballë zgjedhësve dhe medias, i ndërtuar me mjaft kurajo nga ne, keqpërdoret apo shndërrohet në një sport ekstrem për të na goditur me apo pa të drejtë, vend apo pa vend, përballë apo pas shpine. Natyrshëm kërkohet aksion dhe kundërveprim politik i partisë dhe aq më pak reaksion inatçor apo individual, aq më pak akoma apati dhe strukje. E them këtë sepse sic po e ndiqni, të trembur dhe të lodhur nga ky reaksion i opozitës së vjetër dhe i medias së sponsorizuar qartaz prej saj, një pjesë e socialistëve tashmë janë rreshtuar kundër nesh. Duke u bazuar në fraza parimesh demografike nga interneti, po kërkojnë të shiten si të vërtetë, luajalë a liberalë.
LSI tashmë është krejtësisht e qartë që ka vetëm një fizionomi: Lëvizja e Salinjve të Inatosur, natyrisht për të drejtuar amebat. Saliu tjetër, ai i vërteti dhe ai i vjetri, vazhdon të përdhunojë cdo iniciativë apo konkurencë në partinë e tij dhe në institucionet e Republikës sonë Parlamentare. Berisha nuk është bërë më i mirë, as më i butë dhe aq më pak më moderator, siç tentojnë ta paraqesin ata që e takojnë vetëm në Sheraton apo në Rogner,- natyrisht jo tek tavolina 20-. Berisha po bëhet më i vetmuar, më pa përkrahje, më pa forcë, më pa ndikim. Unë nuk gëzohem dhe këtu jam i sinqertë, se u vërtetua paralajmërimi im për bashkëpunim të Ilir Metës me Sali Berishën dhe Gazideden, qysh në kohën kur unë isha në burg dhe ju luftonit për lirinë e të gjithëve. Kemi investuar shumë së bashku për të krijuar një klimë drejtësie, kohezioni dhe konkurence në Shqipëri dhe në parti, një model meritokracie që pavarësisht difekteve ka dhënë shumë rezultate.
Përballë kësaj analize, kundërshtarët tanë do të ringrihen dhe do të na kujtojnë zgjedhjet vendore të tetorit 2003. Më lejoni të deklaroj sërish dhe me përgjegjësi se ne fituam, por rezultati, edhe pse fitues, nuk ishte ai që prisnim dhe ai që meritonim. Por, tani të gjithë e dimë se votat nuk na humbën prej Berishës, por aleatëve të tij, Berishkave klandestinë të strukur prej vitesh brenda nesh apo koalicionit, që tani kanë dalë hapur kundër stabilitetit dhe progresit europian të Shqipërisë që ne po cojmë përpara, prandaj janë përfundimisht në krahun e Berishës.
Kjo analizë është edhe një nga deduksionet e rëndësishme që po sjell Kuvendimi i madh, i cili po zhvillohet me sukses, me energji, me përkushtim dhe me përgjegjshmëri në të gjithë vendin. Njerëzit kudo po nxjerrin në pah shumë më mirë se sa deri më sot, avantazhet dhe të metat e punës sonë politike, qeverisëse dhe përfaqësuesve.
Jam shumë i inkurajuar nga ecuria e deritanishme e Kuvendimit, prandaj gjej me vend këtë forum të lartë, ku janë edhe anëtarët e kryesisë, edhe deputetët, edhe kryetarët e rretheve, ministra apo zëvendës të tyre, që të kërkoj të vazhdoni të zbrisni masivisht në anëtarësi dhe elektorat, për të verifikuar gjithçka, vetveten, dhe për të përmirësuar gjithçka për të garantuar fitoren në zgjedhjet e 2005.
Me Kuvendimin po provohet se mesazhet, idetë dhe shpirti i bazës dhe i elektoratit progresist janë shumë herë më të gjalla se slloganet e zyrave dhe janë krejtësisht të ndryshme nga raportimet standarte që disa përfaqësues forumesh apo institucionesh na paraqesin kur vijnë në Tiranë.
Le t'u japim përfundimisht fund praktikave të takimit të njerëzve në salla të mbylluara, apo në salla të izoluara, në drekëra a darka klanesh, hokatarësh dhe servilësh. Duhet të trokisni në dyert e shqiptarëve dhe socialistëve të thjeshtë, për të parë dhe kuptuar drejtpërsëdrejti nevojat dhe interesat e tyre. Mos lejoni që njerëzit më të aftë dhe më të mirë nëpër komuna, në bashki apo në zona elektorale, të ndëshkohen, të dekurajohen, të penalizohen e të mbahen larg strukturave dhe forumeve tona, për shkak se drejtues të konsumuar strukturash, nga frika e konkurimit, apo babëzia e pafund, mbajnë postet me thonj. Aq më pak duhet të lejojmë që këto vlera të rrëshqasin tek opozita për fajin tonë. Me këtë nuk them që t'i korruptojmë apo rekrutojmë këta njerëz, flas për një realitet që vetëm ne e krijuam në partinë tonë dhe në shoqërinë shqiptare; në partinë tonë ku vlerat kurrë nuk kanë qenë të huaja, dhe ku shtimi i vlerave ka qenë motorr i zhvillimit.
Partia Socialiste do të mbetet një parti e hapur ku të rinjtë që vijnë shtojnë dhe pasurojnë vlerat tona dhe nuk nxjerrin askënd të tepërt. Për ne konkurenca është e shenjtë, lufta e bërrylave, dhe ca më keq ajo përjashtuese, është e huaj. Partia nuk ka kufi mase, sepse nuk është sofër për të ngrënë. Kjo është tribunë dhe mjedis kontributesh për përparimin dhe europianizimin e vendit, prandaj janë të mirëseardhur të gjithë ata që realisht e duan vazhdimin dhe konsolidimin e këtij progresi.
Të dashur shokë,
Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së partisë u kërkova shokëve që ju keni zgjedhur më shumë veprim solidar, më shumë kontakte me njerëzit, më shumë shfaqje publike dhe marrje përgjegjësish përpara publikut, më shumë transparencë ndaj cilitdo që ka nevojë për informacion, më pak burokraci në ushtrimin e detyrave përfaqësues, më shumë protagonizëm politik dhe më pak protagonizëm personal. Shokët sekretarë janë duke hartuar dhe mbikqyrur kalendarin e veprimeve dhe kontakteve të secilit anëtarë kryesie të partisë deri në Kongresin e Janarit. Njerëzit e thjeshtë janë në punë, për këtë arsye nuk kanë kohë të na shohin të kapardisur vetëm në ekrane televizorësh, dhe të kujtojmë se u japim lajme që vetëm ata duhet t'i kthejnë në vota. Pa e nënvlerësuar aspak rolin e komunikimit dhe përcjelljes së mesazheve mediatike, që padyshim duhet të vazhdojnë të fuqizohen, nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se komunikimi përmes saj ka edhe një mangësi të madhe.
Në media flasim vetëm ne, nuk ka bashkëbisedues. Prandaj është i domosdoshëm vijimi dhe thellimi i Kuvendimit të madh, prandaj duhet të zbresim më të organizuar, më të sinkronizuar, më përmasivisht për t'i dëgjuar njerëzit, duke u shpjeguar gjithë reformat që kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim, në dobi të përmirësimit të mirëqënies, të hapësirave të lirisë dhe iniciativës, për lehtësimin e kushteve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe për sipërmarrjen. Nuk mjafton që të shkoj unë në Zharrës për të promovuar heqjen e akcizës së karburanteve për 63 mijë ferma bujqësore. Kudo ku ka struktura partie dhe shyqyr që ka gjithandej, kudo ku ka institucione të specializuara, duhet të dilet nga zyra dhe të kontaktohen drejpërdrejtë njerëz, për informim, për thithje opinionesh dhe zgjidhjesh që e përshpejtojnë zhvillimin.
Sapo miratuam në qeveri projektin e Buxhetit 2005 dhe Paketën Fiskale. Janë me dhjetra arritje që duhet t'u bëhen të ditura njerëzve dhe sipërmarrësve taksapagues. Nuk mund të ezaurohen qindra faqe reformash të dobishme për përmirësimin e infrastrukturave, të sistemit arsimor dhe shëndetësor, që shtojnë burimet financiare për institucionet dhe për shtetasit, që garantojnë konsolidimin e sigurisë dhe shtetit të se drejtës kundër krimit dhe trafiqeve, me 3 minuta që del në televizion Kryeministri apo ministri përkatës. Duhet të jenë të gjithë në media, të gjithë pranë njerëzve, në anëtarësi dhe në mes të zgjedhësve.
Një mënyrë e tillë organizimi dhe funksionimi kërkon ekipe, ekipe politike dhe ekipe ekspertësh të përgatitur që në parti, në shumë raste mungojnë të vijnë. Unë e di që disa individë mes nesh do të tentojnë të aplikojnë trafikimin e votës edhe për konstituimin e Komiteteve Zonale Elektorale. Nga kjo tribunë përfitoj t'u bëj thirrje anëtarëve të thjeshtë të partisë dhe përfaqësuesve të bazës, të cilët do të votojnë direkt, të mos marrin parasysh interesa individuale të cilitdo që kërkon votë për vete, por fatet e partisë të lidhura ngushtë me fatet e zhvillimit të vendit.
Më lejoni të kujtoj se nëse marifetet për interesa klanore dhe karrierës personale, do të arrijnë të mbajnë kësaj radhe larg forumeve zonale, profesionistë, militantë të reformave, vlera të spikatura, njerëz me shpirt progresist dhe ekspertë, me të cilët punohet kudo, faktikisht fitorja në zgjedhjet e ardhshme rrezikon të tkurret dhe Berisha apo "kanibali" është prapa derës.
Unë kam besim tek militantizmi, përvoja, përgjegjshmëria dhe energjia e ju të gjithëve dhe gjithë anëtarëve të partisë, prandaj jam i sigurt se reforma e ndërmarrë do të prodhojë efekte shumë pozitive për të ripërtërirë veprimtarinë dhe iniciativën politike të partisë, përfaqësinë e saj në qeverisje dhe efektin e drejtimit të vendit prej nesh.
Motra dhe vëllezër,
Sic e patë edhe nga shtypi, sot ligjërisht mund të lejohem të klasifikohem i pasur, pasi Gjykata e Milanos, e një shteti ligjor dhe demokratik dënoi një gazetë italiane "L'unita", të paguajë 200 mijë Euro gjobë, për shpifje ndaj meje. Them që mund të deklarohem ligjërisht i pasur, sepse nuk kam marrë ende asgjë dhe më lejoni ta mbyll deklaratën duke thënë se kur të vijë ajo ditë që unë t'i marr këto para, do t'i dhuroj për shtresat në nevojë.
Para disa ditësh, Kuvendi i Shqipërisë nuk e miratoi kërkesën e Gjykatës më të lartë të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të Nikollë Lesit, i cili- në të kundërt të botuesve të gazetave perëndimore që jo vetëm më kanë kërkuar ndjesë me një varg letrash, por i janë nënshtruar vendimit të një Gjykate të thjeshtë,- ndërrmori një sulm të paparë që në thelb,- pavarësisht faktit të thjeshtë, që kemi të bëjmë me një shpifje të montuar keq,- synon të cënojë interesa më të gjera se sa ato të Kryeministrit, të cënojë sigurinë kombëtare, stabilitetin e vendit, të mazhorancës, rolin tonë konstruktiv në rajon dhe tenton në analizë të fundit të paraqesë sikur aksioni i përgjegjshëm, atdhetar dhe i rakorduar me ndërkombëtarët, i këtij vendi dhe i kësaj pjese të ndriçuar të botës për çlirimin e Kosovës,- ku kontributi i Shqipërisë, i njerëzve të saj të thjeshtë dhe i yni, që patëm fatin të qeverisim në atë kohë, do të shkëlqejë pafund,- nuk paska qenë asgjë më shumë veçse një rezultat i një pazari të ulët trafiqe armësh që vetëm "lehës" mund t'i imagjinojnë me shterpësinë e vet totale.
Në votimin e Kuvendit kundër rrodhën edhe disa nga votat tona. Një analizë e thelluar politike dhe morale të asaj që ndodhi e bëmë në kryesinë e partisë. Eshtë e lehtë të bëhet lidhja midis asaj që ndodhi me Gjykatën e Milanos dhe asaj që ndodhi atë mbrëmje në Kuvendin e Shqipërisë; është e lehtë të kuptohet se vetëdija demokratike e 2 apo 3 gjykatësve të panjohur italianë që kanë të vërtetën si gjënë më të shenjtë, është tërësisht e ndryshme nga ndërgjegja prej mëkatarësh apo frikacakësh edhe të 2 apo 3 përfaqësuesve të partisë sonë.
Përsëris para jush, që sulmi i vazhdueshëm ndaj Kryetarit të Partisë suaj, që kulmon herë pas here me ngjarje si kjo e Kuvendit, nuk është një sulm personal. Ky sulm është në thelb mpiksja e sulmit të botës së krimit që ne po e luftojmë me instrumente ligjore. Ky sulm është i mbështetur nga një opozitë të cilës i janë errur sytë nga etja për të përsëritur pushtetin e vet kriminal mbi njerëzit dhe mbi institucionet e shtetit të së drejtës. Në analizë të fundit, ky është një sulm të lodhurish dhe mëkatarësh ndaj fitores sonë të përbashkët, të përsëritur dhe provë e dështimit të tyre të pashmangshëm edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Vendimi i Gjykatës së Milanos është përgjigja më e qartë dhe më e sigurt për tipa lehësish dhe të gjithë ata deputetë që me votën e tyre të fshehtë morën në mbrojtje të përkohshme një bashkëpunëtor tashmë edhe trafikantësh, që vuajnë dënimin për krijim karteli droge me shtrirje rajonale dhe globale.
Unë dua t'ju garantoj dhe të punoj bashkë me ju për të vazhduar deri në fund bashkëpunimin ligjor me institucionet e shtetit të së drejtës, në përmbushjen e detyrave tona politike, detyrave të mia kushtetuese dhe qytetare, institucionale dhe publike, për të vërtetuar fabrikimin e qëllimshëm të pseudo-bisedës së armëve, lidhjen e kolibes së lehësit me kartelin e kokainës së Koçiut, si dhe rolin e çifit të vjetër Berisha-Meta në këtë mashtrim të paimagjinueshëm dhe të turpshëm.
Dështimi i tentativave të pareshtura për të mbajtur Kryetarin dhe
Kryeministrin e PSSH me sajesa të padenja edhe për skenare filmash duhet të shfrytëzohet si një faktor më shumë që shton kohezionin midis nesh dhe me aleatët, që nxit reagimin nëpërmjet aksioneve politike dhe ekzekutive, që rrit përkushtimin, profesionalizmin për të shpejtuar reformat e transformimit të vendit.
Kjo do të thotë se këtë rast të Kuvendimit të madh ne duhet paralelisht të angazhohemi në ngritjen e Komiteteve Zonale Elektorale shumëpërfaqësuese, të cilat do të shërbejnë si forume që do të mbledhin ata militantë që kanë kontribute të reja për të dhënë. Vitet në pushtet nuk na kanë lodhur përkundrazi na kanë dhënë më shumë eksperiencë dhe më shumë maturi për iniciativë dhe protagonizëm politik. Kush ndihet i lodhur dhe ndonjë mëkatar që ndihet i kërcënuar në interesat meskine personale apo klanore, ai që nuk merr pjesë dot në konkurim të hapur të vlerave dhe kontributeve, po e përsëris siç e kam thënë edhe herë tjetër, të dorëzohet dhe të largohet dhe të mos bëhet pengesë për ritmet tona të zhvillimit.
Unë jam i bindur edhe i vendosur që të gjithë ne socialistët dhe aleatët progresistë të koalicionit për integrim do arrijmë me rezultate dhe përkushtim atdhetar europeist fitore të gjerë dhe të padiskutueshme në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005.
Ju uroj punë të mbarë.