E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri: Nuk ka ndryshime në qeveri

Berisha vlerëson ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria
KORÇË- Qeveria nuk do të ndryshojë dhe kjo është konfirmuar sërish dje nga kryeministri Sali Berisha. Pavarësisht presioneve të vazhdueshme që po i bëhen nga disa prej aleatëve të tij për të riformatuar kabinetin, Berisha duket i palëkundur në qëndrimin e tij për të mos i bërë këto ndryshime, duke u rikujtuar atyre se janë në kilometrin e fundit drejt marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Këtë kilometër, është shprehur kryeministri Berisha, duhet ta përshkruajmë me punë dhe me realizime konkrete. Gjatë një konference dhënë në qytetin e Korçës, kur është pyetur nga gazetarët lidhur me ndryshimet në qeveri, kreu i ekzekutivit i ka përjashtuar ato, duke nënvizuar faktin se, qeveria ecën me shpejtësinë e plotë të reformave. "Qeveria ecën me shpejtësinë e plotë të reformave. Ju e shihni se çfarë intensiteti kanë reformat. Tani, në kilometrin e fundit drejt ftesës për anëtarësim në NATO, sinjalet po bëhen gjithnjë e më pozitive për mundësinë e marrjes së saj. Këtë kilometër duhet ta përshkojmë me punë dhe me realizime konkrete. Unë kam besim se, me seriozitetin që po tregojnë forcat politike të të gjithë spektrit ndaj këtij procesi, ky kilometër do të përshkohet me sukses të plotë",- tha kreu i qeverisë. Kjo është hera e dytë, brenda pak ditëve, që Kryeministri i përgjigjet kërkesave të aleatëve të tij për ndryshime në qeveri. Në herën e parë, Berisha nuk ka nguruar të bëjë as humor me aleatët e tij, duke i cilësuar modernë dhe supermodernë ata që bëjnë kërkesa për ndryshime në qeveri dhe ata që kërcënojnë se do të dalin nga koalicioni, apo do të tërheqin ministrat nga qeveria. Kërkesa më ngulmuese për ndryshimet në qeveri është bërë nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ndërsa aleatët e tjerë, si kreu i PR-së, Fatmir Mediu, është treguar më i tërhequr, duke kërkuar që këto ndryshime të ndodhin pas Samitit të Bukureshtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›