E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Paketa e LSI për reformën në drejtësi

Kreu i LSI-së bën publike paketën e kësaj partie për reformën në drejtësi
TIRANË- Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka deklaruar dje se përpjekja demagogjike e mazhorancës për ta reduktuar reformën e sistemit të drejtësisë me projektligjin "Për organizimin e pushtetit gjyqësor" është thjesht një veprim me qëllime politike dhe nuk garanton realizimin e objektivave që duhet të realizojë në të vërtetë reforma. Ky projekltligj, tha Meta, është vetëm një përpjekje e izoluar, që synon vetëm disa rregullime sipërfaqësore dhe që nuk merr në konsideratë vërejetjet e shumta që janë bërë nga Këshilli i Evropës, qëndrimin e ekspertëve të BE-së, apo dhe qëndrimin e grupeve të interesit, si KLD-ja apo Avokati i Popullit. Ndaj, Meta ka paraqitur një platformë për reformën në drejtësi, në të cilën janë hedhur dhe pikat kryesore mbi të cilat duhet të përqendrohet kjo reformë, në gjykimin e forcës politike që ai drejton. Sipas tij, reforma në drejtësi duhet të synojë forcimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, rritjen e transparencës dhe efektivitetit në funksionimin e strukturave të këtij sistemi. Meta nënvizoi rëndësinë e reformës në drejtësi dhe ka kërkuar angazhimin e të gjitha palëve, përfshirë Presidentin e Republikës, partitë politike dhe grupet e interesit, për një reformë të vërtetë dhe jo të pjesshme.
Platforma
Duke vlerësuar se reforma në drejtësi është kusht për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, Lëvizja Socialiste për Integrim do t'i kërkojë forcave politike që të bëhen pjesë e një reforme që i kalon kufijtë e projektligjit që po diskutohet aktualisht në Komisionin e Ligjeve. Sipas platformës së LSI-së, reforma në drejtësi duhet të konsistojë në rritjen e pavarësisë së sistemit, nëpërmjet ndryshimeve edhe në ligjin për KLD-në, Shkollën e Magjistraturës, Kodet Civile dhe Penale, apo Kodet Procedurale respektive. Këto ndryshime, është shprehur dje Ilir Meta, duhet të sjellin një ndarje të qartë të pushtetit ekzekutiv nga sistemi i drejtësisë, duke shtuar se reforma në drejtësi duhet t'i japë fund çështjes së statusit të Prokurorisë, marrëdhënieve të saj me pushtetet e tjera dhe mandatit të Kryeprokurorit, duke bërë ndryshimet e nevojshme edhe në Kushtetutë. Një tjetër pikë ku duhet të konsistojë reforma në drejtësi, është dhe rritja e transparencës së sistemit dhe forcimi i luftës kundër korrupsionit. Sipas LSI-së, kjo mund të arrihet nëpërmjet përmirësimit të rregullave procedurale, rishikimit të rregullave në lidhje me procedimin e gjyqtarëve dhe imunitetin e tyre, përmirësimit urgjent të infrastrukturës së sistemit, duke krijuar mundësitë për zhvillimin e proceseve gjyqësore në ambiente që garantojnë solemnitet, pjesëmarrjen e publikut dhe medias, si dhe duke modernizuar sistemin e administrimit të dokumentacionit, etj. Pika e fundit ku mbështetet platforma e Lëvizjes Socialiste për Integrim për reformën në drejtësi, është rritja e efektivitetit nëpërmjet rregullave të qarta e të sakta, transparente e konkurruese për emërimin e gjyqtarëve të rinj, rregullave transparente për promovimin e gjyqtarëve dhe stimulimin e më të aftëve, rregullimin e nevojshëm procedural për shkurtimin e afateve të gjykimit të çështjeve, përmirësimin e mekanizmave të kontrollit të KLD-së, përmirësimet në sistemin e ekzekutimit të vendimeve dhe reformën në sistemin e Noterisë.
Platforma e LSI-së konsiston në:
-Rritjen e pavarësisë së sistemit, nëpërmjet ndryshimeve edhe në Ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Ligjin për Shkollën e Magjistraturës, Kodet Civile dhe Penale, si dhe Kodet Procedurale respektive. Ndryshimi i këtyre ligjeve duhet të sjellë ndarje të qartë të pushtetit ekzekutiv nga sistemi i drejtësisë, përmirësim të normave që rregullojnë menaxhimin e buxhetit të sistemit gjyqësor, zgjidhjen e konfliktit mbi statusin e inspektorateve të KLD dhe Ministrisë sëDrejtësisë, përmirësimin e rregullave për funksionimin e KLD.
-Reforma duhet të konsiderojë seriozisht dhe t'i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së statusit të Prokurorisë, marrëdhënieve të Prokurorisë me pushtetet e tjera, mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, duke bërë reflektimet përkatëse, po të jetë e nevojshme edhe në Kushtetutë.
- Rritjen e efektivitetit, nëpërmjet rregullave të qarta e të sakta, transparente e konkurruese për emërimin e gjyqtarëve të rinj, rregullave transparente për promovimin e gjyqtarëve dhe stimulimin e më të aftëve, rregullimin e nevojshëm procedural për shkurtimin e afateve të gjykimit të çështjeve, përmirësimin e mekanizmave të kontrollit të KLD-së, përmirësimet në sistemin e ekzekutimit të vendimeve dhe reformën në sistemin e Noterisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›