E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama paralajmëron protesta në shtator

Lideri i PS tha dje se në shtator do të ketë shumë punë nga ana e socialistëve, duke nënkuptuar një aksion politik


Kryesocialisti: Ne na takon të jemi zëri i të vërtetave të thjeshta e padyshim të jemi zëri i protestës


TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, paralajmëroi dje një aksion më të madh politik në muajin shtator, duke risjellë si opsion zhvillimin e protestave. Nga fjalimi i djeshëm i kryesocialistit, gjatë takimit të përjavshëm me mediat, ai la të kuptohej se pas muajit gusht, selia rozë do të rinisë protesta në kërkim të transparencës së zgjedhjeve të kaluara.


"Duke qenë se jemi përpara një periudhe të shkurtër pushimesh, mundohuni të pushoni sa më mirë se në shtator do të kemi shumë punë", porositi gazetarët dhe qytetarët Edi Rama.


Përpos kësaj, ndërsa analizonte situatën në vend dhe krizën që siç tha ai ka kapur shtetin, lideri i PS vlerësoi se padyshim protestat janë pjesë e rrugës së tyre opozitare. Për sa i takon zgjedhjeve lokale dhe zërave se PS do t'i bojkotojë ato, Rama u shpreh se PS do të jetë aty me kandidatët e saj në çdo zonë.


"Në këto kushte ne na takon të jemi zëri i të vërtetave të thjeshta e padyshim të jemi zëri i protestës. Pa dyshim protestat janë pjesë e rrugës sonë opozitare në kushtet kur jetojmë në një Shqipëri ku jo vetëm janë vjedhur zgjedhjet, por përditë e më shumë vidhet pasuria e përbashkët", paralajmëroi kreu i opozitës.


Ndërsa komentonte situatën politike, ai deklaroi se që të nisë një rrugë tjetër duhet të zgjidhim krizën. Sipas tij, që ta zgjidhim krizën e gjithanshme duhet të kemi fuqinë për ta parë në sy krizën dhe aftësinë dhe pasionin politik për ta zgjidhur. "Mendoni që i ka të gjitha këto pushteti aktual?! E atëherë ka vetëm një përgjigje, kjo qeveri duhet të largohet.


Në rast se kjo qeveri nuk largohet ka vetëm përkeqësim, jo për shkakun tonë të opozitës shqiptare, jo për shkakun e Presidentit të Republikës, jo për shkakun e Drejtorit të Shërbimit Sekret, jo për shkakun e NATO-s apo SHBA-së, as për shkakun e të gjithë atyre njerëzve që sot janë përditë e më të pashpresë, por thjesht dhe vetëm për shkakun e keqqeverisjes dhe të babëzisë që karakterizon përditshmërinë e këtij pushteti të vjedhur", - deklaroi Rama.


I pyetur se si do të ndikojë selia rozë në largimin e kësaj qeverie, kreu i kësaj partie shprehu besimin se gjatë gjithë këtij viti kanë ndikuar mjaftueshmërisht për ta bërë qeverinë përditë e më të largueshme dhe për të rritur vetëdijen tek të gjithë se kjo qeveri duhet të largohet. Për sa i përket negociatave, kreu i opozitës deklaroi se fakti që po bëjnë negociata nuk do të thotë se kanë ndryshuar apo do ndryshojnë mendim për këtë qeveri.


"Do të thotë që kemi të gjithë vullnetin që të bëjmë gjithçka mundemi për të lehtësuar barrën e krizës mbi supet e shqiptarëve dhe për të ulur sa të mundemi kostot e kësaj krize. Në rast se nga pala tjetër ka vetëm shurdhëri e njëkohësisht edhe verbëri ky nuk është as faji ynë, por nuk është as problemi ynë. U takon shqiptarëve të gjykojnë", nënvizoi kreu i socialistëve.


Ai shprehu besimin se shqiptarët përditë e më shumë gjykojnë se kjo qeveri nuk ua zgjidh dot problemet që kanë. Sipas tij, përditë e më shumë shqiptarët gjykojnë se kjo qeveri nuk ua rrit dot pensionet në të atillë mënyrë që të përballojnë rritjen e çmimeve dhe në tërësi koston e jetesës.


ZGJEDHJET


"E dëshirojnë pa fund mospjesëmarrjen tonë në zgjedhje dhe kanë arsye ta dëshirojnë. Ne na kanë përballë dhe do na kenë përballë. Duhet ta harrojnë se do të përsërisin Ruzhdien në zgjedhjet e ardhshme, kurdo qofshin ato", shprehu vullnetin e PS për të mos braktisur zgjedhjet, kryetari Rama.


Kryesocialisti vlerëson se PD nuk ka gojë të flasë për Kushtetutën, pasi e ka shkelur atë në dhjetëra raste

"Sulmet ndaj Presidentit janë shembulli i krizës"


TIRANË - Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka kundërshtuar dje gjuhën e përdoruar nga mazhoranca ndaj Presidentit Topi për çështjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar atë si shprehje të krizës.


"Sigurisht edhe tek kriza e re me Presidentin e Republikës, gjuha e përdorur ndaj të cilit, argumentet e përdorur kundër të cilit, janë as më shumë e as më pak, po shprehja e një krize të thellë, që është një krizë në radhë të parë organike e këtij pushteti.


E këtij pushteti, i cili buron nga një grabitje dhe nuk mund të rrijë në këmbë pa nënshtruar gjithçka, gjë që sigurisht nuk do të arrijë ta bëjë", komentoi Rama deklaratat e PD ndaj Topit.


Për këtë arsye, sipas kryesocialistit, kjo qeveri është më qartë se asnjëherë tjetër në sytë e shqiptarëve problemi kryesor që ne kemi dhe që duhet të zgjidhim për të mundur që të merremi pastaj me problemet e mëdha që ka vendi.


Për liderin e PS, kjo situatë ka krijuar një tjetër krizë, krizën me Presidentin Republikës, në formën e një kërkese aspak etike qoftë edhe në shprehje, adresuar si akuzë ndaj Presidentit për gjoja shkeljen e Kushtetutës dhe bllokimin e Gjykatës Kushtetuese që sot është në këtë derexhe, pikërisht për faj dhe përgjegjësi ekskluzive të atyre që akuzojnë.


Kreu i socialistëve vlerësoi gjithashtu se kur Partia Demokratike flet për shkelje të Kushtetutës i kujtohet Faik Konica që thoshte: "Më vjen një i papërmbajtur gaz".


"Është krejt humbje kohe dhe mungesë respekti për veten që ne t'i hyjmë një diskutimi lidhur me sa të drejtë ka PD kur flet për shkelje kushtetute. Ata çdo ditë gdhihen me dy këmbët mbi kushtetutën dhe ngrysen duke i lënë këpucët mbi kushtetutën para se të shkojnë të flenë. Janë në shkelje konstante të Kushtetutës. Nuk kanë gojë të flasin për Kushtetutën", tha Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›