E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri: Qeveria po investon në qytetet socialiste

Nën siglën "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Berisha inauguroi dje rrugën Krutje-Fiershegan, dhe theksoi se qeveria e tij po bën investime edhe në qytetet që kanë votuar më shumë socialistët në zgjedhjet e kaluara. "Shikoni se si po modernizohet hyrja e qytetit të Fierit, pavarësisht se bashkia e tij qeveriset nga socialistët. Por kryetari i Bashkisë së Fierit sigurisht që nuk mund të vinte, sepse më pas do t`i plaste lufta me kryetarin e vet", tha Berisha. Kreu i qeverisë nuk u kursye as për kreun e PS-së, Edi Rama, duke shtuar se "investimet janë të shpërndara si në qytetet e mëdha, ashtu dhe në qytetet e tjera, madje ne do të donim që të inauguronim dhe fillimin e punimeve të Unazës së Tiranës, por ai po mban peng projektin si ‘Pushkini plaçkat e vjetra‘. Çfarë mund t`i them unë atij, ai nuk e lëshon projektin. Vetë nuk e ndërton, por as projektin nuk e jep". Berisha në fjalën e tij tha se "kryetarit të Bashkisë së Tiranës do t‘i lëmë xhufkat e 1 majit të viteve ‘60. Le t`i mbajë ato, sepse, edhe një herë e them, qytetarët ndihen të lënduar me konceptin e vullnetarëve". Sipas tij, të tentosh të vullnetarizosh shqiptarët, do të thotë të tentosh t‘i pronësosh ata, t‘i bësh pronën tënde. Në një kohë kur ne duam të jemi qytetarë anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, zotëria i tij u thotë bëhuni vullnetarë të Enverit, sepse socialistët i kanë shijet e vullnetarizmit. Duke ju referuar turit të nisur nga kreu i opozitës, Edi Rama, nëpër Shqipëri, Kryeministri Berisha u shpreh se "rivali im, duke parë moton tonë të përbashkët se ‘Krutja po ndryshon‘, ‘Shqipëria po ndryshon‘, vendosi të na imitojë. Ndaj, më lejoni t‘i them këtu: Zoti Rama, mos i ofendo shqiptarët"!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›