E Shtunë, 31 Tetor 2026

është ekonomia, budalla! Spiralet e integrimit evropian

1.

Tashmë në pallatin e Evropës kanë vërshuar përmbytjet, paralajmëroi një ndër vendimmarrësit evropianë të radhës. Kjo na shtrëngon t‘i japim një përgjigje më të rezervuar pyetjes "Kur do të pranohet Shqipëria në BE?" Prej gati dy dekadash,shtetarë, opozitarë, aktivistë, akademikë, personalitete të të gjithë fushave apo njerëz të thjeshtë, që pasi ngrenë tezgën apo ulin qepenat e dyqaneve modeste, ëndërrojnë Evropën. Në vitin e largët 1991, për herë të parë, nëpërmjet teknikave të sondazheve u përpoqëm të tatonim pulsin e shqiptarëve për afatet integruese të Shqipërisë. Ne, një grupi i vogël studiuesish vendas, debatuam gjatë me sondazhistët e huaj. Ne nuk ishim dakord që të pyesnim shqiptarët nëse shpresonin që Shqipëria do të integrohej për dhjetë vjet. Një dekadë na duket si kalendat greke, pretenduam ne. Hëm, mos u ngutni, u përgjigjën ata. Mjeshtra të industrisë së sondazheve, por edhe njohës të thellë të proceseve integruese të Evropës, rezultoi se ata kishin të drejtë. Sot, pas gati dy dekadash, mbi të gjithë shqiptarët rri pezull e njëjta pyetje.

Ecja e Shqipërisë drejt Evropës është një proces kapërcimi të disa cikleve të zhvillimit, të cilët në mënyrë figurative mund të përfytyrohen në formë spiralesh. Spiralja e parë është demokratizimi, pra arritja e standardeve demokratike. E dyta është ekonomia, pra arritja e treguesve makro-ekonomikë. Spiralja e tretë është përbëhet nga tregjet, thënë ndryshe sinergjia midis tregjeve shqiptare dhe atyre evropiane. Spiralja e katërt janë veçoritë lokale të problematikave etniko-fetare. Problemi është se spiralet e integrimit nuk janë të ndërtuara e vendosura në mënyrë kronologjike dhe të njëpasnjëshme. Spiralet shkëmbejnë herë pas here pozicionet, duke ia lënë vendin njëra-tjetrës. Kjo vjen si nga ndërlikimi i zhvillimit lokal, ashtu edhe nga problematikat e dinamikat e zhvillimit në metropolet evropiane, përthyerja dhe kërkesat që shtrojnë para banorëve të lagjes më të varfër, Evropës Juglindore. Ajo që ndodh në zonën e ekonomisë, në një mënyrë ose në një tjetër, përcakton dhe tendencën e spiraleve të tjera. Lehtëson ose vështirëson, përshpejton ose ngadalëson ritmet e procesit.

2.

Pesëdhjetë vjet më parë, sociologu i njohur, Lipset, prezantoi një argument që i shkon shumë për shtat fenomenologjisë së sotme të integrimit evropian: "Sa më i zhvilluar të jetë një vend, aq më shpejt mund të demokratizohet ai". Silogjizmi është i thjeshtë: Sa më i demokratizuar të jetë një vend, aq më shpejt mund të integrohet ai. Dhjetë vjet më parë, politologët e njohur Przeworski dhe Limongi, analizuan në mënyrë statistikore ecjen e mundimshme të zonave të ndryshme të globit drejt demokracisë. Thelbi i analizës së tyre mbështetet në rolin vendimtar të të ardhurave kombëtare për frymë (GDP per capita) në mbijetesën dhe suksesin e demokracisë. Ky tregues llogaritet duke pjesëtuar fuqinë blerëse me numrin e popullsisë më 1 korrik të çdo viti. Një vend arrin në zonën e tranzicionit demokratik, kur të ardhurat kombëtare për frymë janë nga 3 mijë deri në 6 mijë dollarë. Pragu i poshtëm i zonës së tranzicionit e mban demokracinë vulnerable dhe të kërcënuar, ndërsa pragu i sipërm i saj e bën demokracinë të qëndrueshme. Në këtë perspektivë, mund të themi se Shqipëria ka hyrë në zonën e tranzicionit demokratik vetëm në vitin 2001, kur GDP për frymë arriti në 3000 dollarë. (Burimi: CIA Wordl Factbook; www.indexmundi.com). Tranzicioni shqiptar merr në këtë perspektivë dy pamje ose dy faza: faza e parë përfundoi me hyrjen në tranzicionin demokratik, ndërsa faza e dytë përfundon me hyrjen në demokraci. Faza e parë u realizua gjatë një dekade, ndërkohë që faza e dytë është ende në proces. Shqipëria ende nuk ka arritur në kufirin e sipërm të tranzicionit demokratik. Sipas të njëjtit burim, në vitin 2008 të ardhurat kombëtare për frymë ishin 5 500 dollarë, duke shënuar gjatë periudhës 2002-2004 një stanjacion në 4500 dollarë dhe gjatë periudhës 2004-2008 një rritje vjetore prej 200-300 dollarë. Nëse ritmet e rritjes se GDP për frymë do të mbeten po ato, Shqipëria fillon tranzicionin drejt demokracisë liberale të qëndrueshme në fillim të dekadës së dytë të mijëvjeçarit. Mundësia e falimentimit të demokracisë në vendet me GDP për frymë mbi 6000 dollarë, nënvizon analisti i njohur, Fareed Zakaria, është 1 në 500. Ndërkohë që mundësia e falimentimit të demokracive të varfra është shumë e lartë, rreth 56%, çka do të thotë se në 69 demokracitë e varfra, 39 e tyre kanë dështuar. Edhe Shqipëria ka qenë disa herë në prag të dështimit. Vendi është kërcënuar disa herë nga rreziku i falimentimit demokratik, për shkak të treguesve modestë të GDP për frymë dhe paqëndrueshmërisë dhe krizave ciklike politike e sociale.

Përvoja e tri vendeve të fundit perëndimore që iu bashkuan BE-së para vitit 1999, tregon se Spanja, Greqia dhe Portugalia hynë në komunitet kur arritën kufirin e sipërm të tranzicionit demokratik dhe niveli e kërkuar të GDP-së për frymë. Në këtë perspektivë, integrimi evropian i vendeve të Evropës Lindore e Qendrore po realizohet si një proces me tri shpejtësi: në shpejtësinë e parë bëjnë pjesë vendet e Evropës Qendrore dhe Balltike, në shpejtësinë e dytë Rumania dhe Bullgaria, ndërsa në shpejtësinë e tretë vendet e Evropës Juglindore, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Sado problematike të ishte ekonomia e tyre, Bullgaria dhe Rumania kishin në vitin 2001 GDP për frymë dy herë më të madhe se Shqipëria. Ndërkohë që në vitin 2006 ky tregues për secilin prej të dy vendeve tentoi drejt shifrës 10 mijë dollarë.

Ky lloj determinizmi ekonomik qëndron, pra, në thelb të procesit të integrimit evropian. Shprehja e famshme "Eshtë ekonomia, budalla" që studentët mësojnë që në klasat e para të manualeve të ekonomisë, vlen edhe në përcaktimin dhe parashikimin e ritmeve të integrimit. Hezitimi në Pallatin e Evropës për të pranuar vendet që janë në fazën e tranzicionit demokratik nuk ka të bëjë thjesht me burokratët evropianë dhe paragjykimet e tyre për lagjen problematike ballkanase. Hezitimi buron nga ligjësia natyrore e pamundësisë së bashkëjetesës së ekonomisë dhe tregjeve me tregues dramatikisht të mospërputhshëm.

3.

Ǒbëhet atëherë me spiralet e tjera të integrimit? Spiralja e dytë problematike për Shqipërinë, shqiptarët e shteteve të Ballkanit, madje edhe vetë Ballkanin, kanë qenë problematikat etnike dhe fetare. Evropa për një kohë të gjatë është perceptuar si një Evropë hantingtoniane, qytetërimi perëndimor i së cilës u vendos në gjendje alarmi nga rreziku i qytetërimit islamik dhe sllav. Faktikisht, asnjë prej gjashtë-shtatë qytetërimeve joperëndimore, nuk është përjetuar prej qytetërimit perëndimor si një rrezik në atë masë që janë përjetuar qytetërimet e mësipërme. Janë konsideruar thjesht qytetërime rivale. Në këtë lloj Evrope virtuale, ekonomia nuk dukej se ishte spiralja kryesore që duhej kapërcyer. Ndrojtja më e madhe evropiane, e cila shndërrohej periodikisht në një panik të poleve vendimmarrëse në kontinentin e vjetër e të lakmuar, ishte rreziku i transferimit në "Europa down town" të mërive, zënkave, kapardisjeve, delireve, konflikteve dhe potencialeve ndërluftuese ballkanase. Ballkani i përthyer nga malet e thepisur dhe lumenjtë e rrëmbyer, është po aq i tillë për shkak të rrëpirave perandorake, etnike, fetare e territoriale. Moderimi i elitave politike ballkanase dhe çlirimi i tyre gradual nga demonët nacionalistë mund të shërbejë si një relaks për Evropën. Ndërsa rrethana që lidhet me ndikimin e tregjeve ballkanase në tregjet evropiane, nuk është përjashtuese. Ndikimi i pritshëm i tregjeve shqiptare, kroate, malazeze, maqedone, boshnjake ose edhe serbe, të marra bashkë, është një përkëdhelje ledhatuese për tregjet evropiane, në krahasim me tronditjet që mund të shkaktonte tregu ukrainas apo turk.

4.

Në këto rrethana, pra, kur ballkanasit dhanë shenja se dëshirojnë t‘i venë nën kontroll demonët e vjetër perandorakë e nacionalistë, dhe paralel me këtë Evropa vetë dha shenja se po çlirohej nga paragjykimet, ia behu kriza ekonomike. Kërkesës thuajse natyrore për nivel të caktuar të GDP për frymë, iu shtua përmbytja në shtëpinë e Evropës. Dhe kur shtëpia përmbytet, paralajmëroi një ndër të zotët e rinj të saj, askujt nuk i shkon mendja të presë mysafirë. Aq më pak mysafirë të varfër. Në këto kushte, integrimit të Shqipërisë i duhen, më tepër se kurrë, rritje ekonomike reale dhe programues e strategjistë inteligjentë të zhvillimit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›