E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kryeministri Rama: Turqia mike, SHBA-BE aleatë strategjikë

Presidenti, Recep Tayyip Erdogan, u pyet në një konferencë për shtyp në Tiranë nëse duhet të shqetësohet BE-ja për mbështetjen e madhe që Turqia po i jep Shqipërisë. Erdogan theksoi se mbështetjet vëllazërore janë të ndryshme, ndërsa theksoi se me Ramën janë ‘vëllezër’ dhe këtë të mos e venë në diskutim.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, theksoi se i ka bërë përshtypje komenti i një qytetari që i tha shyqyr që nuk je mysliman se BE-ja do shqetësohej pasi kalon shumë kohë me Presidentin e Turqisë. Ndër të tjera zoti Rama deklaroi i prerë se ato që fliten janë konspiracione ndërsa shtoi se marrëdhëniet janë reciproke dhe zhvillim i një tradite.

Erdogan: Pyetje që më kape ngushtë, kështu quhet, por unë nuk jam kapur ngushtë me këtë pyetje dhe dua ta sqaroj. Miqësia, rregullat e vëllazërisë janë të ndryshme pasi brenda vëllazërisë ka lloj lloj mbështetjesh. Ka marrëdhënie dy palëshe. Po flasim për një situatë për rastin pas tërmetit. Prandaj ne ndërtuam këtë projekt në mënyrë të shpejtë. Ne jemi vëllezër. Asnjëherë nuk duhet ta vini në dyshim”-tha Erdogan.

Edi Rama: Më tha se kaq shumë sa rri me Erdogan kushedi çdo të të thonin ata të BE-së. Jam katolik, gjysmën më të mirë e kam myslimane, por nuk besoj se kushdoqoftë në Shqipëri apo BE, duhet të shqetësohet për këtë marrëdhënie mes dy vendeve, sepse kjo është një marrëdhënie tradicionale edhe në kohën kur Shqipëria ishte një vend shumë i mbyllur, marrëdhënia me Turqinë ishte aty si një vazhdimësi e një tradite. Marrëdhënia ime me Erdogan, e përsëris, nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar. Janë për të qeshur shumë nga ato që thuhen, jo vetëm nga konspiracionistë, por dhe njerëz seriozë në BE. E vërteta është që janë disa gjëra që nuk zhbëhen. Nuk di një qeveri tjetër, përveç asaj të Erdogan, asokohe kryeministër i Turqisë, që të jetë mbledhur në sesion të jashtëzakonshëm për të ndjekur direkt punimet e parlamentit të Kosovës dhe për ta njohur atë në mbledhjen e qeverisë së vet, si shtet i pavarur.

Këtë e ka bërë zotëria në krahun tim ashtu sikundër përtej konspiracioneve, roli i Turqisë në rajonin tonë është i pazëvëndësueshëm. Rol konstruktiv në funksion të paqes. Hijet e hedhura mbi Turqinë apo Presidentin Erdogan, rezultojnë të jenë filma, filma të imagjinatës që nuk gjejnë përputhje në realitet. Jemi takuar shpesh, është privilegj që unë, kryeministër i një vendi të vogël, të marr kohë kaq shpesh nga Presidenti i Turqisë. Kurrë, asnjëherë nuk jam ndjerë në bisedë si përballë dikujt që të jep leksione, që të jep receta të gatshme si bëhet puna, apo për më tëpër që të vë në pozitë, duke këruar gjëra që s’ke dëshirë t’i dëgjosh. Por respekt maksimal, reciprocitet, që është diçka shumë e vyer.

Për të gjithë ata që afrimin me Turqinë e shohin si një pozicionim që cënon marrëdhënien me SHBA-BE, kryeministri Edi Rama u përgjigj shkurt dhe qartë.

“Turqia është një valvul e patjetërsueshme sigurie për BE, dhe unë e kam thënë në NATO, Bruksel, sepse kjo është e vërteta dhe shqiptarëve ju them se sa herë bëhen këto takime dhe ndahen me Turqinë apo BE , jo ne jemi me Shqipërinë, jemi miq të ngushtë më Turqinë dhe aleat strategjik me SHBA e BE, dhe nuk jemi për të bërë zgjedhje këtej ose andej. Në fund të ditës, çdo vendimmarrje e jotja është për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk është për Turqinë, apo për të tjerët”, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›