Pranga boshnjakes me kokainë
SHKODER
Prangoset në Muriqan të Shkodrës boshnjakja me 3 kg kokainë. Mirjana Misantoviç, rezidente në Itali po udhëtonte me mjetin e saj "Wolksvagen", nga vendi ynë drejt Malit të Zi e më pas në Bosnjë, por u ndalua nga policia shqiptare me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Burime nga pika kufitare pohojnë se në makinën e 36-vjeçares u gjet sasia e lëndës narkotike e ndarë në pako, të cilat u sekuestruan për t'u transportuar bashkë me gruan drejt Tiranës. Lëvizjet e saj duket se kanë qenë të mbikëqyrura nga Drejtoria e Krimit të Organizuar, që në momentin e parë që ajo ka hyrë në territorin shqiptar. Një sinjal i dhënë nga policia e Lezhës, marrë në rrugë operative, ka vënë në lëvizje uniformat blu. Ata kanë ndjekur nga afër të gjithë itinerarin e 36-vjeçares dhe kur është parë se ishte gati të largohej nga Shqipëria është urdhëruar ndalimi dhe kontrolli i makinës në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit në Shkodër. Makina me kokainë është mbajtur nën vëzhgim që prej nisjes së saj nga Milano, për të parë nëse 36-vjeçarja do të kishte ndonjë ndalesë tjetër, çka do të zgjeronte listën e të implikuarve në territorin e shtetit fqinj ose atë shqiptar. Sapo makina me targa italiane ka mbërritur në pikën e kalimit kufitar në Muriqan, drejtueses i është bërë shenjë të dalë në një vend më të veçuar, ku i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm. Për pasojë u gjet dhe droga, e ndarë në disa qese. Mësohet se 4 qese, me nga 200 gramë secila u gjetën në kroskotin e makinës, ndërsa pjesa tjetër prej 5 pakosh ka qenë e fshehur në bagazhin e makinës mes një grumbulli veglash. Pasi është gjetur droga, blutë kanë bërë menjëherë sekuestrimin e lëndës narkotike si dhe ndalimin e 36-vjeçare, më pas janë nisur drejt Tiranës për hetime të mëtejshme. Nga verifikimet rezulton se e ndaluara kishte kryer të njëjtin rrugëtim dhe një vit më parë, duke kaluar nëpërmjet Portit të Durrësit drejt kufirit verior të Shqipërisë, me Malin e Zi. Nuk dihet ende nëse dhe atëherë ka pasur me vete lëndë narkotike, çka pritet të zbardhet pas marrjes së saj në pyetje. r.d/d.b
Precedenti/ Kosovari u kap në Durrës
Një kosovar me banim në Zvicër u prangos në Portin e Durrësit mbrëmjen e së premtes, pasi në makinën e tij ndodheshin 5 kg heroinë. Seat Çorolli e kishte fshehur drogën në serbatorin e makinës, ku u zbulua gjatë kontrollit të kryer në skanerin e portit. Ndërsa në fillim të muajit u arrestuan tre shtetas maqedonas, me mbi 4 kg heroinë.