Kryeministri Rama përplaset me ministrin gjerman të Shëndetësisë në BILD

Kryeministri Edi Rama është përplasur ashpër me ministrin gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn, lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi. Përplasja e fortë është pasqyruar në gazeta prestigjoze BILD dhe ka qenë një deklaratë e Jens Spahn mbi infeksionet e Covid-19 verën e shkuar që ka sjellë një reagim të ashpër të kryeministrit, Edi Rama.
Në një reagim për BILD, Spahn ka deklaruar se vitin e kaluar rreth 50% e rasteve të reja në Gjermani erdhën si pasojë e udhëtimeve në Ballkan e Turqi, dhe këtë vit duhet parandaluar. Kjo ka sjellë reagimin e fortë të Ramës, i cili nuk ka ngurruar të kritikojë ashpër ministrin e Shëndetësisë në Gjermani Jens Spahn.
“Është një skandal që një ministër gjerman denoncon publikisht Ballkanin dhe kështu gjithashtu zhvlerëson njerëzit me një sfond migrimi. Unë nuk do të lejoj që Shqipëria të portretizohet si një zonë rreziku për udhëtimet e pushimeve, nuk ka shifra për ta provuar këtë”, ka deklaruar kryeministri për BILD.
Më tej Rama ka hedhur kritika ndaj Spahn, duke thënë: “Një ministër gjerman i shëndetësisë duhet të kujdeset për vaksinimin e popullsisë gjermane dhe të mos zgjojë pakënaqësi stereotipike kundër Ballkanit në mënyrë që të mbrojë një rekord të dukshëm të keq.”
Çfarë deklaroi më parë ministri gjerman
Në një deklaratë, Spahn shprehej se 50% e infektimeve në Gjermani verën e kaluar erdhën nga udhëtimet e jashtme. Sipas Spahn, vizitat tek të afërmit duhet të ndalohen këtë verë.
“Ne mësuam nga vera e kaluar. Në atë kohë, udhëtimet jashtë vendit, shpesh vizitat te të afërmit në Turqi dhe Ballkan, shkaktuan rreth 50 përqind të infeksioneve tona të reja në faza. Ne duhet ta parandalojmë këtë këtë vit. Në këtë fazë të fundit të pandemisë, vlen kujtesa që të jini vigjilent,” tha Spahn.