Kryeministri Berisha takohet në Kroaci me Rashad Kaldany, zv/presidentin e IFC-së për Azinë, Evropën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore
- Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin që IFC ka dhënë në realizimin e një sërë projektesh në Shqipëri, si dhe asistencën që IFC i ka dhënë qeverisë në proceset e privatizimit dhe financimet në sektorin privat.
Kryeministri Sali Berisha gjatë qëndrimit në Zagreb, u takua me Rashad Kaldany zv/presidentin e IFC-së për Azinë, Evropën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore dhe Giovanni Daniele përfaqesuesi rajonal i IFC-së.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për kontributin që IFC ka dhënë në realizimin e një sërë projektesh në Shqipëri, si dhe asistencën që IFC i ka dhënë qeverisë në proceset e privatizimit dhe financimet në sektorin privat. Gjithashtu, kryeministri Berisha ka vlerësuar edhe kontributin e IFC-së në koncesionimin e rrugëve
Kryeministri Berisha e ka cilësuar të shkëlqyer bashkëpunimin e deritanishëm me IFC dhe shprehu besimin se ky bashkëpunim do të zgjerohet edhe më tej. Në këtë kuadër kryeministri e cilësoi si të një rëndësie të veçantë bashkëpunimin në fushën energjisë, ku aktualisht janë të firmosura kontratat për ndërtimin e 200 hidrocentraleve. Në këtë kontekst kryeministri Berisha e konsideroi të mirëpritur kredititim e investitorëve privat, sidomos në fushën e hidroenergjisë. Po kështu kryeministri Berisha përmendi si fusha me interes për mbështetje nga IFC industrinë e minierave, ku janë angazhuar kompani të mëdha.
Rashad Kaldany, zv/presidenti i IFC-së për Azinë, Evropën Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare dhe e siguroi kryeministrin Berisha se IFC do të angazhohet në financime edhe më të mëdha në fushën e energjisë, minierave dhe sektorëve të tjerë me interes për vendin.
14/05/2010