Kryeministri Sali Berisha propozon referendum kombëtar për miratimin e tre ligjeve
Kryeministri fton qytetarët të japin mendimin “pro” apo kundër propozimit
Miratimi me referendum i tre ligjeve kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat është çështja për të cilën kreu i qeverisë shqiptare kërkon mendimin e qytetarëve shqiptarë. Përmes një mesazhi në profilin e tij në rrjetin social Facebook”, Kryeministri Berisha shpjegoi dhe arsyet se përse bën një propozim të tillë.
“Te dashur miq!
Sot po ju drejtohem për te kërkuar mendimin tuaj për një vendim jetik për çdonjërin prej nesh, fëmijët tanë, te sotmen dhe te ardhmen tone evropiane.
Ky vendim është miratimi me REFERENDUM i tre ligjeve që kërkohen për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarë të BE nga Shqipëria.
Ne tere historinë e integrimit europian te vendeve ish-komuniste, klikat e përmbysura apo pinjollët e tyre, nuk kane bllokuar ne Parlament ligjet dhe reformat e kërkuara për integrimin e vendeve te tyre ne BE siç ka bllokuar, pa asnjë shkak ligjor apo argument logjik por thjesht për interesa personale, z. Edi Rama votimin e tre ligjeve ne Parlamentin tone”, shkruan Berisha.
Në gjykimin e tij, bllokimi po i kushton shumë Shqipërisë dhe kryeministri e argumenton në këtë mënyrë: “Duke ç’bllokuar me votën e qytetareve statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, ne sigurojmë qindra e qindra milionë euro investime direkte nga Komisioni Europian dhe sektori privat i BE si dhe dhjetëra mijëra vende te reja pune për të papunët tanë, mijëra e mijëra bursa dhe te drejta studimi ne vendet anëtare te BE për të rinjtë tanë. Pas zgjedhjeve te qershorit 2013, është tashme e sigurte se z.Rama për mbijetese politike do perserise Ramen e vjeshtës 2009. Prandaj mendoj se për statusin e vendit kandidat duhet të flasin me votën e tyre në një referendum qytetarët shqiptarë. Unë do vlerësoja shumë mendimin tuaj për këtë çështje. Për mua JU JENI TE PARET!”, mbyllej mesazhi i Berishës në rrjetin social, Facebook.