Vendime të Këshillit të Ministrave
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u morën në shqyrtim dhe u miratuan disa projektligje dhe vendime:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROTOKOLLIN SHTESË TË PAKTIT NDËRKOMBËTAR PËR TË DREJTAT, CIVILE DHE POLITIKE"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin shtesë të paktit ndërkombëtar për të drejtat, civile dhe politike", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROTOKOLLIN SHTESË TË PAKTIT NDËRKOMBËTAR PËR TË DREJTAT, CIVILE DHE POLITIKE
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Neni 1
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin shtesë të paktit ndërkombëtar për të drejtat, civile dhe politike.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROTOKOLLIN E DYTË SHTESË TË PAKTIT NDËRKOMBËTAR PËR TË DREJTAT, CIVILE DHE POLITIKE"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e dytë shtesë të paktit ndërkombëtar për të drejtat, civile dhe politike", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROTOKOLLIN E DYTË SHTESË TË PAKTIT NDËRKOMBËTAR PËR TË DREJTAT, CIVILE DHE POLITIKE
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Neni 1
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e dytë shtesë të paktit ndërkombëtar për të drejtat, civile dhe politike.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR SHËRBIMIN E TRANSFUZIONIT TË GJAKUT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
SHËRBIMIN E TRANSFUZIONIT TË GJAKUT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi i ligjit
1. Ky ligj përcakton parimet dhe rregullat bazë të veprimtarive të shërbimit të transfuzionit dhe ka për qëllim:
a) Përcaktimin e vetëmjaftueshmërisë kombëtare me gjak dhe përbërësve të tij, si detyrë themelore e shërbimit kombëtar të transfuzionit.
b) Përcaktimin në shërbimin e transfuzionit të standardeve të larta të cilësisë dhe sigurisë së gjakut njerëzor dhe të përbërësve të tij, për sigurimin e një niveli të lartë mbrojtjeje për shëndetin e shtetasve, në të gjithë vendin.
c) Nxitjen e zhvillimit të mjekësisë transfuzive.
ç) Nxitjen e përdorimit të mirë të gjakut dhe të produkteve të tij, në praktikën klinike.
2. Për arritjen e këtyre qëllimeve, ky ligj rregullon dhe përcakton:
a) shërbimet themelore në strukturat e shërbimit të transfuzionit;
b) parimet bazë të organizimit, funksionimit, inspektimit, autorizimit, akreditimit të strukturave të shërbimit kombëtar të transfuzionit;
c) veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse, të përfshira në dhurimin vullnetar të gjakut;
ç) programimin dhe bashkërendimin e punës në këtë sektor të shëndetësisë.
d) normat e cilësisë dhe të sigurisë për produktet e gjakut.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky ligj e shtrin veprimtarinë e vet në gjithë territorin e vendit dhe zbatohet në të gjitha strukturat shëndetësore dhe veprimtaritë e shërbimit të transfuzionit të gjakut, si dhe organizatat jofitimprurëse, të përfshira në dhurimin vullnetar të gjakut.
2. Dispozitat e këtij ligji janë të detyrueshme edhe për strukturat përkatëse në institucionet shëndetësore universitare, institucionet shëndetësore fetare, shërbimin shëndetësor në Forcat e Armatosura dhe institucionet shëndetësore private.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji:
1. Afereze, nënkupton mbledhjen automatike të përbërësve të caktuar të gjakut, drejtëpërdrejt nga dhuruesi.
2. Akreditim, nënkupton procedurat e njohjes publike të përmbushjes së standardeve zyrtare, të miratuara. Procedurat kryhen nga qendra kombëtare e cilësisë, certifikimit dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore.
3. Autorizim, është procesi formal i lejimit të funksionimit të një strukture nga institucionet shtetërore.
4. Derivate të gjakut, janë barna, që prodhohen nga pëpunimi industrial i plazmës.
5. Dhurim autolog, është dhurimi i gjakut ose i produkteve të tij nga një individ, për t'u përdorur më vonë vetëm për transfuzion autolog apo ndonjë përdorim tjetër njerëzor nga i njëjti individ.
6. Dhurim homolog, është dhurimi i gjakut ose i produkteve të tij nga një individ, për t'u përdorur për transfuzion te një person tjetër, për përdorim në pajisjet mjekësore apo si material fillestar i papërpunuar, për prodhimin e produkteve mjekësore.
7. Fraksionim i plazmës, nënkupton përpunimin industrial të plazmës, për të prodhuar derivate të gjakut.
8. Gjak, nënkupton gjakun e plotë, të mbledhur nga dhuruesi dhe që përdoret si i tillë për transfuzion ose që përpunohet, për të prodhuar produkte të tij.
9. Gjurmim, është procedura, që identifikon rrugën e çdo njësie gjaku ose përbërësi të tij, nga dhuruesi në destinacionin final (pacienti i trajtuar ose ndërmarrja farmaceutike, që prodhon derivate të gjakut) dhe anasjelltas.
10. Hemovigjilencë, nënkupton procedurat organizative mbikëqyrëse, të lidhura me rastet serioze të efekteve apo reagimeve negative ose të papritura në dhuruesit a marrësit e gjakut, si dhe me ndjekjen epidemiologjike të dhuruesve.
11. Inspektim, është kontrolli zyrtar nga një organ shtetëror i specializuar, që vlerëson përputhjen e veprimtarisë së strukturës së inspektuar me kerkesat e këtij ligji dhe të akteve nënligjore, të dala në zbatim të tij.
12. Përbërës gjaku, është çdo përbërës terapeutik i gjakut, i përgatitur me përpunim të thjeshtë të gjakut ose të mbledhur me aferezë.
13. Përpunim i gjakut, është procedura, me të cilën nga gjaku i plotë, i dhuruar, përftohen përbërësit e tij.
14. Plaçentë, është organi, nëpërmjet të cilit ushqehet fëmija në mitrën e nënës.
15. Plazmë, është pjesa e lëngshme e gjakut, ku vendosen përbërësit qelizorë dhe joqelizorë të tij.
16. Produkt gjaku, është çdo produkt terapeutik, që rrjedh nga gjaku ose plazma (përbërës dhe derivate).
17. Qeliza burimore hemopoetike, janë qelizat « mëmë", nga të cilat zhvillohen më tej qelizat e gjakut.
18. Struktura të shërbimit të transfuzionit, janë Qendra Kombëtare e Transfuzionit, qendrat rajonale të gjakut, bankat e gjakut në spitale.
19. Transfuzion, nënkupton përdorimin e gjakut ose të produkteve të tij te pacientët, që kanë nevojë për to.
20. Transfuzion autolog, nënkupton transfuzionin, ku dhuruesi dhe marrësi janë i njëjti person; në këtë rast përdoren gjaku ose përbërësit e tij, të depozituar më parë.
21. Transfuzion homolog, nënkupton transfuzionin, ku dhuruesi dhe marrësi janë persona të ndryshëm.
22. Transplante, janë organe, qeliza, inde, që dhurohen nga një njeri dhe përdoren te një tjetër person, i cili ka nevojë për to.
23. Vetëmjaftueshmëri, nënkupton plotësimin e nevojave për gjak/produkte të tij nga dhurues të vendit.
24. Shërbimi i transfuzionit, është tërësia e veprimtarive të shërbimit të transfuzionit.
KREU II
VEPRIMTARIA E SHËRBIMEVE TË TRANSFUZIONIT
Neni 4
Shërbimi i transfuzionit
Shërbimet e transfuzionit, të lidhura me promovimin e dhurimit të gjakut, me dhurimin, homolog dhe autolog, të gjakut dhe të përbërësve të tij, me përpunimin e gjakut dhe prodhimin e produkteve të tij, kontrollin, dokumentimin, ruajtjen, shpërndarjen e gjakut dhe të përbërësve të tij, procedurat e sigurimit të cilësisë, si dhe veprimtari të tjera, të lidhura me mjekësinë transfuzive, janë pjesë përbërëse e sistemit shëndetësor publik dhe bazohen te dhurimi vullnetar, i rregullt dhe i përgjegjshëm, i gjakut dhe i përbërësve të tij.
Neni 5
Dhurimi i gjakut
Dhurimi i gjakut dhe i përbërësve të tij lejohet të kryhet vetëm në struktura përkatëse, të specializuara për shërbimin e transfuzionit, të autorizuara nga ministri i Shëndetësisë.
Neni 6
Dhuruesit e gjakut
1. Dhurues gjaku mund të jetë çdo person, pavarësisht gjinisë, racës, ngjyrës, përkatësisë kombëtare dhe fetare. Dhurimi mund të jetë autolog ose për persona të tjerë (pacientët, që kanë nevojë).
a) Dhurimi i gjakut dhe i përbërësve të tij kryhet nga persona të moshës 18-60 vjeç, pasi merret pëlqimi me shkrim dhe vlerësohet përshtatshmëria e tyre, fizike e shëndetësore. Dhurimi i gjakut dhe i përbërësve të tij mund të kryhet edhe nga persona të moshës 17-18 vjeç, nëse dhurojnë për të afërm dhe pas pëlqimit, me shkrim, nga prindërit ose kujdestarët e tyre ligjorë;
b) Dhurimi autolog i gjakut kryhet edhe nga pacientë nën moshën 17 vjeç, pas pëlqimit me shkrim, të prindërve ose kujdestarëve ligjorë të fëmijës. Dhurimi autolog i gjakut kryhet edhe nga pacientë mbi 60 vjeç, pas pëlqimit të tyre, me shkrim.
2. Dhurimi i plaçentës dhe i gjakut umbilikal është veprim vullnetar, falas, për të cilin duhet pëlqimi, me shkrim, i gruas shtatëzanë.
Neni 7
Dokumentacioni për dhurimin e gjakut
1. Dokumentet për verifikimin e përshtatshmërisë së dhuruesve, informacionin e marrë dhe dhënë dhuruesve, mënyrën e dhurimit të gjakut ose të përbërësve të tij, si dhe trajtimi i dhuruesve pas dhurimit përcaktohen në rregulloren përkatëse, të miratuar me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.
2.Çdo dhurues, përpara dhurimit të gjakut, nënshkruan formularin standard, të paraqitur nga strukturat përkatëse dhe, mban përgjegjësi personale. Formulari i nënshkruar nga dhuruesit nënshkruhet edhe nga specialisti shëndetësor, që përgjigjet për marrjen e historisë shëndetësore të dhuruesit dhe pohon se dhuruesi:
a) ka lexuar dhe kuptuar materialet informuese;
b) ka patur mundësinë e bërjes së pyetjeve dhe ka marrë përgjigjet e mjaftueshme për pyetjet e bëra;
c) ka dhënë pëlqimin për vazhdimin e procesit të dhurimit;
ç) ka marrë informacion, në rastin e dhurimit autolog, se gjaku i dhuruar prej tij mund të mos mjaftojë për të plotësuar kërkesat e menduara;
d) është i vetëdijshëm se i gjithë informacioni i dhënë prej tij është i vërtetë, për aq sa ai ka dijeni.
3. Të gjitha të dhënat e marra nga dhuruesit janë konfidenciale, përfshirë edhe rezultatet laboratorike. Për këtë qëllim, Qendra Kombëtare e Transfuzionit, duhet të marrë masat përkatëse për:
a) ruajtjen e sistemit të të dhënave, si dhe për parandalimin e çdo lloj transferimi, dëmtimi, apo ndryshimi të dosjeve të dhuruesve;
b) garantimin e të dhënave të dhuruesve në të gjitha hallkat e procesit të gjurmimit.
Neni 8
Mbështetja e dhuruesve të gjakut
1. Dhuruesit e gjakut ose të përbërësve të tij, të punësuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, kanë të drejtë të largohen nga puna ditën e dhurimit, kundrejt detyrimit të punëdhënësit për të paguar rregullisht ditën e punës. Nëse këta dhurues vlerësohen të papërshtatshëm për të dhuruar, atyre iu njihet e drejta për t'u paguar, për kohën e harxhuar për këtë qëllim.
2. Pagesa për rastet e përmendura më lart bëhet kundrejt vërtetimit zyrtar të strukturës përkatëse, sipas një formati të miratuar nga ministri i Shëndetësisë.
3. Dhuruesit e gjakut ose të përbërësve të tij, studentë ose nxënës, si dhe efektivat e Forcave të Armatosura kanë të drejtën e dy ditëve pushim, kur dhurojnë gjak.
4. Ministria e Shëndetësisë parashikon, çdo vit, një zë të veçantë në buxhet, për motivimin e dhuruesve të gjakut. Ky fond përdoret me urdhër të ministrit të Shëndetësisë. Mënyrat dhe metodat e motivimit të dhuruesve propozohen nga Komiteti Kombëtar i Transfuzionit dhe miratohen me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.
Neni 9
Gjaku, produkt i mbledhur dhe i shpërndarë pa fitim
1. Gjaku njerëzor nuk mund të përdoret në shërbimin shëndetësor për qëllime fitimi. Shpenzimet për procedurat e kontrollit, të përpunimit dhe shpërndarjes së gjakut dhe të përbërësve të tij, në asnjë rast, nuk përballohen nga pacienti.
2. Kostot e veprimtarive të shërbimeve të transfuzionit përballohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë.
KREU III
ORGANIZIMI I SHËRBIMIT TË TRANSFUZIONIT
Neni 10
Shërbimet themelore në strukturat e shërbimit të transfuzionit
Detyrimet kryesore të strukturave të shërbimit shëndetësor në fushën e transfuzionit janë:
1. Promovimi i dhurimit vullnetar, të rregullt dhe falas të gjakut.
2. Furnizimi i qëndrueshëm me gjak dhe produkte të tij, cilësore dhe të sigurta, që bazohet në:
a. përcaktimin e përshtatshmërisë së dhuruesve për dhurim;
b. mbledhjen e gjakut dhe të përbërësve të tij;
c. përpunimin e gjakut dhe të përbërësve të tij;
ç. kontrollin e detyrueshëm laboratorik, për të plotësuar kriteret dhe standardet zyrtare, të cilësisë dhe sigurisë, për çdo njësi gjaku ose përbërësi të tij, veçanërisht për parandalimin e infeksioneve të transmetuara nëpërmjet gjakut;
d. ruajtjen dhe shpërndarjen e gjakut dhe të përbërësve të tij;
dh. kalimin e gjakut në strukturat shëndetësore, publike ose private, të vendit ose të huaja;
e. bashkëpunimin me strukturat shëndetësore të Forcave të Armatosura, në kushte të zakonshme ose jashtëzakonshme.
3. Veprimtaria, diagnostike dhe terapeutike, në strukturat, publike ose private, përkatëse, që përfshin:
a. ekzaminimin e pacientëve të planifikuar për transfuzion dhe të pacientëve pas transfuzionit;
b. verifikimin e kërkesave për gjak dhe përbërës të tij, si dhe shpërndarjen e tyre për përdorim;
c. mbështetjen transfuzionale në shërbimet e urgjencës dhe të emergjencës;
ç. bashkërendimin, organizimin dhe zbatimin e transfuzionit autolog;
d. përdorimin e gjakut dhe të përbërësve të tij dhe të hemaferezës në pacientë spitalorë ose ambulatorë;
dh. promovimin e përdorimit të përshtatshëm të gjakut/produkteve të tij;
e. funksionimin si vëzhgues epidemiologjikë në kuadër të sistemit të hemovigjilencës;
ë. kontrollin para lindjes dhe parandalimin e sëmundjes hemolitike te të porsalindurit;
f. veprime të tjera, që lidhen me transfuzionin dhe përcaktohen nga institucioni drejtues përkatës.
Neni 11
Organizimi i veprimtarisë së shërbimit të transfuzionit
1. Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave përcakton:
a. nivelet e shërbimit të transfuzionit në institucionet shëndetësore, sipas kategorizimit të tyre;
b. standardet kombëtare për produktet, e prodhuara dhe të ofruara, nga strukturat e këtij shërbimi.
2. Ministri i Shëndetësisë:
a. përcakton kërkesat bazë, organizative dhe teknike, të strukturave të këtij shërbimi;
b. planifikon fondet për veprimtaritë, promovuese dhe edukative, në fushën e transfuzionit të gjakut, të cilat mbështeten financiarisht nga Ministria e Shëndetësisë.
KREU IV
ORGANIZATAT JOFITIMPRURËSE, QË USHTROJNË VEPRIMTARI NË DHURIMIN E GJAKUT
Neni 12
Organizatat jofitimprurëse, që ushtrojnë veprimtari në dhurimin e gjakut
1. Shteti njeh funksionin, qytetar dhe shoqëror, si dhe vlerat njerëzore e të solidaritetit, të shprehura në dhurimin vullnetar, të rregullt, falas e të përgjegjshëm të gjakut e të përbërësve të tij.
2. Shteti bashkëpunon me Kryqin e Kuq Shqiptar dhe organizata të tjera jofitimprurëse në promovimin e dhurimit të gjakut dhe mbrojtjen e shëndetit të dhuruesve dhe të pacientëve.
3. Shteti bashkëpunon me organizatat jofitimprurëse, statuti i të cilave përputhet me parimet e këtij ligji dhe që disponojnë kapacitete njerëzore/materiale, të përshtatshme për këtë qëllim.
4. Organizatat jofitimprurëse, që plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 3, të këtij neni, organizojnë sesione të dhurimit të gjakut, në përputhje me udhëzuesin përkatës, të hartuar nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit.
5. Organizatat jofitimprurëse informojnë, detyrimisht, shërbimin kombëtar të transfuzionit për listat e dhuruesve, të regjistruar prej tyre.
KREU V
PROGRAMIMI I VEPRIMTARIVE TË SHËRBIMEVE TË TRANSFUZIONIT
Neni 13
Kompetencat e Ministrisë së Shëndetësisë
1. Ministria e Shëndetësisë kryen funksionet e mëposhtme:
a. Programon dhe drejton veprimtaritë e shërbimit të transfuzionit, në nivel kombëtar;
b. Bën rregullimin normativ dhe përshtatjen me direktivat komunitare;
c. Organizon kontrollin e detyrueshëm të gjakut dhe të përbërësve të tij, të mbledhur në vend;
ç. Kontrollon prodhimin kombëtar të produkteve të gjakut;
d. Kontrollon tregun e derivateve të gjakut;
dh. Lëshon autorizimin për import-eksportin e gjakut/produkteve të tij;
e. Regjistron derivatet e gjakut për përdorim, terapeutik dhe diagnostik;
ë. Promovon kërkimin dhe eksperimentimin në fushën e shërbimit të transfuzionit;
f. Përcakton kriteret e financimit për veprimtaritë e shërbimit kombëtar të transfuzionit;
g. Përgatit projekte specifike kombëtare, për promovimin e dhurimit vullnetar, të rregullt e falas të gjakut/përbërësve të tij, me synim arritjen e vetëmjaftueshmërisë kombëtare.
2. Ministria e Shëndetësisë propozon dhe kontrollon, çdo vit, çmimet/tarifat, që përdoren në shërbimin e transfuzionit, në raport me partnerët e tij, publikë ose privatë.
3. Kushtet për hapjen dhe funksionimin e bankave të gjakut të kordonit umbilikal, për qëllim transplanti, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu edhe hapja e këtyre strukturave bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 14
Shërbimi kombëtar i transfuzionit dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit
1. Organizimi dhe funksionimi i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit dhe i strukturave të shërbimeve të transfuzionit në vend përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Qendra Kombëtare e Transfuzionit, në përputhje me detyrat e ngarkuara nga ky ligj, kryen funksionet e bashkërendimit të punës dhe të kontrollit tekniko-administrativ, në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar të Transfuzionit.
Qendra Kombëtare e Transfuzionit, në mënyrë të veçantë, siguron:
a) Mbështetje për programimin kombëtar të veprimtarive të shërbimeve të transfuzionit;
b) Informacion për Ministrinë e Shëndetësisë, për programin vjetor të vetëmjaftueshmërisë;
c) Informacion për Ministrinë e Shëndetësisë, për nevojat për import ose mundësitë për eksport;
ç) Hartimin dhe shpërndarjen e akteve nënligjore dhe të udhëzuesve përkatës për këtë shërbim;
d) Përllogaritjen e kostove të shërbimeve dhe të produkteve, ofruar nga SHKT-ja;
dh) Realizimin e funksionit bashkërendues për sistemin informativ në shërbimin e transfuzionit;
e) Kryerjen e studimeve për cilësinë, përshtatshmërinë dhe efiçencën e veprimtarive të shërbimeve të transfuzionit;
ë) Bazën pedagogjike për specializimin e mjekëve në specialitetin "Mjekësi transfuzive" dhe bashkëpunimin me Fakultetin e Mjekësisë, për trajnimin e vazhdueshëm të specialistëve, që punojnë në strukturat e shërbimit të transfuzionit, në vend;
f) Hartimin dhe zbatimin e programit të kualifikimit të personelit te mesëm të shërbimit kombëtar të transfuzionit;
g) Bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Barnave, për kontrollin e barnave, me origjinë gjakun njerëzor;
gj) Hartimin dhe zbatimin e skemës së hemovigjilencës, sipas urdhrit të ministrit të Shëndetësisë;
h) Kontrollin e metodave diagnostike, të përdorura për vlerësimin e cilësisë, sigurisë, efikasitetit dhe përdorueshmërisë së procedurave, të zbatuara në këtë fushë;
i) Kujdesin për regjistrin kombëtar të gjakut, përsa u përket aspekteve tekniko-organizative të tij ;
j) Mbështetjen e organizimit të kontrollit të jashtëm të cilësisë në fushën e transfuzionit.
Neni 15
Komitetit Kombëtar i Transfuzionit
1. Komiteti Kombëtar i Transfuzionit është organ këshillimor i ministrit të Shëndetësisë. Ky komitet përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Qendrës Kombëtare të Transfuzionit, Institutit të Shëndetit Publik, shoqatave të dhuruesve vullnetarë të gjakut, shoqatave të pacientëve, përdorues të gjakut, si dhe specialistë të tjerë, të përcaktuar nga ministri i Shëndetësisë.
Komitetit drejtohet nga kryetari i zgjedhur, me votim, ndërmjet anëtarëve të tij.
Komiteti funksionon në përputhje me rregulloren e tij, të miratuar nga ministri i Shëndetësisë.
2. Anëtarët e Komitetit Kombëtar të Transfuzionit, të propozuar nga institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij neni, emërohen me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, për një mandat 3-vjeçar, të rinovueshëm.
Trajtimi financiar i anëtarëve të komitetit rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Komiteti Kombëtar i Transfuzionit këshillon ministrin e Shëndetësisë për zbatimin e detyrimeve, që rrjedhin nga ky ligj, dhe për rishikime të rëndësishme ligjore, politike, organizative e teknike në fushën e transfuzionit.
4. Burimet financiare për Komitetin Kombëtar të Transfuzionit planifikohen dhe përfshihen në buxhetin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit.
Neni 16
Shërbimi i transfuzionit në Forcat e Armatosura
1. Shërbimi kombëtar i transfuzionit dhe shërbimi shëndetësor në Forcat e Armatosura organizojnë veprimtari në sektorin e dhurimit dhe të përdorimit të gjakut në njësitë e Forcave të Armatosura.
2. Autoritetet përkatëse në Forcat e Armatosura mbështesin kulturën e dhurimit, vullnetar dhe falas, të gjakut dhe të përbërësve të tij, në efektivat e tyre.
3. Shërbimi kombëtar i transfuzionit, shërbimi shëndetësor në Forcat e Armatosura dhe reparti i mbrojtjes civile të Republikës hartojnë dhe zbatojnë programin e përbashkët për plotësimin e nevojave për gjak dhe për produktet e tij në emergjenca civile dhe në gjendje të jashtëzakonshme.
4. Për zbatimin e pikave 1, 2 e 3, të këtij neni, hartohen marrëveshje, ndërmjet ministrive përkatëse.
KREU VI
MASAT PËR VETËMJAFTUESHMËRINË KOMBËTARE
Neni 17
Masat për arritjen e vetëmjaftueshmërisë kombëtare
1. Vetëmjaftueshmëria në gjak dhe përbërësit e tij është objektiv madhor i shërbimit shëndetësor dhe synon sigurimin e trajtimit të shërbimit të transfuzionit me cilësi, sasi dhe siguri optimale për të gjithë shtetasit, që kanë nevojë.
2. Ministri i Shëndetësisë, çdo vit kalendarik, miraton programin e vetëmjaftueshmërisë kombëtare, të paraqitur nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit, bazuar në përdorimin e mëparshëm, nevojën e përllogaritur, sasinë e mbledhur në vend dhe nivelin e importit e të eksportit.
Neni 18
Prodhimi i derivateve të gjakut
1. Kushtet dhe mënyrat e licencimit, krijimit e të funksionimit të qendrave të fraksionimit të plazmës dhe prodhimit të derivateve të gjakut përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Qendrat e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, duhet të kenë kushtet e punës dhe dokumentacionin e plotë, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me standardet e BE-së. Ato i nënshtrohen kontrollit të rregullt të strukturave përkatëse, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Derivatet e gjakut, sipas pikës 1, të këtij neni, para hedhjes në treg, i nënshtrohen kontrollit zyrtar të strukturave shtetërore përkatëse, sipas urdhrit të ministrit të Shëndetësisë.
4. Prodhimi i derivateve të gjakut, duke përdorur plazmën e mbledhur në vend, mund të bëhet edhe jashtë vendit, me kontratë, me shoqëri të huaja. Kjo procedurë duhet të autorizohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 19
Importimi dhe eksportimi
1. Importimi dhe eksportimi i gjakut ose i produkteve të tij për përdorim terapeutik, profilaktik e diagnostik autorizohen nga ministri i Shëndetësisë, që miraton edhe procedurat praktike, përkatëse, dhe dokumentacionin e detyrueshëm.
2. Lista e kërkesave, që duhet të plotësojë gjaku dhe përbërësit e tij, të importuar nga vendet e treta, përfshirë mënyrat dhe kushtet e gjurmimit, regjistrimin e të dhënave të gjurmimit, verifikimin e dhënies së gjakut dhe të përbërësve të tij, sistemet e deklarimit të efekteve negative, përcaktohet me rregullore të veçantë, të miratuar me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.
3. Nëse ka tepricë të gjakut dhe të përbërësve të tij, të dhuruar në vend, ai mund të eksportohet vetëm në kuadër të projekteve të bashkëpunimit ndërkombëtar ose për qëllime humanitare, në përputhje me afatet kohore të transportit dhe me standardet e BE-së.
4. Importimi i gjakut dhe i përbërësve të tij bëhet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë në këto raste:
a) në katastrofa ose aksidente të rënda, në pamundësi për t'u mbuluar nga burimet e brendshme;
b) për trajtimin e individëve të veçantë ose të pacientëve me probleme specifike, për të cilët është e pamundur të sigurohet gjak ose përbërës të tij në vend.
5. Importimi i derivateve të gjakut, për përdorim klinik, lejohet kur zbatohen kërkesat e legjislacionit në fuqi për barnat dhe kur dokumentohet negativiteti i kontrollit për agjentë dëmtues të shëndetit.
6. Importimi dhe eksportimi i qelizave burimore hemopoetike, për qëllime transplanti, rregullohen sipas legjislacionit në fuqi për transplantet.
Neni 20
Përdorimi i mirë i gjakut
1. Ky ligj promovon zbatimin e praktikave të mira klinike në përdorimin e gjakut e të produkteve të tij, si dhe të transfuzionit autolog, në strukturat shëndetësore, publike e private, të licencuara.
2. Institucionet shëndetësore, që përdorin gjak dhe/ose produkte të tij, monitorojnë, rregullisht, procedurat përkatëse për përdorimin e gjakut dhe efektet e padëshiruara të tij.
Neni 21
Sistemi informativ i shërbimit të transfuzionit
1. Ndërtimi i sistemit informativ në shërbimin kombëtar të transfuzionit përcaktohet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë. Në urdhër përcaktohet sistemi i kodifikimit, që identifikon dhuruesin, produktet dhe strukturat e shërbimit të transfuzionit, por duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale të personave.
2. Për krijimin dhe funksionimin e sistemit informativ të shërbimit të transfuzionit përllogaritet një fond i veçantë, i përfshirë në buxhetin vjetor të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit.
KREU VII
INSPEKTIMI, AUTORIZIMI DHE AKREDITIMI I STRUKTURAVE TË SHËRBIMIT TË TRANSFUZIONIT
Neni 22
Inspektimi i strukturave të shërbimit të transfuzionit
1. Instituti i Shëndetit Publik është autoriteti inspektues i strukturave të shërbimit të transfuzionit, që organizon inspektimin dhe urdhëron marrjen e masave përkatëse për zbatimin e kërkesave të ligjit. Procedura e inspektimit rregullohet me rregullore, të miratuar nga ministri i Shëndetësisë.
2. Përfaqësuesit e autoritetit inspektues kanë të drejtë të:
a) inspektojnë periodikisht strukturat e shërbimit të transfuzionit dhe strukturat klinike, ku përdoret gjaku dhe produktet e tij. Afati ndërmjet dy inspektimeve dhe masave të kontrollit nuk duhet të kalojë 2 vjet;
b) marrin mostra për ekzaminim dhe testim;
c) tërheqin dhe ekzaminojnë çdo dokument, që ka lidhje me objektin e inspektimit;
ç) rekomandojnë ndërhyrjet e nevojshme;
d) propozojnë marrjen e masave, sipas rregullores së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.
Neni 23
Akreditimi i strukturave të shërbimit të transfuzionit
1. Akreditimi i strukturave të shërbimit të transfuzionit kryhet nga qendra kombëtare e cilësisë, certifikimit dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore.
2. Ministri i Shëndetësisë përcakton, me urdhër, procedurat dhe kriteret e akreditimit për strukturat e shërbimit të transfuzionit.
3. Akreditimi nga qendra kombëtare e cilësisë i strukturave të shërbimit të transfuzionit, që funksionojnë aktualisht, duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2010.
4. Strukturat e shërbimit të transfuzionit akreditohen, për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rinovimi.
KREU VIII
DISPOZITA PËR CILËSINË DHE SIGURINË E GJAKUT E TË PRODUKTEVE TË TIJ
Neni 24
Cilësia dhe siguria e gjakut dhe e produkteve të tij
1. Rregullat për vlerësimin e cilësisë dhe të sigurisë së gjakut e të produkteve të tij përcaktohen me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.
2. Urdhri i ministrit të Shëndetësisë rregullon:
a) mënyrën dhe përmbajtjen e informimit të dhuruesve të gjakut dhe të përbërësve të tij;
b) mënyrën dhe përmbajtjen e informacionit të marrë nga dhuruesit e gjakut dhe të përbërësve të tij;
c) procedurat, që përcaktojnë përshtatshmërinë e dhuruesve të gjakut dhe të përbërësve të tij;
ç) mënyrat e mbledhjes e të përpunimit të gjakut dhe të përbërësve të tij;
d) kontrollet laboratorike dhe mënyrën e kryerjes së tyre në dhurimet e gjakut dhe të përbërësve të tij;
dh) kërkesat e cilësisë për gjakun dhe përbërësit e tij;
e) kërkesat e detyrueshme për etiketimin;
ë) mënyrat e ruajtjes e të shpërndarjes së gjakut dhe të përbërësve të tij;
f) procedurat dhe testimet laboratorike, për shpërndarjen e gjakut dhe të përbërësve të tij.
3. Me urdhër të ministrit të Shëndetësisë miratohet rregullorja për funksionimin e sistemit të:
a) regjistrimit dhe ruajtjes të së dhënave për procedurat e kryera në strukturat e shërbimit kombëtar të transfuzionit dhe në spitale;
b) gjurmimit të njësive të gjakut dhe të produkteve të tij (prodhuar në vend ose importuar), për të rindërtuar rrugën nga dhurimi i gjakut deri në destinacionin përfundimtar;
c) hemovigjilencës, për të mbledhur dhe përpunuar të dhënat për rastet e incidenteve dhe të reaksioneve negative në të gjitha hallkat e procesit.
4. Gjatë të gjitha procedurave duhet garantuar karakteri, anonim dhe i rezervuar, i informacionit për dhuruesin, veçanërisht i informacionit për përshtatshmërinë e tij për të dhuruar.
KREU IX
SANKSIONE
Neni 25
Sanksione
1. Mbledhja, ruajtja, shpërndarja ose prodhimi, me qëllim futjen në treg, si dhe futja në treg e produkteve të gjakut, jashtë strukturave të autorizuara, sipas kërkesave të këtij ligji, dhe në shkelje të ligjit për barnat, kur nuk përbëjnë vepër penale përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë në masën 500 000 lekë.
Nëse veprimet e mësipërme kryhen nga specialistë të strukturave të shërbimit të transfuzionit krahas dënimit me gjobë, si më lart, i shtohet edhe heqja e së drejtës së ushtrimit të profesionit për një kohë të caktuar. Gjithashtu, këto veprime shoqërohen edhe me mbylljen e strukturës së paligjshme.
2. Shitja e gjakut, për qëllime fitimi, në struktura jashtë shërbimit kombëtar të transfuzionit, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 50 000 lekë. Struktura, ku bëhet mbledhja ose shpërndarja e gjakut, për qëllime fitimi, mbyllet për një periudhë 12-mujore dhe, në rast përsëritjeje, mbyllet përgjithmonë.
3. Shkeljet me karakter organizativ/teknik, të këtij ligji, në strukturat e autorizuara dhe që mund të dëmtojnë shëndetin e dhuruesit/pacientit, kur nuk përbëjnë vepër penale, dënohen me gjobë 50 000 lekë dhe/ose me heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit deri në 2 vjet.
Instituti i Shëndetit Publik është autoriteti inspektues i strukturave të shërbimit të transfuzionit, që ekzekuton sanksionet për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në këtë nen.
KREU X
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 26
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e ligji, të nxjerrë aktet nënligjore përkatëse, në zbatim të neneve 11, 13, pika 3, 14, 15 e 18, të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri i Shëndetësisë, që, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, të nxjerrë aktet nënligjore përkatëse, në zbatim të neneve 7, pika 1, 8, pika 2, 11, pika 2, 15, pikat 1 e 2, 17, pika 2, 19, pika 1, 21, pika 1, 22, pika 1, 23, pika 2, dhe 24, pikat 1 e 3, të këtij ligji.
Neni 27
Shfuqizime
Ligji nr. 8032, datë 16.11.1995, "Për transfuzionin e gjakut", shfuqizohet.
Neni 28
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES PËR DHËNIEN, ME KONCESION, TË HIDROCENTRALIT "LABINOT MAL-ELBASAN" DHE MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË
Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs dhe të neneve 5, pika 3, e 27, pika 3, shkronja "b", tё ligjit nr.9663, datё 18.12.2006, "Pёr koncesionet", me propozimin e ministrit tё Ekonomisё, Tregtisё dhe Energjetikёs, Kёshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autoriteti kontraktues, për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien, me koncesion, të formës "ROT" (Rehabilitim, Operim dhe Transferim), të hidrocentralit ekzistues "Labinot Mal-Elbasan", është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
2. Dhënien e bonusit prej 8 përqindësh të pikëve shoqërisë "KORRA", shpk, për rezultatin, teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), për dhënien me koncesion të këtij hidrocentrali.
3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KONVENTËS SË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS (ILO), "PËR PUNËTORËT ME PËRGJEGJËSI FAMILJARE, C156, 1981"
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, «Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare», me propozimin e ministrit të Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të konventës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), "Për punëtorët me përgjegjësi familjare, C156, 1981".
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KONVENTËS SË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS (ILO), "PËR KONTROLLIN E PUNËS NË BUJQËSI, C129, 1969"
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, «Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare», me propozimin e ministrit të Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të konventës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), "Për kontrollin e punës në bujqësi, C129, 1969".
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2007, MIRATUAR PËR ZYRËN E ADMINISTRIMIT TË BUXHETIT GJYQËSOR, PËR FINANCIMIN E FUNKSIONIMIT TË KOLEGJIT ZGJEDHOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të Republikës së Shqipërisë", dhe të nenit 12, të ligjit nr.9645, datë 27.11.2006, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2007", me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, në buxhetin e miratuar për vitin 2007, t'i shtohet fondi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh, për shpenzime operative në fondin e pakushtëzuar, për financimin e Kolegjit Zgjedhor.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
* * *
U DH Ë Z I M
PËR
MIRATIMIN E KOSTOS MESATARE TË NDËRTIMIT TË BANESAVE, NGA ENTI KOMBËTAR I BANESAVE, DHE TË KOEFICIENTIT "K", PËR VITIN 2007
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 14, të ligjit nr.9416, datë 25.5.2005, "Për procedurat e privatizimit të banesave të ndërtuara ose të blera me fondet shtetërore, nga Enti Kombëtar i Banesave", dhe të nenit 9, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
U DH Ë Z O N:
1. Kostoja mesatare e ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë Republike, për vitin 2007, të jetë 29 874 (njëzet e nëntë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë/m2, për sipërfaqe shfrytëzimi.
2. Kostoja mesatare e ndërtimit dhe vlera mesatare e apartamenteve në tregun e lirë të banesave, për vitin 2007, sipas qyteteve, të jetë sipas tabelave nr.1 e nr.2, që i bashkëlidhen këtij udhëzimi.
3. Vlera e koeficientit "K" të jetë sipas tabelës nr.3, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi.
4. Për qytetet, për të cilat nuk janë nxjerrë vlerat e kostos mesatare të ndërtimit, si dhe për zonat rurale të merren vlerat e qytetit më të afërt, sipas tabelës.
5. Vlerat mesatare të banesave në tregun e lirë nuk mund të përdoren për t'iu referuar zonave të afërta.
6. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Enti Kombëtar i Banesave për zbatimin e këtij udhëzimi.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA