Kryeministri Sali Berisha uron Presidentin Barack Obama për Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve

“Realizuam zgjedhje të lira dhe me standarde, do vazhdojë bashkëpunimi me administratën Tuaj”
“Qeveritë e të dyja vendeve tona do të vijojnë të bashkëpunojnë ngushtë në shumë fusha. Shqipëria sapo përfundoi, me sukses, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat qenë më të mirat, të realizuara ndonjëherë për sa u përket standardeve. Ato u zhvilluan në një klimë tërësisht të qetë e konstruktive, duke dëshmuar, edhe një herë, se shqiptarët i përkasin denjësisht familjes euroatlantike, të vendeve e popujve të lirë”,
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA.
Në këtë letër të përzemërt kryeministri Berisha shpreh nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që, në emrin të qeverisë shqiptare, t’i urojë përzemërsisht për Ditën e Pavarësisë.
“Me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, më 4 korrik 1776, vlerat e mëdha e të pandashme të njerëzimit, të jetës, lirisë dhe të së drejtës për të kërkuar lumturinë individuale, u sanksionuan, në mënyrën më spektakolare, si kurrë ndonjëherë më parë, si urdhëresat më të shenjta, mbi të cilat lartësohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çdo vend i lirë e demokratik”, shpreh në telegramin e tij kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se me nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shndërruan në mbrojtësin dhe promovuesin, më pasionant e më të vendosur, të këtyre vlerave mbarëbotërore dhe të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe tregut të lirë, si institutet më të shkëlqyera për garantimin e jetës, të lirisë, mirëqenies e lumturisë të çdo individi, duke gëzuar mirënjohjen e përjetshme të çdo njeriu të lirë të planetit tonë.
“Me bindjen e palëkundur në universalitetin e tyre për mbarë njerëzimin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbeten edhe sot, rreth dy shekuj e gjysmë më pas, burimi më vezullues i shpresës, për miliona e miliona qytetarë të planetit tonë, që dëshirojnë dhe shpresojnë të jetojnë të lirë e me dinjitet, pa dallim race, përkatësie etnike, gjinie apo statusi shoqëror. Ndaj jemi të lumtur e mirënjohës, që, nën udhëheqjen tuaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbeten tërësisht të angazhuara dhe të japin kontribut të jashtëzakonshëm për promovimin e paqes, të demokracisë e lirisë, në luftë kundër terrorizmit e varfërisë, kudo në botë”, tha kryeministri.
Sipas kryeministrit kjo ditë e shënuar është një jubile i veçantë për të gjithë miqtë e SHBA në botë. Për ne shqiptarët dhe për mua, si kryeministër i Shqipërisë, tha Berisha, që pata rastin të përfaqësoj vendin tim në samitin e sivjetshëm të NATO-s, në Strasburg-Kehl, si anëtar i denjë në Aleancën më të madhe të familjes së kombeve të lira.
“Takimi me Ju dhe dorëzimi nga Ju i Traktatit të Uashingtonit do të mbeten për mua dhe të gjithë shqiptarët një çast historik i paharrueshëm. Ndaj, në emër të të gjithë shqiptarëve, në emër të qeverisë shqiptare dhe në emrin tim personal, shfrytëzoj rastin t’Ju shpreh mirënjohjen më të thellë, për përkrahjen e mbështetjen e çmuar, që ju, administrata juaj dhe kombi i madh amerikan, miku më i madh e më i çmuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të bërë të mundur realizimin e ëndrrës shumëvjeçare të vendit tim, për të qenë anëtar i NATO-s si edhe për mbështetjen, që vazhdoni të na jepni, për përparimin e begatinë e mëtejshme të vendit dhe popullit tonë”, vlerëson kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha gjen rastin të shprehë edhe një herë mirënjohjen më të thellë për kontributin vendimtar e të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çlirimin e pavarësimin e Kosovës.
Berisha shpreh më tej se sot qeveritë e të dyja vendeve tona bashkëpunojnë ngushtë në shumë fusha.
“Shqipëria sapo përfundoi, me sukses, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat qenë më të mirat, të realizuara ndonjëherë për sa u përket standardeve. Ato u zhvilluan në një klimë tërësisht të qetë e konstruktive, duke dëshmuar, edhe një herë, se shqiptarët i përkasin denjësisht familjes euroatlantike, të vendeve e popujve të lirë”, tha kryeministri. Berisha shfrytëzon rastin të ritheksojë vendosmërinë dhe angazhimin e tij të plotë dhe të qeverisë, që kryeson, se do të vazhdojë të bashkëpunojmë me administratën “Obama”, si në kuadrin dypalësh, edhe në arenën ndërkombëtare, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në të mirë të mirëqenies e të begatisë të të dy popujve tanë miq.
“Më lejoni edhe një herë që, në përvjetorin e dyqind e tridhjetë e tretë të Ditës së Pavarësisë, t’Ju shpreh urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju personalisht, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për lumturinë e begatinë e popullit mik amerikan, si dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë në një kohë sa më të përshtatshme për Ju. Shfrytëzoj rastin për t’ju ripohuar, z. President, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.”
...