Kryeministri Sali Berisha vlerëson procesin për kartat dhe pasaportat biometrike, ndër më të suksesshmit dhe më të rëndësishmit
Kreu i qeverisë Sali Berisha shprehet i sigurt se procesi për pajisjen me kartat e reja të identitetit po kompletohet para afatit të parashikuar. Kryeministri tha se atyre që u bien borive se procesi po dështon, u përgjigjemi me statistika. Sipas kryeministrit procesi ka arritur rreth 12 mijë aplikime në ditë dhe se nga kontingjenti prej 700 mijë qytetarë që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë.
Procesi për pajisjen me karta identiteti dhe pasaporta biometrike ka një ecuri të shkëlqyer dhe po kompletohet para afatit.
Këto deklarime Kryeministri Sali Berisha i bëri dje, gjatë mbledhjes së qeverisë, ku e cilësoi pajisjen me kartat e reja të identitetit si një ndër proceset më të rëndësishëm dhe më të suksesshëm në historinë e vendit.
Kryeministri Sali Berisha hodhi gjithashtu poshtë propozimin e socialistëve, për shpërndarjen falas të kartave të identitetit, duke e konsideruar këtë si një përpjekje për të bllokuar procesin dhe për ti shndërruar dokumentet e reja në karta votimi. Berisha tha se qeveria ka marrë të gjitha masat për uljen nën kosto të çmimit të Kartave, dhe rimbursimin për shtresat në nevojë, për buxhetorët me 20 për qind, për pensionistët me 35 për qind, për studentët dhe ndihmën ekonomike me 46 për qind, dhe se kanë pasur efektin e vet shumë pozitiv.
Procesi
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, vuri në dukje se procesi i pajisjes së shtetasve me pasaporta elektronike, po ecën me ritme pozitive të cilat kanë arritur rreth 12 mijë aplikime në ditë. “Deri tani janë 277 mijë aplikime, janë mbi 125 mijë karta të prodhuara për Tiranën, të shpërndara në qendrat e minibashkive”, tha Berisha. Kryeministri e cilësoi të pabazë qëndrimin e opozitës, e cila gjatë gjithë kësaj kohe ka synuar ta nxijë këtë proces, duke thurur deklarata që bëjnë thirrje për alarm se ka dështuar procesi, në një kohë kur pajisja me karta po plotësohet si një sukses më vetë dhe se shqiptarët po barazohen me të gjithë qytetarët evropianë. “Me gjithë zhurmën e pa bazë të opozitës, e cila përpiqet me çdo kusht ta nxijë këtë proces, një nga proceset më të rëndësishme dhe më të suksesshme në historinë e këtij vendi, dokumente të cilat bëjnë që shqiptarët të barazohen me të gjithë qytetarët evropianë, pra me gjithë fushatën nxirëse, siç ju e shihni, 277 mijë qytetarët kanë aplikuar për karta identiteti. Nga kontingjenti prej 700 mijë qytetarë që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë”, tha kryeministri.Në këtë mënyrë, theksoi kryeministri, ata të cilët u ranë borive se procesi po dështon dhe nuk po ecën, ata e marrin përgjigjen me statistika.
“Ky është një lajm pozitiv që merr mbarë vendi, për ecurinë e shkëlqyer të procesit të shpërndarjes së Kartave të Identitetit”, u shpreh Berisha dje.
Opozita
Duke u ndalur te pretendimet e opozitës, kreu i qeverisë, u shpreh se kërkesa e socialistëve ka për qëllim vetëm zhvlerësimin e kartave të reja të identitetit. “Natyrisht, përpjekjet për t’i shndërruar këto në karta votimi, ashtu siç ndodhi në vitin 1997 që u shpërndanë falas dhe shumica e tyre përfunduan në lumin Lanë, janë përpjekje për të bllokuar procesin, janë përpjekje dhe kërkesa se si të zhvlerësosh totalisht procesin dhe t’i shndërrosh këto karta në ato lloj kartash votimi. Por ato nuk janë thjesht Karta votimi, por janë letra identiteti, me të cilat, në një të ardhme jo të largët, do të mundet të udhëtohet, sepse janë të pajisura me dy çipe, pra janë të standardeve më të mira”, u shpreh kryeministri. Më herët kreu i PS-së Edi Rama, nëpërmjet një deklarate për shtyp u shpreh se qeveria duhet t’i shpërndajë falas dokumentet e reja të identitetit, të cilat konsiderohen si nga qeveria aktuale ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare si përparësi madhore për të garantuar zgjedhje të ndershme dhe njëherazi duke e kompletuar procesin me pasaportat e reja biometrike, janë një hap madhor në kuadër të liberalizimit të vizave Shqipëri-BE.
Infrastruktura
Kryeministri Sali Berisha garantoi gjithashtu dje, se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen me një infrastrukturë teknike tërësisht moderne. Kreu i qeverisë u shpreh në mbledhjen e qeverisë se pala opozitare duhet të jetë e qetë, por njëherazi edhe qytetarët duhet të dinë se këto zgjedhje do të kenë infrastrukturën më të mirë teknike se çdo proces zgjedhor tjetër në historinë e këtij vendi. “Listat paraprake të votuesve janë publikuar, ndërkohë, ashtu siç ju e keni parë, bashkitë, komunat i kanë gjetur ato të përshtatshme. Natyrisht, çdo lloj vërejtje dhe objeksioni i tyre është i mundshëm elektronikisht për t’u zgjidhur me shpejtësi”, tha Berisha. Kryeministri shtoi se “një ditë më parë erdhi në Shqipëri Misioni i ODIHR dhe unë i theksova kryetarit të këtij Misioni që ka autorizimin e qeverisë shqiptare që të kërkojë një numër sa më të madh vëzhguesish nga e gjithë bota”.
...