E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza nga Kuçova, ruhet me policë

Pas denoncimit për mjekim të pakujdesshëm, uniformat blu organizojnë shërbim 24 orësh

Menjëherë pas denoncimit që prindërit e adoleshentes Enxhi Praka bënë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për mjekim të pakujdesishëm nga ortopedi i Spitalit Ushtarak, uniformat blu morën në ruajtje 15-vjeçaren. Fillimisht shërbimi 24 orësh u organizua me efektiva të Tiranës dhe më pas janë njoftuar për zëvendësimin e tyre efektiva të policisë lokale, pra të Kuçovës. Edhe dje në mesditë përpara dhomës nr.1, në pavijonin e traumës në katin e parë, qëndronte një polic, i cili realizonte detyrën në ruajtje të vajzës së sëmurë. Burime policore thanë për gazetën se ky shërbim do të vazhdojë deri në daljen e vajzës nga spitali. Gjithçka ka ndodhur në vijimësi të masave të marra nga prokuroria, e cila ka nisur hetimin në gjendje të lirë për mjekun, i cili u akuzua nga prindërit e 15-vjeçares për mjekim të pakujdesshëm ndaj saj. Dy ditë më parë grupi hetimor shkoi në Spitalin Ushtarak dhe mori kontakt jo vetëm me prindërit e vajzës, e cila u operua në këmbën e gabuar, por edhe me infermierët dhe mjekun, që e operoi, dhe gabimisht e la sërish me këmbë të sëmurë. Ndërsa, burime të sigurta thanë se mjeku Gjergji çaushi, është pezulluar nga detyra dhe pritet që prokuroria të ngrejë edhe akuzë ndaj tij. Gjithçka ndodhi pas shkrimit të publikuar në “Shqip” të premten, ku denoncohej se një 15-vjeçare, ishte bërë operim në këmbën e majtë, pavarësisht se sëmundjen e kishte në këmbën e djathtë. Nëna e saj, Edlira Praka, i është drejtuar policisë, duke denoncuar mjekun që kishte kryer këtë ndërhyrje të pakujdesshme. Oficerë të policisë gjyqësore dhe prokurorë të Prokurorisë së Tiranës kanë kontaktuar me vajzën nga Kuçova, Enxhi Praka, në gjendje jo të mirë shëndetësore, e cila ndihej e frikësuar nga situata e krijuar, por edhe pse shihej ndryshe nga mjekët. Ajo dhe prindërit u ka thënë hetuesve gjithçka ka ndodhur më 10 maj. Atë ditë, Enxhi Praka, 15 vjeçe, kishte ardhur nga Kuçova për t’u shtruar në spital. Brenda ditës, ajo është futur në sallën e operimit. Para se të hynte për ndërhyrje kirurgjikale, i ishin bërë të gjitha ekzaminimet e duhura, grafitë dhe skaneri, mbi këmbën e djathtë që e kishte të sëmurë. Vajza i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, por vetëm kur doli nga efekti i narkozës, ajo ka ndier dhimbje më të forta në këmbën e shëndoshë, sepse mjeku i kishte operuar këmbën e gabuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›