Kryeministri: Shumë shpejt me kartat e identitetit
Qeveria miraton projektligjin për regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Përdorimi i kartave të identitetit në zgjedhjet e ardhshme duket se ka shpejtuar procesin e punës së qeverisë në miratimin e regjistrit kombëtar të gjendjes civile. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha veçoi projektligjin për gjendjen civile. Duke vlerësuar ndryshimet e mëdha që ka pësuar regjistri themeltar i shtetit gjatë këtij viti, nëpërmjet funksionimit të tij në formën dixhitale, Kryeministri theksoi se përdorimi i teknologjisë së re dhe perspektiva dixhitale e këtij shërbimi ka bërë të domosdoshëm një ligj të ri. Duke e vlerësuar këtë ligj shumë të rëndësishëm, Kryeministri u shpreh se ky ligj i paraprin fillimit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike. "Një ligj i dytë shumë i rëndësishëm për vendin është ligji për gjendjen civile. Siç e dini, kjo zyrë themelore e shtetit, ky regjistër themeltar i shtetit gjatë këtij viti ka pësuar ndryshimin më të madh, janë bërë tërësisht dixhitale", sqaroi Berisha. Sipas tij, teknologjia e re dhe perspektiva dixhitale e këtij shërbimi ka bërë të domosdoshëm një ligj të tërë. Kryeministri Berisha e ka cilësuar këtë si "fryt i një bashkëpunimi të ngushtë të specialistëve tanë të Ministrisë së Brendshme me ekspertët më të mirë të kontraktuar nga OSBE dhe ky ligj i paraprin fillimit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike, ndaj dhe do ta vlerësoja shumë të rëndësishëm. Pra motoja që të shkojmë drejt zgjedhjeve me reforma është një realitet". Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e tij dhe të qeverisë së drejtuar prej tij për përkushtimin e plotë dhe total për garantimin e votës së lirë. Kryeministri uroi që të ketë një dialog mes partive të opozitës dhe të bëhet zgjidhja më e mirë. Kryeministri përshëndeti dje edhe ditën e të drejtave të njeriut në 60-vjetorin e Deklaratës Universale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratuar në Paris më 10 dhjetor 1948. "Një seri diktaturash të urryera janë fshirë nga faqja e dheut. Sllobodan Millosheviçi u përball me drejtësinë ndërkombëtare, të tjerë kriminelë lufte po përballen në tërësi me drejtësinë. Ne shqiptarët duhet ta nderojmë dhe kremtojmë këtë ditë më shumë se çdo komb tjetër në Evropë dhe në botë, sepse asnjë komb tjetër i këtij kontinenti nuk ka vuajtur për liri, dinjitet dhe të drejta njerëzore siç kemi vuajtur ne për gjysmëshekulli", theksoi Berisha.