E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshati i Voskopojës, me dy kryepleq

Fshati Voskopojë ka dy kryepleq me nga një vulë secili. Dokumentet për banorët e këtij fshati vulosen nga dy persona. Një palë i vulos ish-kryetari i shkarkuar nga kryetari i komunës, ndërsa një palë kryetari i ri i emëruar më pas. E gjithë kjo ka ndodhur pasi, kryetari i Komunës së Voskopojës, Nexhip Bacelli, i zgjedhur një vit më parë në këtë detyrë, nuk pranon të zbatojë vendimin e formës së prerë të gjykatës. Gjithçka ka nisur gati një vit më parë, në janar të vitit 2008, pas një konflikti me kryeplakun e Voskopojës, Janaq Pishtarin, për problemin e kishës. Pas këtij konflikti, kryetari i komunës, së bashku me këshillin e komunës, vendosi shkarkimin e kryeplakut Pishtari, në kundërshtim me ligjin për qeverisjen vendore. Ky ligj, konkretisht pika G e nenit 44, parashikon që kryetari i komunës mund të shkarkojë nënkryetarin e pleqësisë dhe jo kryetarin e pleqësisë. Ndërsa Bacelli ka shkarkuar kryeplakun. Pas një procesi gjyqësor në shkallën e parë të Korçës, gjykata i ka dhënë të drejtë kryeplakut të Voskopojës. Megjithatë, këtë vendim kryetari i pleqësisë (kryeplaku) e ankimoi në gjykatë dhe si në shkallë të parë edhe në apel e fitoi. Pra gjykata e quajti të kundërligjshëm vendimin e shkarkimit dhe la në detyrë kryeplakun Pishtari. Pra, gjykata e ka shpallur të pavlefshëm aktin administrativ, vendimi nr. 1, dt. 31.02.2008 i Komunës së Voskopojës dhe detyron komunën që të lejojë kryeplakun Janaq Pishtari të ushtrojë detyrën e anëtarit të kryesisë dhe të kryetarit të fshatit të Voskopojës. Më pas çështja kaloi në Gjykatën e Apelit, e cila më 9 tetor 2008 e la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe vendimi ishte i formës së prerë. Por kryetari i komunës nuk e zbaton dhe lejon që të qarkullojnë dokumente me dy vula. Mirë që e shkarkoi, por kryetari i komunës i jep vulën dikujt tjetër. Kur e pyesim kryetarin e Komunës së Voskopojës se përse nuk zbaton vendimin e gjykatës, i cili ka marrë tashmë formë të prerë, ka dalë edhe urdhri i ekzekutimit, ai me qetësi pranon se nuk e zbaton këtë vendim, pasi ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Derisa kjo e fundit të shprehet me një vendim pro ose kundër vendimit të kryetarit të Komunës së Voskopojës, një vendim i gjykatës i formës së prerë do të qëndrojë në sirtarët e komunës si i paekzekutuar, sepse kryetari i saj nuk njeh ligjin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›