E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimet, sa do marrin buxhetorët

Qeveria "hap thesin" për festat e fundvitit. Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar shpërblimet që do të miratojë Këshilli i Ministrave javën e ardhshme për 800 mijë familje shqiptare. Nëpunësit e administratës do të përfitojnë 10 mijë lekë deri në një pagë shpërblim sipas performacës së tyre gjatë këtij viti, ndërsa pensionistët në të gjithë vendin do të marrin kartolinën e përvitshme nga qeveria "Berisha" prej 5 mijë lekësh.

Kategoritë

Qeveria do t‘u japë të gjitha kategorive të pensionistëve, në qytet dhe fshat, shpërblimin e fundvitit prej 5 mijë lekësh. 520 pensionistë në qytet dhe fshat do të kenë mundësi të tërheqin ditët e fundit të dhjetorit ‘kartolinën‘ prej 5 mijë lekësh që qeveria ka planifikuar për moshën e tretë.

Kryeministri Berisha bëri të ditur dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se qeveria do të akordojë dhënien e shpërblimit të fundvitit pensionistëve në masën 5 mijë lekë dhe punonjësve të administratës publike nga 10 mijë lekë deri në një pagë. Duke e cilësuar këtë vendim ‘kartolinën e qeverisë për festën e fundvitit", Kryeministri Berisha tha se nga ky vendim përfitojnë rreth 800 mijë familje shqiptare, punonjës të administratës, institucioneve publike dhe pensionistëve të të gjitha kategorive, në qytet dhe fshat. Fondi që pritet të akordohet për pensionistët pritet të kapë vlerën e 4 miliardë lekëve.

Rreth 105 mijë punonjësit e administratës do të marrin në fundvit bashkë me pagesën e tyre mujore edhe shpërblimin prej 10 mijë lekësh. Më të mirët e administratës do të përfitojnë edhe rrogën e trembëdhjetë. Numri i nëpunësve që do të përfitojnë nga ky vendim do të përcaktohet nga drejtorët apo eprorët e ministrive, megjithëse theksohet se ky numër do të jetë i kufizuar.

Kartolina e qeverisë

"Ne ndërmarrim këtë akt tradicional për këtë qeveri si një vullnet të qeverisë për t‘u uruar Vitin e Ri qytetarëve të vendit jo vetëm me fjalë, por edhe me një shpërblim në fund të vitit, me të cilin bëhet i paqenë inflacioni, që ishte në nivelet më të ulëta prej 2.6 për qind. Në këtë mënyrë, ata lehtësohen dhe kursimet e tyre nuk preken shumë për të festuar Vitin e Ri". Kështu është shprehur shefi i qeverisë, i cili theksoi se shpërblimi i fundvitit për pensionistët në masën 5 mijë lekë nuk përfshihet në rritjen e njoftuar të pensioneve më 1 maj. Në muajin e pestë të 2009-ës, do të dyfishohen pagat e 170 mijë pensionistëve në fshat brenda 4 viteve dhe do të rriten me 20% pensionet e qytetit. Ndërsa për administratën publike, Kryeministri Berisha tha se si rezultat i miradministrimit në fondin e pagave, shpërblimi do të jetë nga 10 mijë deri në një pagë.

"Qeveria këtë vit ka qenë sërish e vëmendshme ndaj administratës, e cila do të shpërblehet jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se dyfishim i pagës dhe kjo me përparësi absolute për pagat e ulëta", u shpreh ai. Sipas Berishës, nëse nga miradministrimi kanë tepruar në fondin e pagave, edhe përmbi pagat e ulëta limiti për administratën do të jetë jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se një pagë dhe me këtë kemi dalë nga rregulli i një viti më parë, kur shpërblimi ka qenë vetëm 10 mijë lekë.

Batutat

Berisha-Bodes: Gjej ku të duash paratë për shpërblimet

Ministria e Financave ende nuk ka përfunduar draftin për shpërblimin e administratës dhe pensionistëve. Kreu i ekzekutivit i ka kërkuar ministrit të Financave, Ridvan Bode, të bëjë gati projektin dhe të sigurojë fondet e duhura për shpërblimet. Mësohet se Kryeministri Berisha, gjatë vazhdimit të mbledhjes së qeverisë me dyer të mbyllura i është drejtuar shefit të tij të financave që të gjejë me domosdo të ardhurat për të shpërblyer administratën dhe pensionistët. Do të jetë gota bosh apo plot e qeverisë për të uruar 800 mijë familjet shqiptare, kjo ngelet për t‘u vendosur javën e ardhshme. Megjithëse drafti në zyrat e Ministrisë së Financave nuk është përfunduar ende, mësohet se fondi total për pensionistët është 4 miliardë lekë.

Kategoritë e shpërblimeve

5 mijë lekë

për 520 mijë pensionistët e qytetit dhe fshatit

10 mijë lekë

për 105 mijë nëpunësit e administratës

rroga e 13-të

për nëpunësit me performancë më të mirë

10 mijë lekë

për 15 mijë mjekë dhe infermierë

10 mijë lekë

për 37 mijë arsimtarë

10 mijë lekë

për nëpunësit e doganave, tatimeve dhe buxhetorët e tjerë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›