E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujdesje për sportistët me aftësi të kufizuara

Komiteti Paraolimpik i Kosovës organizoi sot, në Prishtinë, Konferencën mbi Edukimin e vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara përmes aktiviteteve sportive i cili ka qenë përkrahje e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit (MKRS) dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Nikoqirja e këtij organizimi, Njomza Emini, kryetare e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, pasi shprehu falënderimin e saj për MKRS dhe për Ambasadën Amerikane në Kosovë të cilat kanë ndihmuar në realizmin e kësaj konference dhe tregoi se Komiteti Paraolimpik i Kosovës është i përkushtuar që t’u jep përkrahje e hapësirë gjinisë femërore e sidomos të rejave e grave me aftësi të kufizuara.

“Përkrahja e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare është një motiv shtesë për ne që personat me aftësi të kufizuara të ndjehen të barabartë me ne në shumë aktivitete të jetës shoqërore, kulturore e sportive në Kosovë,” u shpreh Emini.

Ndërkaq, ministri Memli Krasniqi, përkujtoi rëndësinë e edukimit për sportin si mjaftë domethënës në jetën tonë në përgjithësi e aq më tepër kur kemi të bëjmë me gjininë femërore e sidomos për femrat me aftësi të kufizuara si dhe duke e konsideruar iniciativën e Komitetit Paraolimpik të Kosovës, për këtë konferencë me qëllim të edukimit të femrave dhe pjesëmarrjen në aktivitete sportive si një hap tejet i rëndësishëm.

“Dua të përgëzoj Komitetin Paraolimpik të Kosovës për këtë nismë të re por edhe në përgjithësi për punën që ka bërë në integrimin e personave me aftësi të kufizuara në jetën publike, duke krijuar vërtetë një ambient ku ata tashmë fillojnë të mos ndjehen të anashkaluar nga shoqëria dhe institucionet,” theksoi ministri.

Ai gjithashtu përmendi se MKRS-ja, që prej fillimit ka qenë një nga mbështetësit kryesor të Komitetit Paraolimpik dhe përkrahja do të vazhdojë të rritet ngase MKRS-ja e konsideron masivizimin e sportit si një nga prioritetet e saj dhe se përkujdesja për njerëzit me aftësi të kufizuara është një obligim institucional dhe njerëzor.

Në anën tjetër ai falënderoi partnerët ndërkombëtar për përkrahjen e mbështetjen logjistike e financiare që e bëjnë për vendin tonë dhe ministri Krasniqi gjithashtu kujtoi se MKRS ka rritur në mbi 100% buxhetin për sport në këto dy vitet e fundit dhe kjo ka shkuar në funksion të përkrahjes së Komitetit Olimpik të Kosovës, Komitetit Paraolimpik dhe federatave për organizim të brendshme të sportit.

Në anën tjetër ai përmendi që padrejtësisht sporti kosovar mbetet i izoluar edhe pse kemi shënuar hapa të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e sportit këto dy vitet e fundit.

Ministri Memli Krasniqi shtoi: “Ne kemi investuar shumë në renovim palestrash dhe ndërtim të atyre të reja, por edhe poligone të shumta sportive. Tashmë ka më shumë hapësirë për aktivitete. Ne synojmë që rritja e buxhetit për këtë të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm por edhe në vitet e tjera.”

Ndërsa, përfaqësuesi i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Paul Engelstad, tregoi se ndjehet i kënaqur për pjesëmarrje të shtuar të femrave në aktivitete sportive dhe theksoi se është e rëndësishme të përkrahet gjinia femërore në zhvillimin e sportit.

“Mendoj se Kosova po bën punë të mirë në rritjen e të gjitha aktiviteteve për persona me aftësi të kufizuara. Ne kemi përkrahur shoqatën e Down Sindromit, HandiKOS-in, por mbetet që edhe shumë të punohet jo vetëm nga qeveria, por nevojitet që te ketë më shumë vullnetarizëm këtu në Kosovë, duhet të ketë më shumë iniciativa private që të mbështesin këso lloj aktivitetesh”, tha përfaqësuesi i ambasadës amerikane, Engelstad.

Në këtë konferencë ishin pjesëmarrës edhe deputetet Teuta Sahatçiu e Suzana Novobërdaliu, përfaqësues të shumë OJQ-ve që merren me punë e çështje të njerëzve me aftësi të kufizuara./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›