E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Thaçi takon Ashton: Mos e toleroni Serbinë

STAMBOLL - Gjatë kthimit nga vizita në SHBA, kryeministri Hashim Thaçi u takua sot në Stamboll me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Catherine Ashton. 

Kryeministri Thaçi e njoftoi Baroneshën Ashton lidhur me gjendjen në veri të vendit dhe “qendrimin tërësisht anti-evropian të Serbisë karshi Kosovës”, sic tha ai.

Thaçi sipas një komunikate për media, e informoi Ashtonin lidhur me implementimin e pjesërishëm të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. 

“Qasja dyftyrëshe e Serbisë nuk duhet të tolerohet. Nuk mund të ketë në njërën anë një Serbi evropiane karshi Brukselit, dhe një Serbi mesjetare karshi Kosovës. Vrasja e qytetarit të Kosovës në shtëpi të vet, kidnapimi i policëve, arrestimet pa asnjë bazë ligjore të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdimi i ekzistencës së strukturave paralele e ka tensionuar tej mase situatën”, tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi në takimin me baroneshën Ashton u shpreh edhe lidhur me ngecjen e Serbisë në implementimin e marrëveshjeve të arritura. “Kredibiliteti i dialogut teknik nuk varet nga numri i marrëveshjeve të arritura, por nga implementimi i tyre. Fatkeqësisht, Serbia po zhagitë këtë proces”.

Baronesha Ashton ndërkaq, siç theksohet më tej në komunikatë, e siguroi kryeministrin Thaçi që do ta mbështesë Kosovën në rrugën e reformave drejt integrimit të plotë në Bashkim Evropian.

(ma.ar/telegrafi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›