Kryeministri çek, vizita në Tiranë si presion ndaj Berishës
Qeveria e Çekisë ka ndërhyrë për llogari të grupit CEZ pranë qeverisë shqiptare, pasi kompania u ankua për rrezikun e falimentit pas vendimit të ERE-s dhjetorin e kaluar për të rritur çmimin me të cilin KESH ia shet energjinë CEZ dhe për të mos e lejuar CEZ të rrisë çmimin për konsumatorët. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta çeke në gjuhën angleze The Prague Post. Dihet që qeveria e Pragës ka aksione te CEZ (kompani publike dhe private), kështu që interesi dhe bashkëpunimi është i përbashkët.
Qeveria ndërhyri, pasi gjiganti i energjisë CEZ u ankua për problemet e hasura me investimet në Shqipëri, një kompani për shpërndarjen e energjisë, në të cilën CEZ ka investuar rëndë dhe që tashmë po pëson humbje të mëdha, shkruan The Prague Post.
CEZ thotë se rregullatori ia rriti çmimin e blerjes së energjisë me 91 për qind në fillim të këtij viti. Për rrjedhojë, CEZ Shpërndarje ka pësuar humbje në rritje që nga janari.
Kryeministri Petr Neas, i cili vizitoi Shqipërinë i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i CEZ, Daniel Bene, më 16 prill, i diskutoi problemet me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, dhe tha se të gjitha mosmarrëveshjet mund të zgjidhen përmes bisedimeve.
Ne jemi të interesuar në suksesin e kompanive çeke në Shqipëri dhe blerjen e CEZ këtu. Jam siguruar sot se qeveria shqiptare është gjithashtu e interesuar që kjo blerje të bëhet e suksesshme, i tha Neas gazetarëve.
Pas shumë javë bisedimesh, CEZ Shpërndarje ra dakord me qeverinë në fillim të marsit që të ndahen humbjet. Marrëveshja i kërkoi CEZ të investojë fonde të reja te CEZ Shpërndarje, në këmbim të rishikimit të çmimeve; gjithsesi, kushte rregullatore janë vendosur, në mënyrë të tillë që nuk i mundësojnë CEZ të dalë me fitime, sipas kompanisë./Shqip