E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në Konferencën e Forumit Rinor Eurosocialist të kryeqytetit. Në këtë aktivitet Kryeministri Nano u shpreh: "Të das

Kryeministri dhe Kryetar i PSSH, Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në Konferencën e Forumit Rinor Eurosocialist të kryeqytetit. Në këtë aktivitet Kryeministri Nano u shpreh:

"Të dashur bashkëmoshatarë,

Anëtarë dhe militantë të organizatës politike më të re dhe energjike në Shqipëri, për të cilën jam dhe unë krenar.

Është një kënaqësi e përhershme që ndodhem gjithnjë e më shpesh midis partnerësh të rinj si ju, si pjesa më energjike dhe më mendjehapur e aktivistëve politikë të vendit dhe e Partisë Socialiste, që është pasuria jonë e përbashkët.

Unë jam i bindur dhe do të vazhdoj të mbroj edhe në favorin tuaj iniciativat politike që ju integrojnë si protagonistë, që kushtëzojnë suksesin e konkurimit politik me bashkëpunimin e ngushtë me ju, sepse e shikoj këtë si garancinë e vërtetë për përmbushjen me sukses të misionit programor, politik dhe historik të integrimit të Shqipërisë në Europën moderne, që u takon socialistëve dhe progresistëve. Askush tjetër nuk mund ta bëjë më mirë se ne këtë gjë, askush nga ne nuk mund ta bëjë pa ju këtë gjë. Prandaj jam natyrshëm me ju sot.

Ju falenderoj për ftesën, sepse kjo Konferencë e Rinisë Eurosocialiste të kryeqytetit jep disa sinjale të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Nëse e marrim edhe në planin vizual, është e vetmja konferencë që ka më shumë delegatë se karrige. Një arsye për të ndryshuar shumë sjellje dhe rregulla në statutin e socialistëve. Është e vetmja Konferencë ku ajo që ju bashkon nuk është lufta për karrigen, ose më saktë luftën për karrige dhe shqyerjen e karrigeve kjo Konferencë përfundimisht është mbledhur për ta lënë pas dhe për ta arshivuar në fletët negative të historikut të FRESH-it apo të socialistëve të promovuar bashkë me FRESH-in.

Unë e shikoj këtë Konferencë si një platformë dhe auditor përfaqësues, politik dhe reformator, i cili strukturon mesazhin jetik për Partinë Socialiste, për klasën politike shqiptare, për komunikimin e politikën me mbarë shoqërinë shqiptare që po hapet, pra dhe një mesazh ndërkombëtar nga Tirana si kryeqyteti Shqipërisë, se ka nevojë për përtëritje, ka nevojë për njerëz të rinj, ka nevojë për shtim forcash dhe kontributesh energjike, që nuk ka pse të shkelin apo likujdojnë ata që ekzistojnë, ka nevojë për freskim idesh dhe aksionesh politike, përtëritje ekipesh dhe forumesh drejtuese edhe në Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe në vetë maxhorancën. Ndërkaq të mos kemi ekuivoke.

Jam këtu përballë 120 delegatëve të 1000 eurosocialistëve të kryeqytetit, përballë medias gjithashtu, për të mos bërë asnjë pazar të fshehtë, apo personal, apo të ndyrë me FRESH-in. Nuk jam këtu për t'ju ofruar ndonjë ndarje të pushtetit, as për të mashtruar cilindo prej jush si përfaqësues i pamolepsur nga sëmundjet e politikës së vjetër me mashtrime apo joshje spekulative, që rekrutojnë ithtarë apo mercenarë.

Jam këtu për të qenë përkrah jush, që askush të mos ju mbyllë derën; jam këtu për t'ju ftuar në emër të motrave dhe vëllezërve më të mëdhenj socialistë që të shtojmë radhët, t'i organizojmë më mirë rreshtat e reformatorëve, rreshtat e misionarëve, rreshtat e udhëheqësve politikë të reformave europiane në Shqipëri, sepse vetëm kështu mund të përmbushim totalisht, pa asnjë mëdyshje, pa asnjë bjerrje shprese apo votash, të gjitha angazhimet që kemi ndërmarrë përballë shumicës së zgjedhësve shqiptarë, partnerëve ndërkombëtarë, partnerëve politikë të socialistëve dhe freshistëve, Internacionales Socialiste. Në këtë proces ju jeni në shtëpinë tuaj. Më lejoni të bëj detyrën e Kryetarit apo të zotit të shtëpisë dhe t'ju them mirëserrini, mirësevini, mirë se shtoheni, vazhdoni lëvizni me të njëjtën energji në të gjitha dhomat dhe korridoret e shtëpisë sonë socialiste. Unë jam aty që të mos ketë asnjë pengesë për këtë gjë.

Kjo është arritja jonë më e madhe, ky realitet i një familjeje që nuk plaket, ku askush nuk është i huaj, ku pleqtë nuk mund t'i trajtojnë të rinjtë si "aguridhe", por ku të gjithë kanë vendin e tyre bazuar në kapacitetet dhe në kontributet që japin. Në një mënyrë ose një tjetër, pa prekur inisiativat më të fundit mediatike, ky është "kafazi i artë" i socialistëve dhe progresistëve. Siç e shihni nuk na lejohet të bëjmë asnjë hile. Jemi në të gjitha dhomat e shtëpisë në transmetim direkt.

Më lejoni me këtë rast t'ju bëj me dije se po riorganizojmë rreshtat dhe përfaqësuesit. Kjo është detyrë e të zgjedhurve për të drejtuar partinë. Po riorganizojmë librin e anëtarësisë, sepse ka shumë flukse të reja. Po riorganizojmë librin e anëtarësisë, ashtu dhe librin e rregullave, sepse pa këtë listë zgjedhësish, nuk mund të bëjmë lista të sakta zgjedhësish në Shqipëri pa bërë lista të sakta zgjedhësish në parti. Ne po ecim shpejt, po fillojmë projektet e para, do t'ju ftoja dhe ju të jepni shembullin nga të parët drejt parimit "një anëtar një vote", drejt parimit të përfshirjes që nga vota deri në vendimmarrje të çdo anëtari në ndarjen e kostove dhe të avantazheve politike që sjellin reformat, që sjell qeverisja për reforma, që sjell misioni politik i integrimit.

Nga ky skanim i radhëve del aktualisht që 15% e anëtarëve të PPSH-së jeni ju, janë përfaqësuesit e brezi më të ri që vjen nga FRESH-i. Kjo na renditi ndër partitë me moshën mesatare me të freskët, më të re në të gjithë Internacionalen Socialiste.

Natyrisht, nuk po e them për emulacion këtë gjë, sepse FRESH-i nuk mund të jetë tabelë emulacioni i PS. Unë jam këtu për të kërkuar nga ju dhe për t'ju dhënë garancitë e Kryetarit të Partisë për më shumë sipërmarrje, për më shumë pjesëmarrje tuajen në nivelet politike dhe qeverisëse të maxhorancës, të partisë sonë politike, të administratës apo formacioneve të administrimit publik të reformave.

Unë jam këtu për t'ju falenderuar që po ecni me ritmin dhe cilësinë e duhur në formimin tuaj si menaxherë, si inxhinierë, si njerëz të ekonomisë dhe të teknologjisë së re të informacionit, si militantë dhe si të votuar nga anëtarësia e gjerë e brezit të ri, që kërkon dhe do të shijojë i pari realitetet europiane në Shqipëri.

Unë jam këtu për t'ju garantuar si Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Kryeministër i vendit, se hapësirat e konkurrimit dhe integrimit tuaj në karrierë politike dhe profesionale në parti, në administratën publike, në institucionet e shtetit dhe të shoqërisë civile janë krejtësisht të hapura. Ju duhet t'i shfrytëzoni ato; ju duhet të mos prisni në asnjë rast që dyert t'i hapin gardianët e vjetër; ju duhet të vazhdoni të besoni tek misioni ynë europeist dhe prandaj unë jam këtu për të bashkuar udhëheqjen time me udhëheqjen tuaj, që protagonizmi juaj të jetë konkurrues, përfaqësues, të jetë nxitësi kryesor për më shumë ritëm në reforma europiane në parti dhe në Shqipëri.

Unë jam këtu për të mbrojtur sëbashku me ju investimin e madh të shoqërisë dhe të shtetit, të politikës progresiste, për formimin tuaj njerëzor, profesional dhe politik. Më lejoni të ritheksoj me kënaqësi se edukimi i të rinjve është një nga investimet më të suksesshme që po bëhet në Shqipëri gjatë 8 viteve të qeverisjes sonë. Kompjuteri dhe njohuritë mbi teknologjitë e reja moderne të informacionit apo të shërbimeve nuk janë më një ëndërrr, por një realitet i pranishëm që po zgjerohet në shkollat e mesme dhe universitete, në auditorë dhe laboratorë, si dhe në lidhjet e tyre me administratën publike dhe me sipërmarrjen që paguan taksat.
Jam i bindur në kapacitetet kualitative që ju po krijoni në këto mjedise dhe për shkak të këtij investimi të suksesshëm. Prandaj mirëpres çdo inisiativë tuajën që ky kualitet për të përballuar me aftësi konkuruese dhe fituese transformimin dhe koha në të cilën jetoni, të shërbejë për të trasnformuar politikën dhe qeverisjen, për të përmirësuar administrimin publik, për të shëndoshur moralin politik të përfaqësuesve dhe për të mos lejuar që spekulantë të paaftë, çakallë apo të korruptuar dhe mafiozë të marrin votat dhe paratë tuaja dhe të majmen për vete apo t'i bëjnë dëm shumicës.

Kam qenë dhe mbetem i bindur dhe i angazhuar të mbroj principet dhe skemat e gjithpërfshirjes meritokratike në udhëheqjen politike dhe qeverisje. Prandaj mbetem i vendosur të inkurajoj secilin prej jush, çdo militant dhe progresist të ri, i cili organizohet për të shprehur pikëpamjet e veta në organizatën e vet politike, në rrugë apo në media, për të dhënë kontribute në qeverisje dhe për të debatuar apo për të bërë partneritet edhe me Kryeministrin apo Kryetarin e Partisë në funksion të reformimit dhe përmirësimit të gjendjes.

Unë pres shumë më tepër prej jush. Më tepër angazhim dhe aksion konkret për të bllokuar fenomenet negative dhe bartësit e tyre që na tërheqin prapa, që na pengojnë për të arritur më shpejt standartet e botës moderne dhe që kriminalizojnë imazhin dhe realitetet tona. Korrupsioni, abuzivizmi, paaftësia, evazioni, fshehja e xhepave dhe e parave me te cilat mbulohen konsumi familjar apo konsumi partiak, janë fenomene që sot nuk na lejojnë të marrim oksigjen europian për të gjitha poret e organizmit politik ku militojmë apo shoqëror ku ekzistojmë. Ju duhet t'i godisni pamëshirë këto fenome në të gjitha mjediset ku mësoni, militoni apo argëtoheni.

Rruga juaj e karrierës në parti dhe administratë ecën pikërisht mbi vendet bosh gjithashtu, që do të lirojnë të korruptuarit, të paaftët, të inkriminuarit, evazorët, manipulatorët, trafikantët, çakallët dhe gjithkush tjetër që ka abuzuar me besimin dhe votat e socialistëve apo të freshistëve deri më sot.

Modeli Meta-Kryemadhi dëshmoi se evolucioni i brezave nuk bëhet dot me numëratorin me gogla të kopshtit apo tespijes në duart e liderit. Konkurrim në bashkëveprim dhe solidaritet në trasparencë me zgjedhësit e udhëheqësve, kjo është formula fituese që do t'i garantojë edhe sot edhe nesër socialistëve dhe progresistëve freskinë dhe efikasitetin e qeverisjes së vet dhe Shqipërinë më mirë se deri më sot, në mënyrë më të orientuar drejt interesave dhe hapësirave kontribuese të të rinjve, të brezit të ri, të militantëve dhe profesionistëve, në të gjitha fushat e jetës, ku sfidat e konkurrimit në integrim po bëhen gjithnjë e më të qarta dhe kërkojnë gjithnjë e më shumë energji për t'u përballuar.

Shqipëria punon e gjitha, transformohet e gjitha, modernizohet kudo dhe prandaj integrohet çdo ditë e më shumë në realitetet europiane dhe globale. Por rruga është ende e gjatë. Kjo rrugë shkurtohet padyshim nëse ju arrini dhe mbështeteni për të kthyer këto ëndrra europiane në projekte, t'i ktheni energjitë në punë të dobishme, të ktheni pastërtinë e shpirtit tuaj në vlerë të politikës europeiste dhe të vetë shoqërisë shqiptare.

Unë ju ftoj ta shkurtojmë sëbashku distancën nga Europa. Unë ju ftoj ta shndërrojmë diferencën e brezave dhe mentaliteteve nga burim konflikti në promotor zhvillimi. Me këtë nuk kërkoj aspak të zhduk në mënyrë demode diferencat midis gjeneratave apo mentaliteteve, nuk më lejohet të rrafshoj tavanin e kontributeve dhe energjive që mbartin gjeneratat e ndryshme, nuk lejoj askënd të rrafshoj ambiciet tuaja konkuruese dhe pozitive dhe përballë parazitëve apo matrapazëve të ditës, që ndjehen të kërcënuar për shkak se Shqipëria po bëhet më e hapur dhe duhet konkuruar për të bërë edhe karrierë politike apo profesionale. Unë e di dhe prandaj dua t'ju garantoj se shpirti për ndryshim është një pasuri e përbashkët e jona dhe e askujt privatisht. Pa këtë shpirt Partia Socialiste do të humbte gjënë më të vyer: inisiativën politike dhe reformatore që e ka mbajtur në protagonizëm gjatë gjithë tranzicionit demokratik të Shqipërisë.

Unë kam besim se nga kjo Konferencë ju do të zgjidhni për në forumet drejtuese shoqet dhe shokët më të mirë, që dinë të mos spekullojnë me besimin tuaj dhe prandaj të harmonizojnë ëndrrat me interesat e gjeneratës që ju përfaqësoni, pasionin me përkushtimin për të realizuar objektivat edhe për karrierë politike dhe profesionale, kënaqësitë me sakrificën, durimin me karrierën.

Unë kam besim se ju do t'i shtoni Forumit tuaj Rinor Eurosocialist Shqiptar forcën dhe energjinë e kontributeve të munguara, e cila u tentua të fashitej nga disa individë që kërkuan ta "privatizojnë" organizatën politike më dinamike të vendit. Partia Socialiste, duke qeverisur ka në programin e saj të reformave shumë privatizime, por ju garantoj që FRESH-i të dalë në shitje. Ai është pasuri e juaja, pasuri e Shqipërisë dhe e së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike!

Punë të mbarë!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›